Preç Zogaj, 10.05.2010
Në shkurt të vitit 1991, ndërsa studentët ishin ngujuar në të parën grevë urije me kerkesën për t’i hequr Universitetit emrin e Enver Hoxhës, katër drejtues të lartë të Partisë Demokratike zhvilluan një takim me Presidentin e atëhershëm, zotin Ramiz Alia, në zyrën e këtij të fundit.
Partia Demokratike e mbështeste kërkesën e grevistëve . Kryetari i saj Sali Berisha, sekretari Eduard Selami, Azen Hajdari dhe unë kishim shkuar në zyrën e Alisë për t’i kërkuar atij të jepte një zgjidhje të pranueshme për studentët.
Kryetari i dyfishtë i shtetit dhe i partisë në pushtet hodhi disa opsione, që u refuzuan nga ne. Jo se ne flisnim ne emër të studentëve- ata kishin komitetin e tyre- por si parti politike opozitare ne ishim në sintoni dhe në lidhje të ngushta me ta.
Më në fund, duke llogaritur koston e lartë të një takimi pa rrezultat me opozitën e tij, kryetari i shtetit lëshoi pe për një opsion që kishte patur njëfarë jehone dhe konsensusi edhe në radhët e studentëve: ndarjen e Universitetit unik në disa Universitete me vete, duke i dhënë çdo Universiteti të ri një emër të vetin. Kësisoj emri Enver Hoxhës binte vetvetiu sepse nuk kishte kush ta mbante.
Disa nga krerët e PD-së shkuan po atë natë për tua njoftur këtë zgjidhje të ngujuarve, por u përplasen me zëmërimin e tyre. Situata atje kishte ndryshuar, urija kishte bërë të veten. Zgjidhja që u propozohej mund të ishte pranuar prej tyre në ditët e para të grevës së urisë, por tani ajo zgjidhje nuk i kënaqte.
E donin zgjidhjen të qëruar, të drejtpërdrejtë: Organi që i kishte vënë Universitetit emrin e diktatorit duhej të mblidhej dhe të merrte vendimin e kundërt: heqjen e emrit!
Për herë të parë kam menduar atë mbrëmje për fenomenin e vjetërimit të shpejtë të zgjidhjeve në rrethanën e sakrificave që bëjnë njerëzit që protestojnë.
Sakrifica është në nja garë të heshtur e plot tension me vendimarrjen e ngeshme te pushtetarëve. Sakrifica është më e shpejtë. Zgjidhja e vonuar, edhe pse mund të jetë e parafërt me kërkesën fillestare të protestursve, rrezulton e plakur, e tejkaluar nga sakrifica, e tejkaluar nga vetë raporti i ri që vendos qëndresa sublime me pushtetin, kur qëndresa nuk ka më asgjë për të humbur, kurse pushteti realisht e ka humbje të rëndë “fitoren” ndaj grevistëve . Kjo është një dukuri e shpjegueshme në rrafshin njerëzor, politik dhe psikologjik.
Ndryshe nga ç’mendohet rëndom në popullatat e paqytetëruara, vuajtjet, vështirsitë dhe stërmundimet nuk i thyejnë por i forcojnë shpirtrat e lirë e të kultivuar. Për rrjedhim, nuk i ulin por i forcojnë kërkesat e protestuesve dhe grevistëve.
Dukurinë e vjetërimit të zgjidhjeve e këmi konstatuar si një ligjësi, disa herë gjatë këtyre dy dekadave, në përballjet midis pushtetit politik në një anë dhe subjekteve protestuese- parti, grupe shoqërore, shoqata dhe individë- në anën tjetër.
Për fat te keq nuk kemi një rast kur reagimi nga qeveria ka qenë me i shpejtë apo më i avancuar se kërkesa që ka ardhur nga pala tjetër. Përkundrazi: reagimet apo zgjidhjet janë dhenë rëndom në momentin e fundit, pasi është humbur shumë kohë, shumë energji, shumë mundësi. Çmimi që është paguar për to ka qenë shumë i lartë.
Opinionet e shqiptarëve janë akoma të ndarë në lidhje me ngjarjet e vitit 1997, por është mendimi i shumicës dermuese se vendi do të kishte paguar një kosto shumë më të ulët, nëse zgjidhja politike do të ishte dhënë dy tre muaj apo edhe dy tre javë para 9 marsit të atij viti.
Ka gjithnjë pak parashikim dhe parashikues në aulat tona të politikës dhe politologjisë. Kultura e prevencionit apo e “zgjidhjeve të parakohshme” është akoma larg dhe ky është një tregues shumë domethënës i prapambetjes sonë politike.
Kjo bën që zgjidhjet e mëdha, kur vinë, vinë nga përplasjet e jo nga vizionet. Natyrisht, qeveria duhet të jetë mjaftueshëm e ndritur për të kapur në kohë e vleresuar drejt çfarë kërkon opozita apo opinioni publik. Nuk është kaq e lehtë.
Mundet që qeveria gjykon në mënyrë të rëndomtë dhe ka një mendim të ulët për opozitën sikur po ti japësh dorën, ajo do të merr edhe krahun. Mundet qeveria mendon se opozita do të lodhet. Mundet mendon se do të ndodhë ndonjë mrekulli në favor të saj. Prandaj kredoja e saj shpeshhere është shtyrja e kohës.
Por çasti kur koha mbushet plot, tamam si një gotë ku nuk mund të hedhësh më asnjë pikë ujë, vjen në mënyrë të pashmangshme. Ky çast është sot në çadrën e grevistëve të urisë në bulevardin “Dëshmorët e kombit”.
Dita e dhjetë e grevës së urisë është dita treshifrore e shurdhërisë së qeverisë në lidhje me kërkesën e thjeshtë e ligjore të opozitës për të hetuar zbatimin e Kodit Zgjedhor në zgjedhjet e 29 qershorit 2009. Kundërshtimi i qeverisë ka qenë absurd dhe do të duket akoma më absurd neser pasneser kur të prekim zgjidhjen e pashmangshme.
Cilën zgjidhje? Parashikimi po bëhët gjithnjë e më i vështirë për faktin se nuk mund të mos marrë në konsideratë nervin që krijon përballja e përditshme e urisë me indiferencën.
Megjithëse kësaj radhe në ballë të grevës janë deputetë, dukuria e vjetërimit të opisoneve po hyn në rregjim të plotë, palalel me rritjen e masës së sakrificës dhe solidaritetit të grevistëve me njëri tjetrin dhe të opinionit publik me ta. Deputetë grevistë janë barazuar me qytetarët e thjeshtë në termopilen e tyre. Ata nuk po flasin më si deputetë, por si qytetarë .
Ata, vetvetiu, megjithëse janë pjesë përbërëse e opozitarizmit, po bëhën realisht një instancë me vete e opozitarizmit. Qytetarët do t’i mbështesin deri në fund, sepse greva e tyre është motërzimi i qartësisë me sakrificën.
Historia jonë politike e tranzicionit demokratik është kaq e re, sa nuk mund të justifikojë askënd që nuk nxjerr mësime prej saj. Qeveria “Berisha” dhe vetë kryeminsitri Berisha mund ta kishin pranuar vetë, që në vjeshtën e vitit të kaluar, lëvizjen e opozitës për trasparencë.
Nuk e bënë. Nuk e bënë as në dyndjen e parë të Europës në fillim të këtij viti. E privuan vendin nga një zgjidhje që do të kishte ardhur pa sakrifica, pa ndarjen që krijon një zgjidhje që vjen përmes vuajtjeve të një pale, pa heronj dhe heroizëm të një pale.
Ky shans humbi, kjo histori tani ka mbetur pas. Përpara është dita e re e grevës dhe protestës. Është dyndja e dytë e perëndimit. Është zgjidhja që duhet të jetë e tillë që të mos plaket pa mbërritur në çadër.