VJESHTË TIRANASE

0
16

Ndue Lazri

– Reportazh –

1.

Bien gjethet mbi bulevardin “Marsel Kashen”. Vjeshta sundon sovrane mbi Tiranë. Është ora 2 e natës dhe lëviz thuajse i vetëm në këtë rrugë, në të cilën rikthehem pas 40 vjetësh. Po ajo rrugë, po ato pemë, që e bënin atë dikur aq lirike e piktoreske në sytë tanë. Ishim studentë dhe e përshkonim atë çdo ditë nga qyteti “Studenti” për në universitet. Në njërën anë Liceu artistik, nga ku na vinin që në mëngjes herët tingujt e pianove, violinave, kontrabasëve apo vokalicat e sopraneve të ardhshme. Më tej ndërtesa e Radio Tiranës, që për ne studentët e gazetarisë përbënte një ëndërr të heshtur. Nga krahu tjetër dikur ishin disa vila të familjeve tiranase me emër ose të funksionarëve të mesëm të shtetit, nga të cilat fekste vetëm ndonjë dritë e zbehtë. Tani ato nuk janë, ose më saktë janë zhdukur në hijen e ndërtesave të larta që nuk i shkojnë arkitekturës së asaj rruge dhe të lokaleve të shumta, oh sa të shumta, ku të rinjtë rrinë deri vonë e bëjnë jetë nate.

Nën këmbët e mia ndihet fëshfërima e gjetheve. Kjo më sjell ndërmend zhurmën e fshesave të fshesareve të kryeqytetit, që në një orë të tillë fillonin turnin e punës për pastrimin e rrugëve. Kujtohem që pikërisht nga kjo rrugë, në këtë orë, kur isha student kisha filluar një reportazh për fshesaret e Tiranës. Kujtimet më shtyjnë më tej e më nxjerrin tek bulevardi i madh, i bukur, imponues me gjerësinë e tij, me arkitekturën e ndërtesave, me ndriçimin. Është pa dyshim një nga bulevardet më të bukura të Europës.

Këmbët më shtyjnë drejt Universitetit. Ndriçimi blu që i është dhënë ndërtesës së tij dhe kompleksit përreth është diçka e re për mua. Edhe shkëlqimi i ri që u është dhënë ndërtesave. Puna e bërë nga arkitekti Zef Çuni (zëvendësministër i kulturës) dhe i kolegëve të tij me rastin e vizitës së Papës në Tiranë është e mrekullueshme, me shumë shije e finesë. Një fotografi malli në bulevardin e gjerë, një shetitje nëpër ato trotuare ku ende më kumbojnë hapat e rinisë sime. Ec drejt Lanës. Ndërtesës së Kryeministrisë ia kanë hequr atë rrethim të shëmtuar që një mendje e çakorduar e kishte vënë për t’u mbrojtur nga populli e që në një moment proteste paqësore përdori edhe armët duke shkaktuar të vrarë. Në atë protestë populli nuk përdori armë, i përdori shteti kundër popullit të vet. Populli vajtoi me dhimbje viktimat dhe vetëm disa muaj më vonë përdori “armën” e tij më paqësore e demokratike, votën, për të rrëzuar një “shtet”, që prej kohësh kishte filluar të ravijëzonte hijen e një diktature të re. Populli është bërë i vetëdijshëm për “armën” asgjësuese që disponon.

Bukuria perfekte e bulevardit të madh ndërpritet sapo i afrohesh Urës së Lanës. Në të djathtë shfaqet kufoma e pa kallur në varr e Piramidës. Natën, në shëmtinë ku e kanë katandisur, bëhet gati e frikshme. Kutërbon qelb ideologjik e politik dhe skandal ekonomik. I njëjti kutërbim vazhdon edhe disa metra më tej kur ndodhesh përpara ish – Hotel “Dajtit”. Emblema e luksit të dikurshëm shqiptar, ku ishte ëndërr të pije një kafe, tashti është një gërmadhë, ku kalimtarë kryejnë nevojat e tyre natën në errësirë. Pamje të tilla ia ulin imazhin bulevardit të bukur dhe e largojnë vizitorin vendas apo turistin e huaj me një shije të keqe që lë çorba politike e korrupsionit.

2.

Është nata e fundit që kaloj në Tiranë, pas një qëndrimi të shkurtër prej një jave. Poetja dhe mikja ime, Drita Lushi, tek pinim kafe në një nga ditët e Tiranës më pyeti: – Në ikje, kush do të të rëndojë më shumë, dhuratat apo mbresat?

Në këtë natë të fundit nuk e kam mendjen tek dhuratat, të cilat janë pa dyshim të shumta, por tek mbresat që më invadojnë të tërin. Mundohem t’i rendis, sado që ato janë të padisiplinuara e shtyhen me njëra – tjetrën.

Në bulevard zbrita pas një darke të këndshme të kaluar me mikun tim të viteve të rinisë, poetin e mirënjohur lirik e elegant, Petrit Ruka dhe bashkëshorten e tij, Zhani, që e takoja për herë të parë, megjithëse Petritin e kam mik prej 38 vjetësh. E urtë, plot mirësi, me vështrimin e buzëqeshjen e ngrohtë, ajo ndiqte bisedat tona gati në heshtje. Sa e vështirë të zbrazësh mallin e 38 viteve në një mbrëmje. Gati nuk i lemë radhë njëri-tjetrit në të folur. Por miqësia e vërtetë i lë mënjanë nganjëherë rregullat e etikës.

Miqësia e Petritit ishte filli lidhës i gjithë ditëve të mia në Tiranë. Ai ishte caku im i përditshëm, o me një kafe, o me një telefonatë, o me një drekë apo darkë. Kur do të nisesha nga Bolonja, më mori në tel dhe më tha: – Si vëlla dua të të kërkoj një gjë. Lermë të të pres vetëm unë në aeroport. Dy vëllezërit e tjerë e pritën me buzëqeshje e me dashamirësi këtë kërkesë, duke e kuptuar vlerën e vërtetë që ajo përmbante.

Bisedat tona të pandërprera filluan që kur u takuam në aeroport. Të hutuar të dy nga malli, megjithëse u bëmë gati disa herë për një foto, e harruam fare atë. Hyjmë bashkërisht drejt Tiranës. Petriti e nget i qetë makinën, por flet me atë pasion që ia kam njohur që kur ishte djaloshi student me kaçurrela në institutin e Shkodrës. Më tregon rrugët e Tiranës. Një kaos i vërtetë. Diku, në hyrje, një shqiponjë e madhe e derdhur në bronz. Nuk më tërheq aq shumë shqiponja, se një stampë e rëndomtë është, por fakti që autori i saj, që nuk ia mësova dot emrin, është shpallur “Nderi i kombit” për një vepër mediokre… Me “ndere” të tilla kombi çnderohet.
Një trafik i çmendur, ku secili ec për hesap të vet, më bën të mendoj se mos brenda pak orësh kam harruar rregullat e qarkullimit rrugor. Një smog që ta vështirëson shumë frymëmarrjen.

Ndërtime, ndërtime, pa plan e pa shije, pa asnjë kriter urbanistik e arkitekturor e bëjnë periferinë e Tiranës dhe pjesën më të madhe deri në qendër të saj, diçka të shëmtuar. Nëpër shumë nga rrugët pamë në veprim shkatërrimin e ndërtimeve abuzive. Edhe pse pamja ishte katrahurë, më gëzoi mendimi që shteti po fillon të ekzistojë. Por a do ekzistojë vetëm në prishjen e lokaleve abuzive të tregtarëve të vegjël, që mbanin familjen me bukë (paçka se me ndërtime pa leje), apo do verë dorë edhe mbi ndërtimet luksoze të ndërtuara nga politikanë e biznesmenë me paratë e popullit apo me korrupsionin e paskrupullt e kriminal? Le të shohim. Hapat e parë janë inkurajues…

3.

Kur rikthehesh pas 6 vjetësh në Tiranë, të pushton një mori ndjenjash nostalgie e malli. E padyshim në plan të parë janë të afërmit. Të nesërmen e mbërritjes, që në mëngjes, bashkë me dy vëllezërit do niseshim për tek motra e madhe, në periferi të Tiranës.

E dija që më priste. Me mall si asnjëherë. Fryma filloi të më pakësohej që tek dera e oborrit. Zakonisht ajo më priste tek ajo derë. Këtë radhë jo. Ajo ishte më këmbë tek dera e shtëpisë. Sytë i kishte drejtuar për andej, por dukej sikur ata kërkonin të shponin një tunel të thellë errësire për të shquar qoftë edhe një çast, aq kohë sa zgjat një vetëtimë, siluetën e vëllait që afrohej. Por jo. Sytë e saj e kishin humbur përjetësisht dritën, që kishte mundur të gjente rrugën përmes lotëve deri tek buzët e saj që buzëqeshnin të lumtura. Më prekte, për të më parë përmes duarve…E përqafoja e nuk flisja dot. Janë nga ato çaste kur mendon se zemra do e shkallmojë krahërorin…Ajo ditë e kaluar pranë saj ishte nga momentet më të dhimbshme e tronditëse që kam provuar ndonjëherë.

4.

Në Tiranë jetojnë e punojnë shumë nga miqtë e kolegët e mi më të mirë, shokë të klasës që në gjimnaz apo shokë të kursit në fakultet. Kur miku im, poeti dhe gazetari i Radio Tiranës, Demir Gjergji, publikoi në profilin e tij një njoftim që do më kishte si mysafir, shumë nga ata më shkruan apo më telefonuan me kërkesën që të shiheshim e të pinim një kafe sëbashku. Diçka normale, që besoj u ndodh gjithë emigrantëve kur kthehen në Atdhe. Por, në aq pak ditë, koha ishte e pamjaftueshme për t’i takuar një nga një. Këtë “problem” me sa duket e kishte edhe mikja Iskra Thoma, kritike, përkthyese dhe redaktore e mirënjohur, që jeton në Modena të Italisë e ndodhej në Tiranë. Ajo më shkroi që do ishte mirë të organizonim një takim me miqtë tanë shkrimtarë e poetë, botues e gazetarë, që të mund të çmalleshim me sa më shumë prej tyre. Kështu lindi idea e një takimi – koktejl, e cila rezultoi ide e suksesshme. Një takim pa fjalime e protokolle, pa ftesa formale, por me një fjalë malli për secilin. E kur malli është protagonist, miqtë vijnë edhe pa i ftuar.

Petriti më çoi tek një miku i tij, që kishte një lokal diku mbi shkollën e Baletit. Iliri, pronari i lokalit, një djalë i buzëqeshur e shumë mikpritës, ish- aktor e kineast, ka ndërtuar një lokal që mund të jetë vërtetë një vatër e ngrohtë për krijues e dashamirës të artit. Lokali quhet CIAK, si ajo aparatura e thjeshtë që lëshon tingullin e fillimit të xhirimeve në planet e filmave. Çdo gjë është ndërtuar me shumë shije dhe art, në dy kate. Shkallët për në katin e dytë janë një tastierë e madhe pianoje. Tavanet të zbukuruara me copëza shiritash filmi me kuadro nga filma të ndryshëm shqiptarë, llampadarët lëshojnë dritë nëpërmjet disa bobina filmash. Një faqe muri e tëra është zënë nga një fotografi shumë e bukur e shkrimtarit dhe kineasti të njohur Vath Koreshi. Një homazh i veçantë për shkrimtarin tonë të paharruar. Mësoj se Iliri është dhëndrri i tij. Ai dhe bashkëshortja na u vunë në dispozicion për takimin dhe bënë gjithçka që ai të shkonte sa më mirë. Madje vunë edhe pishtarë jashtë në hyrje për të krijuar një atmosferë sa më të bukur, të ngrohtë e mikpritëse.

Ditën që do të bëhej takimi, pak para fillimit të tij, zura vend diku tek rruga e Elbasanit për t’i orientuar miqtë drejt lokalit, pasi shumë prej tyre nuk e dinin. Ishte kenaqësi tek i takoja një nga një apo në grupe. Demir Gjergji m’u ndalua përpara këmbëve me një biçikletë, si një djalosh energjik. Më takoi shpejt e shpejt e iku drejt lokalit. Ndërsa po takoja Drita Lushin, që vinte që nga Librazhdi dhe sapo zbriti nga taksia, nga një drejtim tjetër më dalin Miho Gjini e Grigor Jovani që kishin marrë rrugën që nga Athina. Më tej takojmë Dilaver Baxhakun e Murat Gecajn. Pastaj Enkelejda Ristanin e Aqif Hysën. Ngjitem lart për të parë gjendjen e lokalit, që është përgatitur tamam si për ditë feste. Tek banaku, me një gotë verë në dorë qëndron Rakela Yzeiri (Zoga), e cila ka ardhur e para, edhe pse ka mbërritur që nga Selaniku. E bukur, e veshur hijshëm, shumë ekspresive në të folur, më takon si të njiheshim prej vitesh.

Lokali fillon e mbushet dalëngadalë. Ndër të parët vijnë shkrimtarët e mirënjohur të letërsisë sonë, Nasho Jorgaqi e Pëllumb Kulla. Dashamirës ndaj më të rinjve, ata krijojnë atmosferë me praninë dhe fjalën e tyre të ngrohtë për secilin.

Ja tek vijnë ish shoku i gjimnazit, inxhinieri dhe poeti Dedë Shkurti, shokët e fakultetit, Kolec Traboini, Rudina Kurti (Lohja), Kleo Lati, Ilia Dede, Thanas Tane, Enrieta Sina. Më tej gazetaret Rezarta Reçi (Rexhepi), mike e viteve të rinisë në Shkodër dhe Sevim Arbana. Ilir Magjistari është i zënë me fotografime e do ishte i pari që do publikonte fotot nga ai takim.
Kë të takoj e të përqafoj më parë?

Takimi hapet pa bujë, natyrshëm. Iskra flet dy fjalë për të përshëndetur pjesëmarrësit që janë më të shumtë nga sa kishim parashikuar e kjo na jep një kënaqësi të veçantë. Pastaj, siç ndodh në kokteje, krijuesit kalojnë nga një tavolinë në tjetrën me një gotë pije në dorë. Përshëndeten, shkëmbejnë libra, firmosin autografe. Në një farë mënyre takimi shndërrohet në një promovim kolektiv librash. Vërej që edhe pse jetojnë në Tiranë, shumë prej tyre mbase kanë vite pa u takuar. Botuesi Roland Lushi shikon e buzëqesh, takon shumë prej tyre, që i ka edhe autorë të dalë nga shtëpia e tij botuese.

Edhe unë kaloj nga një tavolinë në tjetrën, duke takuar gotën me miqtë pjesëmarrës. Përqafohemi me Mihallaq Qillerin, me të cilin nuk shihemi që në premierën e dramës sime “Jetë e dashuri”, shkruar mbi motivet e romanit të tij dhe vënë në skenë nga teatri “Migjeni” në Shkodër. Ana Kove ka ardhur që nga Pogradeci e më sjell mallin për atë qytet piktoresk, Rozafa Shpuza më sjell pak atmosferë Shkodre dhe kujtimin e prindërve të saj që i kam patur miq, Majlinda Nana Rama, me një buzëqeshje elegante më dhuron romanin e saj “Perandorët”, që ka patur një jehonë të mirë tek lexuesit. Bujar Rama vëllimin “Nxito, Amarantë”.

Do të shkëmbeja libra me pjesën më të madhe të pjesëmarrësve. Madje edhe librin “Magjitë e mbrëmjes” të bashkëshortes sime, Zhaneta, që nuk ishte e pranishme. Një pjesë e tyre morën edhe librin “Pena të gazetarisë shqiptare në diasporë”, që e kishte dërguar me përkujdesjen e saj shkrimtarja dhe gazetarja Albana Lifschin, drejtuese e klubit të gazetarëve me qendër në Nju Jork. Grigor Jovani shperndante revisten “Pegasi”

Ndërsa përshëndetemi e shkëmbejmë libra apo bëjmë foto, Petriti, me mikrofon në dorë i afrohet një kolone të lokalit. Aty, në formën e një papirusi është afishuar poezia e tij e njohur për gruan dhe fillon ta recitojë. Pas kësaj mikrofoni do kalonte spontanisht dorë më dorë dhe recitimet do i jepnin bukuri atmosferës së krijuar.

Dodona Qose kërkon një muzikë për vallëzim e fton të tjerët të ngrihen të kërcejnë. Ngrihet Rakela, pas saj, e takimi merr formën e një mbrëmjeje të ngrohtë letrare e argëtuese.
Diku është ulur edhe një krijuese, e cila, kur u ngjit për në lokal ishte e ulur mbi karrocë me rrota, për shkak të problemeve të saj fizike. Më bëri përshtypje që në fillim buzëqeshja e saj, fytyra diellore, qëndrimi mes kolegësh si e barabartë. Ishte Adivie Hoxha dhe vinte që nga Durrësi. E shoqëronte vëllai i saj, Beni, të cilin ajo e prezanton me dashuri:-Ky ështe heroi im.
Padyshim, një vëlla që i përkushtohet me aq stoicizëm e dashuri motrës me aftësi të kufizuara fizike është njëfarë heroi e meriton përgëzime. Adivia më dhuroj 4 vëllimet e saj poetike.

Në bisedë me të mësova se ajo është sëmurë që në klasën e pestë e që atëherë nuk ka mundur më të shkojë në shkollë. Por nuk ka hequr kurrë dorë së mësuari. Bisedojmë për shkrimtarë e poetë nga vendi e nga bota dhe ajo i ka lexuar të gjithë, në mënyrë autodidakte ka mësuar edhe fizikë e astronomi, ajo flet e shkruan në mënyre korekte italisht, madje kishte provuar të mësonte edhe rusisht nga dashuria që kishte për Eseninin. E, tek mësoja këto, mendova se heroina e vërtetë qëndronte në karrocë, por edhe i vëllai meriton padyshim komplimente.

Në fund të takimit, Iskra solli një tortë të madhe. Djali i saj, Gridi, ka ditëlindjen. Prindërit kanë vendosur ta festojnë këtë event bashkë me krijuesit letrarë. Sepse edhe ai është krijues, por në fushën shkencore dhe me rezultatet e tij në Itali është nga ata të rinj që përfaqësojnë sot elitën e re intelektuale në mërgim. E pjesëmarrësit i këndojnë sëbashku “Shumë urime për Ty” e ngrenë dolli për pjesëmarrësin më të ri në takim.

Atë mbrëmje takova edhe krijues që i njohja për herë të parë. Të me falin ata që nuk arrita t’i përmend këtu. Prania e secilit prej tyre më dha një kënaqësi të madhe.
Edhe pse në njëfarë ore krijuesit filluan të largohen, një pjesë ndenji deri në ora dhjetë të darkës. Por atmosfera e asaj mbrëmjeje do vazhdonte edhe në ditët që pasuan.
Të nesërmen Petriti më telefonon e më thotë: Të presim me Mihon, Grigorin, Dilaverin e Qazim Muskën tek kafe “Europa”.

Vajta me shumë dëshirë. Një takim i shkurtër në këmbë me poetët Xhevahir Spahiu e Vasil Dede, pastaj Qazimi me makinën e tij na çon në një lokal në periferi, tek “Serenata korçare”. Poetët edhe lokalet ku venë i zgjedhin me emra arti. Ishin momente të paharrueshme midis miqsh e kolegësh dhe u kujtuam për orën vetëm kur Miho e Grigori duhej të ngriheshin për të marrë autobuzin e kthimit për në Athinë.

Një drekë me poeten Lumturi Ymeri dhe vajzën e saj Bersa në lokalin “Juvenilia” afër Universitetit ka ngrohtësinë e bisedës midis kolegësh, por edhe të miqësisë së konsoliduar familjare.

Demir Gjergji më fton për një intervistë në Radio Tirana për emisionin “Vatra”, aty takoj edhe gazetaren Afërdita Selimi, shoqe e fakultetit e pastaj takohemi si miq te vjetër edhe me drejtorin, poetin e mirënjohur Jaho Margjekaj. Pa dalë mirë prej aty më telefonojnë botuesi Jani Malo dhe miku i hershëm Kleo Lati.-Po të presim tek ish-vila e Enverit…

Hyj në atë që dikur quhej blloku. Por nuk ka mbetur asgjë prej tij, sepse është mbushur me pallate e me lokale të panumurta. Që është hapur blloku është padyshim diçka pozitive. Po a nuk mund të ruhej ai oaz i gjelbër, të mbahej stili i arkitekturës së ndërtimeve, të ishte një vend çlodhës për të moshuar e argëtues për fëmijë? Vila e Enverit, prapa krahëve tanë…Vilë i thënçin. Se kur mendon vilat shumëkatëshe e pallatet e panumërta që kanë ngritur politikanët e sotëm e sejmenët e tyre biznesmenë, ajo vilë të ngjan me një vatër kulture fshati. Por vetvetiu të lind pyetja: – Mirë u bë që u ça blloku komunist, mirë që u dënuan për kafetë e privilegjet e tyre ish-shtetarët komunistë (çuditërisht askush nuk u dënua për krime në kurriz të njerëzve të pafajshëm), po kur do të merren në shqyrtim privilegjet e kastës së re politike, blloku i ri me metastazat e miniblloqeve të shtrira anembanë vendit, madje edhe jashtë kufijve?

* * *

Vjeshta sundon sovrane mbi Tiranë. Poezia e stinës u bashkua me poezinë që më falën takimet e shumta me miq e kolegë. Është mbresa më e bukur që marr me vete në largim nga kaosi kryeqytetas drejt aeroportit të Rinasit.