Nga Mero Baze
Me mijëra shqiptarë e kanë të lehtë të verifikojnë këtë që po them. Nëse u bie rruga për në Vlorë, duke shkuar drejt Tunelit të Ujit të Ftohtë, në krahun tuaj të djathtë përmbi ujë do të shikoni një kantier ndërtimi rrethuar me llamarinë, në të cilën po ndërtohet një qytet i tërë në det. Vlora, qyteti thuajse më i shpëtuar nga ndërtimet e paligjshme dhe nga skandalet urbane, falë korrektësisë së autoriteteve lokale, ka lejuar nën presionin e hapur politik një ndërtim mbi ujë, që i hap rrugën shkatërrimit të bregdetit të vetëm që ka ngelur pa u shkatërruar në Shqipëri.
Leja e ndërtimit është e vjehrrit të Lulëzim Bashës, ndërsa njeriu që është marrë direkt me përfitimin e paligjshëm të tokës mbi det dhe lejes së ndërtimit është Lulëzim Basha. I vjehrri i tij me origjinë nga një fshat i thellë i Kurveleshit, dhe me lidhje familjare me ish- bosin e firmës piramidale Vefa, është shfaqur pronar i detit, thuajse ka lindur dhe rritur disa breza si peshkatarë në Ujë të Ftohtë. Gazeta Tema ka të plotë dosjen e lejes së paligjshme të ndërtimit të këtij blloku ndërtimesh mbi ujë në rrugën më të bukur turistike të Shqipërisë dhe ky skandal i përket Lulëzim Bashës.
Autoritetet lokale të Vlorës, konkretisht kryetari i Bashkisë apo urbanistika duhet të kenë së pari kurajo publike të shpjegohen në rrethanat në të cilat kanë firmosur këtë leje kriminale për “Njeriun e Dytë” pas Sali Berishës. Firmosja e lejes koinçidon me bllokimin e buxhetit të Bashkisë së Vlorës nga këshilltarët e PD, plus LSI, dhe pas firmosjes së lejes, buxheti është zhbllokuar. Nëse Lulëzim Basha ka përdorur dhe votat e këshilltarëve të djathtë dhe të LSI për të bllokuar investimet në qytetin bregdetar vetëm që t’i lejohej investimi i tij kriminal mbi det, atëherë jemi në një situatë edhe më të rëndë se ndërtimi kriminal, pasi jemi para skemës së ndërtimit të një pushteti tërësisht personal dhe antiligjor.
Sidoqoftë, për arsyet që kanë detyruar Bashkinë të japë këtë leje mund të flasë vetë Bashkia. Ata që duhet të flasin tani për shqiptarët janë Sali Berisha, Lulëzim Basha dhe Sokol Olldashi. I pari, i cili ka mbushur gjirin e Dhërmiut me gurë vetëm që t’i prekin këmbët në tokë ngaqë s’di not për të thyer rekordet qesharake që vendos vetë, duhet të sqarojë publikisht si kryetar i KRRTRSH së Republikës se në çfarë dispozita ligjore lejohet ndërtimi mbi det në bregdetin e Vlorës për familjen e Lulëzim Bashës. Ai që ka shkuar t’u prishë shtëpitë fshatarëve të Hamallajt për të ndërtuar vajza e vet apo shtëpitë e banorëve të Ksamilit për t’i hapur perspektivë bizneseve të Familjes së tij atje, duhet të shpjegojë se në ç’rrethana lejon një skandal të tillë urbanistik për një ministër të tij, tani kryetar të Bashkisë së Kryeqytetit.
Kryeministri duhet jo vetëm të shprehet, por dhe të veprojë për këtë rast qoftë dhe duke ndëshkuar autoritetet që kanë dhënë lejen. Por duhet të reagojë për të treguar se ky nuk është një nga dhjetëra biznese të Familjes së tij, ku Luli me sa duket nuk ka asgjë për të ndarë me fëmijët e vet. Për fat ai është në Dhërmi dhe kur të kthehet me helikopter për të ngrënë Iftarin që shtron me hipokrizi djali apo vajza, mund ta shikojë dhe ndërtimin që bën një pjesëtar i bandës së tyre në rrugën më turistike të Shqipërisë.
I dyti që duhet të shpjegohet, por dhe të veprojë është Lulëzim Basha. Ai jo vetëm që duhet të kërkojë ndjesë për presionin politik që ka ushtruar për të ndërtuar kompleksin e tij turistik në det, por duhet të veprojë si një kryetar bashkie në detyrë, duke i kërkuar kolegut të tij Gjika anulimin e lejes dhe nënshkrimin e një moratoriumi siç ka premtuar për mosdhënie lejesh ndërtimi pa plan urbanistik, dhe sidomos 100 metra afër bregut siç e ka legjislacioni shqiptar. E di që po kërkoj shumë nga një kryebashkiak i pafytyrë që ndërroi premtimin e tij kryesor të fushatës qysh ditën e parë si pushtues i zyrës së kryetarit të Bashkisë, por jam i detyruar t’ia kujtoj detyrën që ka ndaj shoqërisë.
Është dhe një person i tretë që nuk duhet të flasë, nuk duhet të shpjegohet, por duhet të veprojë. Ministri i Transportit dhe Rregullimit të Territorit, Sokol Olldashi, ka kompetencë ekskluzive si Ministër për vijën bregdetare dhe ndërtimet e kundërligjshme atje. Ai thjesht duhet të marrë fadromat dhe të shkojë vetë t’i prijë skuadrës që duhet të pastrojë urgjent atë çiban që po mbin buzë rrugës së Ujit të Ftohtë në Vlorë. Me këtë rast ka dhe shans të përgënjeshtrojë se nuk ka bërë ndonjë pakt me Lulëzim Bashën për ta mbajtur si çirak pas tij në parti. Por mbi të gjitha ka rast të tregojë se ky shtet nuk është privatizuar përfundimisht nga Gita, Zeni, Kunati dhe vjehrri i Lulit.
Ndërtimi i nisur në rrugën para Tunelit të Ujit të Ftohtë në Vlorë është tronditës, pasi ai po vret frikën për ta kthyer bregdetin e Vlorës në një Golem të dytë dhe për të shkatërruar çdo shpresë për të ardhmen turistike të Shqipërisë, e cila nuk ka arsye të përkojë me moshën e pushtetit të Sali Berishës. Nëse këta tre njerëz nuk veprojnë, nëse Sali Berisha bën sikur nuk e shikon ç’po bën djali i tij shpirtëror, nëse Basha nuk denjon të japë shembullin e tërheqjes nga krimi dhe nëse Olldashi nuk guxon t’i prekë dhe një fije floku kësaj bande, atëherë qytetarët e Vlorës duhet ta zgjidhin vetë këtë problem.
Ambientalistët e Vlorës, që kanë protestuar ndaj Petroliferës dhe planit shkatërrues të Berishës për qytetin kanë rastin të ndalin me duart e tyre këtë masakër që mund të jetë fillimi i fundit të bregdetit të tyre, pas së cilës vështirë që dikush të mund të shikojë detin ndërsa ecën në buzë të tij. Dhe e gjitha kjo bëhet që Lulëzim Basha të pasurohet në emër të vjehrrit të tij, dhe atij tjetrit, Sali Berishës, që po i bën pajë bregdetin shqiptar të Vlorës.