Vizioni i fundit i piramidave

0
67

Nga Mero Baze, 25 Nëntor 2011

Sot kryeministri Berisha do të jetë në të dalë të Saukut në përurimin e një qendre të madhe tregtare. Një biznes i tillë i madh duhet të jetë gjithmonë një lajm i mirë, sidomos për shoqëri të varfra si e jona me një nivel papunësie rekord dhe nivel të pamenaxhueshëm më të korrupsionit në administratën publike. Duhet të jetë lajm i mirë mes të tjerash edhe pse investime të tilla shikohen gjerësisht si shenja të zhvillimit të vendit dhe fuqisë së tij reale ekonomike. Për mua që jam dhe një simpatizant i “Carrefour”, është dhe një lajm më shumë pozitiv, pasi supermarketin që e kërkoja në çdo rrugë që bëja në Perëndim tani e kam shumë afër shtëpisë në Tiranë.

Por a njoftojnë vërtet kohë të mira daullet e festës që ka nisur nga Sauku?

Kam frikë se jo. Mu kujtua viti 1997 kur piramidat po binin një nga një dhe pronari i piramidës së parë financiare në Shqipëri, Hajdin Sejdia, bëri një gjest që i hutoi të gjithë, u dërgoi katër milionë dollarë kreditorëve të tij shpresëhumbur, bash në kulmin e shkatërrimit të çdo shprese për shqiptarët që kishin humbur lekët. Dhe pati një ringjallje të shpresës se dhe lekët e piramidave të tjera do të merreshin. Mu kujtua kjo skenë ndërsa shikoja përgatitjet dhe tamtamet për hapjen e një qendre të re tregtare, ndërkohë që simotrat e saj po japin shpirt. Dhe njeriu që po u jep shpresë është për koincidence dhe ndërtuesi i qendrës së parë tregtare në Shqipëri.

Së pari, se lajmi për hapjen e një qendre të re tregtare po shoqërohet me lajmin e falimentimit thuajse të gjithë qendrave tregtare hapur dy- tri vitet e fundit në pjesën perëndimore të Tiranës. Praktiker-i, hipermarketi i famshëm gjerman rezistoi dy vjet me humbje dhe u dorëzua. Reuters njoftoi dje se po mbyllet. City Park, të cilin Berisha e përuroi dy vjet më parë me bujë duke i bërë sfidë në fjalimin e tij patologjik për sukseset ekonomike krizës botërore, ka kaluar thuajse nën administrimin e bankave për shkak të pamundësisë për të qëndruar në këmbë. Casa Italia, një qendër modeste tregtare dhe me disa dyqane simpatike si Jysk, Prealpina apo Trony, po zhbëhet duke i ikur së paku dyqani më perëndimor që kishte Jysk dhe Trony, dhe duke vënë në pikëpyetje mbijetesën e saj.

Megatek, një sipërmarrje megalomane e njerëzve të pushtetit që s’dinë ku të çojnë paratë, është kthyer në një fushë të braktisur ku parkohen vetëm makinat e personelit. Këto janë shenja se Shqipëria dhe ekonomia e saj e dobët, nuk ka fuqi blerëse dhe nuk përballon dot falsitetin e “bumit” ekonomik, që reflektohet në politikën zyrtare dhe konkretizohet në investime pa vizion nga biznesmenë që para se të pyesin ekspertët, besojnë broçkullat e politikanëve, të cilëve u rrinë gjithë ditën nga pas.

Por mbi të gjitha kryeshenja pse fuqia jonë ekonomike nuk përballon dot rrjete të tilla është mungesa në tregun tonë e një prej dyqaneve më të famshme në botë për popullsinë me të ardhura modeste, IKEA suedeze, e cila ka ardhur deri në kufijtë e Shqipërisë, në Selanik apo Janinë, por jo në Shqipëri. Arsyeja është GDP e ulët që reflektohet tek paga mesatare skandaloze e shqiptarëve.

Arsyeja e dytë përse ne nuk jemi para një lajmi të mirë, është edhe më i keq. Investitorët e këtyre rrjeteve nuk janë biznesmenë që kanë arritur fuqi investuese nga konkurrenca apo liria ekonomike, por nga lidhjet politike. Duke përdorur politikën dhe pushtetin si trampolinë për tu bërë të preferuarit e biznesit në Shqipëri, ata kanë përballuar një plan jo real investimesh. Dhe kjo është një gjë që duhet mbajtur shënim. Nëse një biznesmeni që qeveria nuk e ka qejf, shkon i pret dritat, i mbyll rrugën, i vë policë tek dera, apo ia rrethon truallin me policë, ndërsa një tjetri i çon autostradën, rrugën, ujin, dritat me paratë e buxhetit, atëherë jemi jo vetëm para një investitori fals, por dhe një investitori të rrezikuar në të ardhmen.

Kapja e shtetit nga biznesmenë që rrinë gjithë ditën me familjen e kryeministrit, u ka sjellë atyre përfitime të tërthorta që kalojnë dhjetëra miliona euro. Në rastin konkret, të gjithë jemi dëshmitarë se Sali Berisha devijoi projektin e rrugës kombëtare Tiranë-Elbasan, në funksion të kësaj qendre tregtare dhe nuk është se deri këtu ka bërë ndonjë krim. Po të kishte këtë vullnet për çdo biznes në Shqipëri, ku vajza e tij nuk është avokate, nuk do t’ia kishim marrë për të madhe. Por nëse njërit i vë zjarrin dhe hekurat në derë dhe tjetrit i çon milionat tona në derë të shtëpisë, atëherë jo vetëm që jemi në një vend ku liria ekonomike është asgjësuar, por kemi prodhuar dhe një skemë të rrezikshme për investimin afatgjatë, pasi investime të tilla mund ta pësojnë nga ndryshimet politike në të ardhmen.

Pra, ne nuk jemi përballë një milioneri që quhet Zamir Mane dhe është bërë i tillë në kushte të barabarta më të tjerët. Jo. Ai njeri nuk është kurrë në krye të punëve të veta, por është gjithmonë në krye të tavolinave ku rri Ministri i Financës, ku rri kryeministri apo kryetari i Bashkësie së Tiranës. Rri me ta dhe nuk i bën vetëm ndere vetes, por dhe dëm rivalëve të tij duke përdorur pushtetin politik. Si i tillë nuk më ngjall xhelozi, por pasiguri për të ardhmen e biznesit të tij. I gjithë ky vend është një fshat i vogël me 4 milionë njerëz, dhe njerëzit mbajnë mend gjithçka. Sidomos ata që e kanë pësuar për tu ngjitur lart dhe për të zaptuar gjithçka, kjo eskortë biznesmenësh.

Në këtë këndvështrim, nuk është ndonjë gjë e keqe pse këta kanë bërë shumë pare duke përdorur pushtetin dhe hapin qendra të mëdha tregtare, por është gjë e keqe se euforia e lehtësisë me të cilën bëjnë këto pare, dhe euforia me të cilën përdorin shtetin që kanë kapur, nuk i çon përjetësisht drejt suksesit. Suksesi i tyre si tregtarë bazohet tek fuqia blerëse e shqiptarëve, tek pasurimi i shqiptarëve të varfër dhe rritja e mirëqenies së tyre. Kapja e pushtetit nga 4-5 palo biznesmenë që rrinë gjithë ditën pas b… së Ridvan Bodes dhe Sali Berishës, nuk i bën shqiptarët të pasur, përkundrazi nxit korrupsionin dhe rrënon më tej ekonominë e këtij vendi, duke i bërë blerësit e tyre të pafuqishëm për t’ia mbajtur gjallë perandorinë e biznesit.

Biznesmenë të fortë janë ata që prodhohen nga liria ekonomike dhe konkurrenca e lirë. Këta janë biznesmenë të paaftë pasi janë biznesmenë të emëruar. Mund të jenë të aftë për marifete financiare apo evazion fiskal, por jo për të prodhuar skema suksesi ekonomik. Në një farë mënyre ata janë duke prerë degën ku kanë hipur bashkë me njerëzit e pushtetit, pasi kur e kanë nisur atë biznes, kanë llogaritur pikërisht përfitimet që kanë nga pushteti dhe jo fuqinë blerëse të shqiptarëve.

Dhe së fundmi desha të shtoj dhe një lajm të keq që nuk ka të bëjë vetëm me inaugurimin e radhës dhe fishekzjarrët në Sauk, por me gjithë krizën ku ka futur vizioni spontan ekonomik i kryeministrit biznesin shqiptar. Deri në vitin 2007 kam njohur shumë biznesmenë milionerë në Shqipëri. Të majtë apo të djathtë, të angazhuar apo indiferentë, ata kishin pare dhe dëshirë për t’i investuar në këtë vend. Ku ua çoi paret qeveria?

Euforia donkishoteske e Sali Berishës për Shqipërinë destinacion turistik, dhe njëkohësisht destinacion për prodhim çimentosh, euforia për superfuqi energjetike të pastër dhe njëkohësisht importues plehrash, ka bërë qe sot të shikoj biznesmenë që kanë blerë hektarë të tërë me toka në bregdet apo licenca hidrocentralesh, pika betonesh, leje pallatesh dhe që nuk paguajnë dot më këstet e kredive që kanë marrë. Vizioni ekonomik i kësaj qeverie, klientelizmi i saj, dhe mbi të gjitha të bërit politikë me vizione të paqëndrueshme ekonomike dhe shpesh kundërvepruese ndaj njëra- tjetrës, ka bërë që sot fuqitë investuese të shumë biznesmenëve të shkojnë në drejtim të gabuar, duke u investuar pa zhvilluar vendin, por shpesh duke i bërë keq investimit të tyre.

Mijëra apartamente të pa shitura në bregdetin shqiptar nga Durrësi në Sarandë, qindra hektarë tokë të blera nga pronarë realë dhe fallco në bregdet, tullumbacet për hidrocentralet përrua më përrua, që biznesmenëve u kanë kushtuar më shumë letrat se sa do tu kushtojë çimentoja, zhvillimi kaotik i vendit kundër turizmit dhe bujqësisë, që janë prije natyrale të saj, ka bërë që të asgjësohet fuqia reale investuese e biznesit në Shqipëri dhe të lulëzojnë disa biznesmenë që përbëjnë eskortën politike të kryeministrit, para të cilëve ai ka nevojë të mbajë fjalimin e radhës për suksesin ekonomik. Këta biznesmenë sot i shikoj duke marrë lek me fajde fshehurazi, dikush me shpresë se biznesi do të ringrihet, kurse këta që bëjnë qendra tregtare duke treguar fotografitë me Berishën. Kjo është e vërteta e hidhur e “mrekullisë shqiptare”, të cilën Sali Berisha nuk ka fuqi ta shikojë në sy.

Nëse do të kishte, ai sot duhet të ishte tek Praktiker-i, tek City Park-u, tek Casa Italia, bile dhe tek Megateku që ka shkaktuar sherre mes Fazlliçit dhe Bashës, për të parë se në çfare rrugë qorre i ka futur bizneset në Shqipëri, njësoj si lekët e qytetarëve me piramidat në vitin 1996. Kjo është në të vërtetë e vetmja gjë që ky njeri di të bëjë mirë. Të prodhojë iluzione të mrekullisë ekonomike përmes piramidave financiare dhe atyre të investimeve dhe të ikë duke lënë një tokë të djegur pas. Sa më gjatë, aq më të madhe ka për ta bërë gropën në ekonominë shqiptare.