Vizat, një mundësi, por jo një zgjidhje

0
26


Preç Zogaj, 14.10.2010

Ditën kur shqiptari i parë të shkelë pa vizë në tokën e Italisë, Greqisë apo të ndonjë vendi tjetër të hapësirës “Shengen”, ia vlen t’u biem kambanave, të hedhim fishekzjarrë, të bëjmë festë me të gjitha mënyrat e larmishme të festimit tradicional dhe modern.

Do të jetë vërtet një ditë e madhe, që do të na bashkojë me qytetarët e Ballkanit dhe Evropës në planin e të drejtave.

Do të jetë fundi i një kalvari pothuajse shekullor, që i ka parë shqiptarët të mbyllur në gulagun e regjimit komunist, pastaj në eksodet e tyre biblike drejt Perëndimit, pastaj në radhët e gjata e të pambaruara përpara konsullatave, apo duke ikur ilegalisht, me kokë në torbë, dy nga dy e dhjetë nga dhjetë, përmes detit dhe tokës.

Kjo histori e pashembullt meriton të kujtohet pikërisht në ditën e saj të fundit, që është njëkohësisht dita e parë e historisë së re të lëvizjes së lirë.

Do të jetë rasti për të kujtuar me një minutë heshtje të gjithë ata që kanë humbur jetën në përpjekjen e tyre të dëshpëruar për të shkelur një orë e më parë në botën e lirë, në vendet e shpresës dhe mundësive. Kemi humbur njerëz në tokë, por më shumë kemi humbur në det. Nuk besoj se ka një popull tjetër që ka paguar aq shtrenjtë për lëvizjen e lirë.

Ne kujtojmë të vdekurit dhe është e drejtë të kujtohen ata që nuk mund të kthehen më, por nuk mund të harrohen ata mijëra e mijëra shqiptarë që ia dolën të kaptonin malet dhe detet, që sfiduan pengesat dhe rregullat me të drejtën e njerëzve të lirë që nuk mund të mbahen pengje të tiranisë apo varfërisë. Ata janë shumica dërmuese e emigrantëve tanë të fillimit dhe vazhdimit.

Janë Shqipëria që punon në Greqi, në Itali, në Gjermani e deri tutje në Australinë e largët. Ata nderuan mikpritjen e këtyre vendeve dhe merituan respektin e qeverive dhe qytetarëve atje.

Ata ishin pararoja e shqiptarëve që do të shkojnë së shpejti pa viza në Evropë. Edhe pse nuk thuhet, ata janë garancia se lëvizja e lirë e shqiptarëve nuk do të prodhojë geto apo bidonvile në periferi të qyteteve të Evropës, siç ka ndodhur me qytetarët e ndonjë vendi tjetër.

Vitet e fundit ka pasur një lehtësim të regjimit të vizave për disa grupe shoqërore. Ka ardhur duke u pakësuar numri i njerëzve që e kishin “mollë të ndaluar” udhëtimin në Greqi, Itali e gjetkë.

Megjithatë, heqja fare e vizave është përtej çdo lehtësimi dhe krijon një realitet të ri psikologjik në raportet e qytetarit shqiptar me Evropën. Ai shkon atje gati-gati si në shtëpinë e vet, pa qenë nevoja të marrë leje. Prindërit që do të duan të vizitojnë fëmijët dhe apo të afërmit e tyre emigrantë janë kategoria që përfitojnë më shumë. Të gjithë përfitojnë.

Por, ata që do të shkojnë tani e tutje pa viza, nuk do të rrethohen me bujarinë dhe tolerancën që ka rrethuar shpeshherë ata që kanë ikur me parë me viza ose si klandestinë. Duket si paradoksale, por kështu është.

Në prag të heqjes së vizave, qeveria, mediat, shoqëria civile janë ftuar të sqarojnë opinionin publik për rregullat strikte që duhen respektuar nga çdo individ.

Fushata sqaruese ka nisur. Ajo do të bëhet akoma më intensive, paralel me rritjen e perceptimit sikur numri i shqiptarëve që po e presin këtë ditë për t’ia mbathur nga vendi i tyre është shumë i madh.

Koha e qëndrimit pa vizë në hapësirën Shengen nuk duhet të kalojë nëntëdhjetë ditët. Përtej këtij afati fillojnë sanksionet! Afati është një prej kufizimeve kryesore, që tani po shqiptohet me zë të fortë edhe nga përfaqësuesit e qeverisë.

Qeveria është në pararojë të sqarimit jo vetën se e ka për detyrë, por ajo e ka të qartë se një vërshim masiv i shqiptarëve drejt Evropës do të griste vellon e propagandës sikur Shqipëria është një kopsht me lule dhe do ta padiste këtë qeveri në sytë e perëndimorëve me keq se sa do ta padiste shtyrja e vizave në sytë e shqiptarëve.

Sqarimet po e shfryjnë retorikën e deritanishme për heqjen e vizave. Është një ngjarje, por nuk është shpëtimi.

Ka shijen e një suksesi, por jo të një triumfi. Është një e drejtë, është një mundësi, por nuk është një zgjidhje. Pavarësisht nga sqarimet dhe paralajmërimet, shqiptarët do të provojnë të nxjerrin maksimumin nga heqja e vizave, pa e rrezikuar atë si arritje. Liberalizmi i vizave pas njëzet vjetëve duhej të kishte ardhur si një farë luksi për bashkatdhetarët tanë , – më shkruante këto ditë një miku im shqiptar me banim në SHBA.

Na pëlqen apo jo, liberalizmi po vjen në një ditë tjetër të vështirë për ta, kur mundësitë për punë dhe punësim janë reduktuar shumë dhe perspektiva e zgjedhjeve të lira e të ndershme duket sërish e rrezikuar.

Rënia drastike e investimeve të brendshme dhe të huaja gjatë këtij viti ka penalizuar mijëra njerëz që kishin një punë por e kanë humbur. Mijëra të tjerë, që kanë arritur ndërkohë moshën e punës, nuk kanë ku të trokasin.

(Sa për saktësim, në lidhje me investimet e huaja, kryeministri Berisha ishte korrekt kur i thoshte intervistuesit të tij të revistës “Forbes” se Shqipëria kishte rreth 6 miliard dollarë investime të huaja në kontratë, por “Forbes” “nuk e kishte mendjen”; i merrte këto miliarda sikur po investoheshin përnjëmend në parqe energjetike, në hidrocentrale të vegjël, në zona ekonomike, kur në fakt këto investime aktualisht janë vetëm në letër).

Për këta njerëz pa shpresë, heqja e vizave vjen si një shkelje e re syri nga matanë kufirit. Shumë prej tyre do të provojnë të gjejnë punë brenda afatit nëntëdhjetë ditor të qëndrimit jashtë vendit. Disa do t’ia dalin, të tjerët do të kthehen për të provuar shansin një herë tjetër.

Në këtë “ik e eja” do të kuptohet përfundimisht se liberalizimi i vizave është një mundësi, por jo një zgjidhje në kuptimin e plotë të fjalës. Zgjidhja e vërtetë për shqiptarët është në një Shqipëri të zhvilluar. Askund tjetër.

Lëvizja e lirë ka një të mirë tjetër të madhe, sepse heq nga tapeti i temave të konfliktit politik një çështje e cila është përdorur e përdoret për të mbuluar paaftësinë e elitës politike për të propozuar e vënë në jetë zgjidhje e programe të reja zhvillimi.

Shumë të ashtuquajtur politikanë e politikane, që nuk dinë të bëjnë gjë tjetër veçse të akuzojnë njëri-tjetrin, do të mbesin si “peshku pa ujë” kur Evropa të hapë përfundimisht dritën jeshile për shqiptarët.

Ky do të jetë momenti kur duhet të ndihen e ndoshta do të ndihen me fort ata që kanë ide, zgjidhje dhe projekte për të zgjuar nga letargjia dhe gjumi i thellë resurset e mëdha të Shqipërisë.