VITORE STEFA-LEKA: JU QUAJ VËLLEZËR, MË THËRRISNI MOTËR!…

0
25

…Ma jepni besën, t’u jap unë dorën!/ Në shpirt të bëhemi edhe më të mirë,/ ta ndezim dritën, ku kemi errësirë!/ Dhe tokës sonë, me dhimbje mbuluar,/ t’i mbretërojë e mira,/ Paqe bekuar!

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë

1. Është folur e shkuar kaq shumë për ty, Vitore, sa më duket që vështirë të themi ndonjë gjë të re, në këtë bisedë tonën modeste. Megjithatë, nuk mund ta anashkaloj një krjuese dhe veprimtare të tillë të nderuar, siç je ti, pa publikuar diçka për lexuesit tanë…Kështu, mendoj ta nisim me ato cilësime, tashmë të njohura, që janë bërë për ty: “Nënë Tereza e Triestës”, “Mbretëresha e Diasporës Shqiptare”, “Legjenda e gjallë e shqiptarizmit”, “Nëna e të gjithëve”. Ndërsa nga ushtarët e UÇK-së je cilësuar Nanaloke (ëëë.na-loke.com). Pra, pse mendon që janë shprehur kështu dashamirësit tu?

-Së pari, është kënaqësi që po bisedojmë bashkë, pas disa takimeve të mëparshme në kryeqytetin tonë Tiranë, si në përurime librash ose në shoqëri me kolegë e miq të tjerë. Ndërsa për ato, që kanë shkruar e kanë folur miq e dashamirë ne Atdhe ose në diasporën shqiptare, pra nëpër botë, ndjehem tepër e vlerësuar, e privilegjuar dhe i falënderoj përzemërsisht, të gjithë ata. Por, mendoj me vete, vallë, a i meritoj gjithë ato mirënjohje e falënderime, që kam marrë, si dhe cilësime të tyre të sinqerta? Megjithatë, kështu më shtohet më tepër përgjegjësia dhe e ndiej se duhet që të jem gjithnjë dhe më e përkushtuar, si në krijimtarinë time modeste, por dhe në çdo veprimtari, në shërbim të bashkëkombësve të mi, të Atdheut e të gjitha trojeve shqiptare.

2. E frymëzuar nga jeta, ke shkruar e publikuar disa libra, në shqip dhe në gjuhë të huaja. Cila është përmbajtja kryesore e tyre dhe a ke ndonjë libër tjetër në proces botimi ose dorëshkrim?
-Një ndër kënaqësitë e mia shpirtërore ka qenë dhe është krijimtaria artistike.Poezia per mua ka qene dhe është “mbret” i shpirtit. Ashtu siç e thatë ju, kam shkruar e botuar disa libra në shqip, si në poezi e në prozë, por dhe në gjuhë të huaj. Jam ideatore dhe bashkautore në disa antologji, si “Mozaikë të një portreti”, “Metafora e arratisur”, “Trokitje në mur” e “Dashuria poetike”,”Kur e leshon zogu folenë” “Në sytë e nënave”, “Me zemer pranë Shqiperisë”etj., por dhe në botime italisht, si “Border crossing (Vecchi e nuovi intrighi attraver”, Trieste) dhe tregime e poezi të përkthyera, ku dhe kam marër çmim, në konkursin “Pensieri poetici”, si dhe perkthime tregimesh e poezish në gjuhën rumanishte.

Kur i sjell në kujtesë këta libra, nuk di se cilin të veçoj më parë prej tyre. Po çdonjëri nga ata ka brenda mendimet, ndjenjat e shpirtin tim. Më pyesni për tematikën e tyre…Po, shkurtimisht, ajo lidhet me tërë botën time shpirtërore, kushtuar vendlindjes, Atdheut tonë të dashur dhe të gjitha trojeve amtare. Veçanërisht, jam përpjekur të trajtoj tragjedinë dhe shpirtin liridashës të vëllezërve tanë kosovarë, në luftën e tyre titanike për liri e pavarësi.

Sigurisht, në poezi ose prozë, kam trajtuar edhe çështje të tjera, siç është trishtimi për emigracionin dhe malli i pashuar për trojet e të parëve, për traditat tona atdhetare e liridashëse etj. Por janë edhe mendimet e ndjenjat e natyrshme njerëzore, si dashuria për gjithçka kemi tonën në këtë botë. Sigurisht, nuk them se librat e mi janë “të përkryer”. Mund të shkruaja edhe më bukur e më mirë. Megjithatë, e falënderoj secilin nga kolegët e miqtë e mi, që është shprehur me fjalë dashamirëse për këto botime dhe për veprimtarinë time, në përgjithesi.
Në vazhdim të pyetjes suaj, shtoj këtu që kam dy romane, një jetëshkrimor (autobiografik), si dhe ndonjë libër tjetër në dorëshkrim, të cilët besoj do t’i botoj, por pa e zgjatur shumë këtë gjë. Se jeta e njeriut ecën me nxitim, më shpejt se sa e mendojmë ne!

3. Janë bërë shumë vlerësime për veprimtarinë tënde, botuese e humanitare, bile, kolegë e miq kanë shkruar poezi për ty. Ndërsa ti vetë je shprehur kaq bukur: “Ju quaj vëllezër, më thërrisni motër!”… Çfarë mendon për këtë gjë?
– E përmenda pak edhe më lart. Përveç krijimtarisë letrare, jam përfshirë në mjaft veprimtari shoqërore.Fillimisht, në “Lidhjen Shqiptare në botë”, themeluar nga binjakët Simon dhe Mikel Kuzhnini, që në vitin 1995, ku sot jam dhe anëtare, në kryesinë e kësaj Lidhjeje Nga viti 2002, jam presidente nderi e 36 shoqatave shqiptare-arbereshe, me seli ne Rimini të Italisë. Të gjithëve u jam shumë mirënjohëse për vlerësimet e bëra, si dhe qytetit tim të lindjes, që më ka shpallur “Qytetare nderi”. Sigurisht, kjo gjë m’i shton fuqitë dhe frymëzimet e mia, për punë krijuese dhe për të qenë kurdoherë në veprimtari aktive, përkrah shoqeve të mia dhe pa ndjerë asnjëherë lodhje.

Kujtoj këtu edhe disa udhëtime, që bëra në verën dhe fillimvjeshtën e këtij viti, si nëpër Shqipëri e Kosovë, me të cilën më lidhin “fije” të pazgjidhshme. Atje takuam shumë miq e mikesha dhe kudo u rrethuam me dashuri e respekt të ndërsjelltë. Me atë rast, ne përuruam libra dhe morëm pjesë në disa veprimtari të përbashkëta dhe mbresëlënëse, duke formuar degë të Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”. Aty unë jam përfaqësuese e diasporas. Presidente e këtij Fondacioni është publicistja e nohur, Zenepe Luka, e cila po përgatitet bashkë me kryesinë qendrore dhe kryesitëe e degëve të tij, që së shpejti të zhvillojmë “Kuvendin e Parë të Gruas Shqiptare”.

Është e saktë ajo, që thoni ju, se më kanë nderuar me “Mirënjohje”, si në Shqipëri, Kosovë, Itali, Zvicër etj. dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë më ka dhënë “Medaljen e Mirënjohjes”, për humanizëm dhe ndihmesën, që u kam dhënë emigranteve tanë, në përgjithësi. Me respekt të veçantë e kujtoj këtu Albert Vokën,dhe komunitetin shqiptar, i cili më kushtoi librin, “Mbretëresha e Diasporës Shqiptare”(Bukuresht), si edhe ata, që kanë thurur poezi për mua, ndër të cilët është edhe gazetarja Mereme.Llubani. Kjo krijuese, nga Gjermania, më drejtohet me sinqeritet: “Ku je ti, është mrësia,/ se gjithkënd ndihmon mbi dhe;/ ku shkel ti, mbin dashuria,/ në zemrën tënde bën fole…”.

Sigurisht, të gjitha ato, që thonë e shkruajnë miqtë e mi, mua ma shtojnë më tepër përgjegjësinë, që t’i përkushtohem deri në fund Atdheut e bashkëkombësve të mi. Këto ndjenja jam përpjekur t’ua rrënjos në shpirt edhe fëmijëve të mi, Mardenës, Artanit, Eneas dhe Mikelinos.

4. Jo e fundit nga rëndësia, është dhe dëshira të mësojmë diçka për prejardhejn familjare, kur u vendose në Trieste të Italisë etj?
– Origjinën e kam nga Berati, bijë e dy inteletualëve, Martirit Demokracisë, Kostaq Stefa dhe “Mësueses së Popullit” Eleni Stefa. Jam e nderuar dhe pse jam stërmbesë e atdhetarit të njohur, Kostandin Kristoforidhi dhe e Gjergj Stefës. Në vitet e diktaturës, babai im u ekzekutua. Sigurisht, kjo gjë e kufizoi jetën time, duke na privuar nga çdo gjë, si mua dhe motrat e vëllezërit.

Kjo gjendje e vështirë jete më vazhdoi gjatë, deri në fllimet e Demokracisë në Shqipëri. Kështu, pas vitit 1990 shkova emigrante në Trieste. Shpejt u përshtata me jetën e re dhe i vura qëllim vetes që të isha kurdoherë në mbrojtje dhe në ndihmë të emigrantëve shqiptarë, të cilët vinin aty për një jetë më të mirë. Ndjenjat dhe mendimet e mia nisa t’i shprehja edhe në rrjetet sociale, nëpër faqet shqiptare të Internetit, sidomos në atë me emrin domethënës, “Teutat shqiptare në botë”. Tashmë, kanë kaluar kaq vjet nga ajo kohë, por megjithatë nuk rreshti së punuari e vepruari, në këtë fushë me shumë rëndësi për jetën e bashkatdhetarëve të mi.

5. Duke shpehur falënderimin për këtë bisedë, që zhvilluam bashkë, si dhe nderimin e respetin tim të veçantë, por besoj dhe të lexuesve tanë, për tërë këtë jetë të vrullshme, atdhetare e njerëzore dobiprurëse, por dhe krijuese, a dëshiron të shtosh diçka tjetër?
-Po, ju falënderoj përzemërsisht për këtë bisedë tonën vëllazërore, e cila m’i ringjalli edhe një herë disa nga kujtimet e jetës sime. Vërtet kam bërë diçka modeste, qoftë me botimet e mia dhe me veprimtarinë shoqërore, bashkë me mjaft kolege të tjera. Por kjo gjë nuk është e mjaftueshme dhe prandaj gjithnjë do të jem e papartuar dhe e vendosur, në udhën time të deritanishme.

Tiranë, 22 tetor 2014