Ago Nezha, 01.07.2011
Të dashuruarit me vetveten, është një ves i neveritshëm, një virus i rrezikshëm që të skllavëron. Vetëngopja me lavdi, është ngushëllim i karaktereve të dobëta dhe pjellë e egoizmit dhe paditurisë. Vetëdashja, është një oqean i pafund, ku noton fantazia e marrëzive, ku derdhen rrëketë e mediokërve dhe lulëzojnë orgjitë e të patalentuarve. Ciceroni thotë se: “I dashuruari me vetveten, nuk ka rivalë. “Kjo dukuri është një mjegullnajë e shpirtvegjëlve që lumturohen duke jetuar në iluzionet e gjenialitetit, nëpërmjet egoizmit dhe ligësisë.
Në vitet e pluralizmit, ndeshim një fenomen që po bëhet masiv, ku njerëz pa identitet, pa dinjitet e pa personalitet, të zhytur në delirin e madhështisë, në emër të lirisë dhe demokracisë, nga hiçi, duan të kthehen në personazhe, e pse jo edhe në protagonizëm shoqëror. Në fillimet e demokracisë ata u shfaqën si rrëke, e dalëngadalë, kanë formuar një lumë të rrëmbyeshëm, që ka dalë nga shtrati dhe po rrezikon të përmbytë hierarkinë e vlerave të krijimtarisë, me metodat e kusarisë. Motivi i tyre është: mblidh, vidh, korr e mos lidh. Njerëz që s’kanë ditur të shkruajnë dhe as të lexojnë qartë gjatë jetës së tyre, tashti në pleqëri, mbasi vunë ca pasuri, e kanë qetësi, u është mbushur mendja se mund të bëjnë krijimtari, e për më tepër, poezi.
Është kjo arsyeja që nisa të shkruaj këta rreshta, duke parë inondatën që i kanoset krijimtarisë, duke grabitur e plaçkitur çfarë ju del përpara, pa e ditur se e kujt është “ara” e si është mbjellë “fara”. Të shkruarit është një dhunti, që i falet dhe e fiton njeriu qysh në fëmini ose në rini, që mendja është pjellore e koha me diell, e jo në pleqëri që koha është me ngrica e me shi. Njerëz me deficenca arsimore, kulturore, varfëri shoqërore, kanë filluar të rendin pas emrit, pas lavdisë, në vitet e demokracisë. Meqenëse te neve, demokracia është një anarshi pluraliste, shumë poetucë, që futen fshehurazi nëpër labirinthet e poezisë së botuar, si strucë, mbledhin e vjedhin çfarë ju pëlqen, e i bëjnë pronë të tyre.
Kjo tymnajë që ka mbuluar gjithë horizontin e krijimtarisë, është refleks i gjithë moralit të shoqërisë. Disa autorëgrabitës, veprojnë me qetësi, se e dinë që s’do t’i lexojë njeri. Kjo nuk është ndonjë fatkeqësi e madhe, se në Shqipëri vidhet çdo pasuri, para e flori, e s’dënohet njeri, pa folur më për poezi. Ligji i të drejtës së autorit, është kthyer në një relikë, që s’e respekton njeri. Nga evidentimi i rasteve, vërehet një fenomen përgjithësues, se të gjithë ata që kanë kalëruar me vonesë në krijimtari, vrapojnë për të shkruar sa më shumë, duke gatuar bukën e poezisë me miell me krunde të marra hua. Kjo kategori krijuesish, janë ata që kanë arsim të cunguar, të konvertuar me diplomat e demokracisë. Arsimi është fytyra e mendjes, thotë Bjelinski. Nuk dua të paragjykoj në bllok.
Ka përjashtime të gjenisë popullore në gjithë Shqipërinë, në të gjitha kohërat, si dhe në Labëri, që krijimtaria e tyre jeton në gojën e popullit, si Xhebro Gjika në Tërbaç, Selim Hasani në Brataj, Dervish Ferruni në Dukat, e shumë të tjerë që vjershat e tyre janë bërë pasuri e gjithë popullit. Në pemën e krijimtarisë, këto janë fruta të rralla, që i sjell koha. Në historinë botërore të letërsisë, ka gjeni, që janë me shkollë të mesme, siç është rasti i shkrimtarit të madh amerikan, Xhek London, por këto janë përjashtime dhe jo ligjësi. Fajtorë nuk janë vetëm autorët që i pjellin dhe i mbjellin, por edhe ata që i kultivojnë dhe botojnë.
Në shumë botime mediokre, gjejmë vlerësime me superlativa, elozhe qesharake, lavde të pamerituara, të adresuara nga shkrimtarë apo poetë me integritet dhe me emër në fushën e letërsisë. Ky altruizëm intelektual, cenon rëndë hierarkinë e vlerave në letërsi dhe i hap trasenë parakalimit të mediokritetit krijues. Duke biseduar me disa shkrimtarë e poetë, për këtë spekulim të vlerave të tyre, ata e justifikojnë se të vetëlavdëruarit, të mbërthyer nga deliri i madhështisë, të qepen e nuk të ndahen, saqë disa prej tyre pranojnë se ju a kanë bërë parathëniet pa ua lexuar veprat. E në këtë rast, unë do t’i quaja bashkëpërgjegjës, si autorin edhe vlerësuesin e veprës, në mënyrë krejt subjektive.
Para një presioni të tillë ndodhemi të gjithë, por duhet të ruajmë jo vetëm krijuesin nga rrëshqitja e monopateve të mediokritetit, por duhet të ruajmë edhe veten nga vlerësimomania, për ta përdorur emrin si medaljon në gjokset e mediokërve. Ushtria e të paaftëve është e madhe dhe për hir të së vërtetës, kanë një unitet dhe solidaritet midis tyre, për ta pasur zili. Ata, i kanë bërë vetes autosugjestion se janë shkrimtarë, poetë, skenaristë, publicistë të shquar e artistë të mëdhenj. Edhe pse gatuajnë e prodhojnë vepra mediokre, i reklamojnë e i shesin si kryevepra, perla të letërsisë. Kjo është një sëmundje, që po përhapet si virus në veprimtarinë shqiptare. Kur ata marrin miratimin dhe hyjnizimin e veprës nga autorë që kanë emër në letërsi, atëherë i mbushin mendjen vetes se janë krijues të mëdhenj dhe dalin në tregun mediatik, duke bërë zhurmë si korifenj të letrave shqipe.
Ky fenomen ka gjetur terren edhe te disa krijues labë, që kanë krijuar një ansambël vetëlavdërues, që mblidhen në ceremoni promovuese, shkëmbejnë mbivlerësime e mburrje reciproke, që e ndotin klimën e mjedisit të krenarisë labe. Deficitarët, mediokrit, janë mbërthyer nga një epidemi, që duan të afirmohen me çdo kusht e çmim, para opinionit të gjerë intelektual. Ata nuk dinë dhe vetëquhen të ditur. Mediokrit, mblidhen në ceremoni butaforike dhe vetëlavdërohen e lavdërojnë kolegët e tyre, gëzohen e relaksohen me ndjenjën e krenarisë së madhështisë, për vepra e kryevepra të mëdha. Shkëmbejnë me njëri-tjetrin lavde mitike, si të jenë monedha që ia kanë hua njëri-tjetrit.
Rrinë me orë të tëra pranë sofrës së shtruar, si pleqtë pranë oxhakut në netët e dimrit, e i mburren njëri-tjetrit për veprat e tyre, që i kanë lexuar më së shumti ata vetë. Pranë ekzaltimit të tyre, qëndron edhe ndonjë intelektual i vërtet, që fatkeqësisht ka degjeneruar te çorba qyl, e te gota e rakisë, që ia turbullon mendjen për të notuar në detin e pa fund të krijimtarisë së tyre “ brilante”, duke i quajtur ata heronj, e ngritur famën e tyre në zenith. Ata këtë pjesëmarrje, e shesin për vlera të tyre dhe fluturojnë në qiellin e fantazisë, ku ajri i pistë i demokracisë po na zë frymën. Për të shijuar këtë “harem” të krijimtarisë së tyre, do mjaftonte të marrësh pjesë në një ceremoni të tillë, ku me famën e autorit njihesh qysh në ftesë, apo kartëvizitën e tij, ku shkruhet: “shkrimtar, poet, publicist i shquar e skenarist”, pa folur më për referatet që derdhin lavde për autorin, duke e kthyer në mit, që do t’i kishin zili t’u adresoheshin edhe Ismail Kadaresë, apo Dritëro Agollit.
Në këtë klimë intelektuale krijuesish, këta grafomanë, pseudoshkrimtarë, po shtohen e po bëhen një kope pa çoban, që po kafshojnë meritokracinë, e po përdhosin letërsinë. Përçori, (dashi me këmborë) siç e quajnë në Vlorë, nuk do të dijë për këtë horror të shoqërisë, mjafton të ketë në tavolinë gotën e rakisë. Jo rrallë dëgjon shumëzërash të thonë: se ky apo ai autor, ka përvetësuar copëza, vargje e interpretime, letrare, artistike, apo historike nga krijimtaria e të tjerëve. Kjo ka hyrë në modë, në vitet e demokracisë, në emër të lirisë së individit. Ai që vjedh disa poezi për të formuar një libër, është si hajduti që ka vjedhur disa shtëpi, por në një rast kapet dhe bie në pranga. Unë nuk jam kritik ndaj kujtdo që ka dëshirë të botojë, sepse është tregu i lexuesve ai që i seleksionon, por nuk pajtohem me grafomaninë, që është bërë një garë pa fre në vitet e fundit.
Përgjegjësia nuk është vetëm e individëve të sëmurë, sepse ata janë të pushtuar nga dëliri i madhështisë, por edhe i atyre që ua ushqejnë sëmundjen me simulantë të improvizuar. Modestia, meritat, e vërteta, janë më shumë se lavdërimet, shtrembërimet, apo vlerësimet e pamerituara. Le të kujtojmë një grua labe, që qante burrin me ligje, duke e mburrur për cilësi e vlera që nuk i kishte manifestuar. Një grua tjetër, e afërt, e që e njihte viktimën, nisi ta qajë si një përgjigje ndaj së shoqes, me vargjet: qaje ashtu siç qe, e mos e ngri përmbi re. Labi, në të kaluarën për t’u martuar, duhet të përmbushte një kusht: që të vidhte disa bagëti në një kope, si tregues i zotësisë dhe aftësisë për të përballuar jetën.
Ky ritual, sot te disa lebër është konvertuar me poezi. Josh Billings, thotë se: “Shqetësimi nuk është se njerëzit janë të paditur, por se shumë pandehin se nuk janë të tillë”. Shqiptarëve në periudhën e demokracisë, u është mbushur mëndja se të gjithë janë shkrimtarë e këngëtarë. Ky superprodhim, ka prishur ekuilibrin e hierarkisë së vlerave, duke u futur në mes paraja, si një virus i korrupsionit, që po përhapet me shpejtësi. Këtë dukuri e gjejmë të shprehur në konkurse letrare, festivale këngësh, debutime artistike dhe kjo përbën një precedent të rrezikshëm, se po banalizohet krijimtaria dhe po humbet fermentin e saj, talentin e vërtetë.
Do ishte në dobi të autorit, që të preferonte një redaktor e oponencë serioze e të përgjegjshme, që ata të jenë barriera e parë për t’i prerë rrugën daljes në dritë të një vepre të paarrirë artistikisht. Përgjegjësia për daljen në treg të një vepre artistike, është një përgjegjësi komplekse, gjithëpërfshirëse, duke u nisur nga autori, redaktori, recezenti dhe botuesi. E parë në këtë sfond, do mund të arrijmë t’i presim rrugën grafomanisë dhe do ndalim uraganin e të paaftëve, që kërkojnë të lulëzojnë, në një klimë të kompromentuar nga korrupsioni moral dhe ekonomik i shoqërisë shqiptare, duke i hapur rrugën hierarkisë së vlerave të krijuesve të rinj.







