
Shekulli, 25.02.2011
Deklarimi i pasurisë së vitit 2007 i bërë vetëm një muaj pas tragjedisë së Gërdecit në 15 mars 2008, tregonte se ish-ministri i Mbrojtjes, sot ministër mjedisi kishte marrë nga BKT-ja, më 19 shtator të vitit 2007, një kredi 300 mijë euro për të blerë një apartament me sipërfaqe 220 metër katrorë në Tiranë. Për kredinë duhej paguar një këst mujor prej 3084 eurosh. Këtij borxhi bankar të ministrit i shtohej kredia e marrë në “Raiffeisen Bank”, prej 5 milionë lekësh të reja, e motivuar për një vilë në bregdet te vendi i quajtur “Mali i Robit”.
3 vite më parë ministri u detyrohej bankave në një muaj rreth 4 milionë lekë të vjetra, pra 48 milionë në muaj, ndërsa të ardhurat vjetore mezi arrinin, sipas deklarimit të pasurisë në 2007, afër 30 milionë lekë të vjetra. Pra Fatmir Mediu duhej të merrte borxhe vetëm për të shlyer kreditë për shtëpitë në Tiranë dhe bregdet pa llogaritur fare kostot e jetesës.
Kjo e bregdetit është histori më vete. Një vilë luksoze tre katëshe me mermere dhe rifinitura të kushtueshme në një zonë, ku ka shumë vila të emrave të njohur të politikë dhe biznesit. Mediu e ka deklaruar këtë vilë në deklarimet e pasurisë me çmimin qesharak të 5 milionë lekëve. Vila e ndodhur në zonën turistike të Golemit, në parcelën nr 34 C, edhe pse pa asnjë specifikim financiar nga pronari, tri vite më parë vlerësohej mbi 200 mijë euro. Me një sipërfaqe ndërtimi mbi 150 mettër katrorë, çmimi i saj sot është shumë më i madh, sepse në treg kjo zonë shkon edhe mbi 1400 euro për metër katrorë.
Ngjitur me vilën luksoze të Mediut, si rastësisht ishte vila e bashkëpunëtorit të tij në biznesin e demontimit të municioneve në Gërdec, Mihal Delijorgji, apo pak më tutje vila e kryetarit aktual të ALUIZNI-t, Shaban Memia. Këtë vilë me pishinë të përbashkët Mediu dhe Delijorgji e frekuentonin më së shumti fundjavave.
Pasuria e Mediut në 2009: “Borxhli” për të shlyer borxhin?!
10 mijë euro- tërhequr nga Banka San Paolo
461.950 lekë-gjendja e llogarisë rregjedhëse të pagës në Credins bank
204.340 lekë-gjendja e llogarisë së bashkëshortes në BKT
1.525.186 lekë-të ardhurat si ministër dhe deputet
1.391.429 lekë-të ardhurat e bashkëshortes në Albtelekom
10800 euro-të ardhurat nga qeraja e banesës.
27324 euro-pagesë kredie për apartamentin në Tiranë.
272.672 mijë euro-detyrimi për kredinë e marrë për apartamentin në Tiranë
308.234 lekë-shuma e shlyer për vilën në Golem.
4.134.234 lekë-detyrimi i mbetur për vilën në Golem
——————–

Një shtëpi ëndrrash për Genc Rulin
Një shtëpi ëndrrash për ministrin e Bujqësisë, vetëm pak kilometra larg qendrës së Tiranës. Tri kate banesë luksoze në një zonë rezidenciale, në komunën e Farkës. Vilat pak e shumë të ngjashme me të sot kushtojnë mbi 560 mijë euro, ndërsa bashkëshortja ka deklaruar vetëm 30 mijë eurot e truallit dhe zyrtari vetëm një kredi bankare prej 150 mijë eurosh.







