Shekulli Online, 26.01.2011
Raporti i Ekspertëve të Institutit të Policisë Shkencore në varësi të Ministrisë së Brendshme
Gjurmët në predhën 9mm. Ja çfarë zbuloi këqyrja e plumbit që shkaktoi vdekjen e protestuesit Ziver Veizi
TIRANË – Janë vetë ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore (të cilët janë në vartësi të Ministrisë së Brendshme), ata që në përfundim të akt-ekspertimit të predhës së plumbit të gjetur në trupin e të vrarit gjirokastrit Ziver Veizi, kanë konstatuar disa dëmtime të veçanta që provojnë trajektoren e plumbit dhe në rrjedhojë, personin që ka qëlluar.
Sipas akt-ekspertimit tashmë të dorëzuar në prokurorin e kryeqytetit e cila e ka administruar në dosjen hetimore, është konstatuar se në predhën e nxjerrë nga trupi i të ndjerit Veizi ka dëmtime të shkaktuara nga kontakti me trupa të huaj.
Kontakt ky, që sipas ekspertëve, ka ndodhur gjatë përshkrimit të rrugës nga tyta e shkrepur e armës së gardistit e deri në trupin e të vrarit Veizi.
“Në përfundim të akt-ekspertimit të predhës së gjetur në trupin e të vrarit Ziver Veizi, janë konstatuar dëmtime. Këto dëmtime kanë ardhur si pasojë e kontaktit të predhës me trupa të huaj para se plumbi ta godas viktimën Veizi.
Sipas ekspertëve, në predhën 9 mm që ndodhej në trupin e të vrarit, janë konstatuar me anë të këqyrjes mikroskopike rrathë anash predhës, çka do të thotë në gjuhën e ekspertëve se para se të goditet viktima, predha ka pas kontakt me sende të tjera.
Gjithashtu, në raport, ekspertët kanë përshkruar edhe disa fije bari, shkurre apo edhe të drurit të pishës të cilat janë gjetur së bashku me predhën në trupin e viktimës. Këto trupa të huaja në predhë, sipas ekspertëve, konfirmojnë se plumbi para se të godas trupin e të vrarit ka pas kontakte me fije bari, gjethe, shkurre, apo edhe degë të pishave”, – referuar raportit të përpiluar nga ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore.
Sipas këtyre të dhënave të përshkruara me imtësi në raport, rezulton se teoria e disa mediave, forumeve, analistëve apo disa politikanëve etj, se Veizi është vrarë nga personi i thinjur ngjitur me çadër në dorë, apo nga njëri nga tre personat e fshehur prapa shtyllës së portës hyrëse të kryeministrisë, bie.
Sipas prokurorisë, ekspertimi i Policisë Shkencore përbën një provë të rëndësishme për organin e akuzës, dhe është renditur tashmë në provat që dëshmojnë se plumbi që goditi të ndjerin Veizi ka ardhur nga brenda rrethimit të kryeministrisë, nga dritarja e ndodhur vetëm një kat poshtë zyrës së Sali Berishës.
Këqyrja e rrobave: Viktimat nuk janë qëlluar nga afër
Gjithashtu, po ekspertët e policisë shkencore që ndodhen pranë Ministrisë së Brendshme, sipas prokurorisë, kanë përfunduar edhe këqyrjen e rrobave të tre viktimave, duke arritur në konkluzion se vrasjet e tyre nuk janë kryer nga një distancë e afërt.
“Nga ekspertimi i rrobave të tre të vrarëve, rezulton se nuk ka asnjë faktor plotësues baruti apo djegie në vrimat hyrëse. Mos gjetja e faktorëve plotësues në rrobat e viktimave, hedh poshtë dyshimet se vrasjet e tyre janë kryer nga një distancë e afërt”,- thuhet nga prokuroria, duke hedhur poshtë kështu edhe pretendimet e mjekut të Spitalit Ushtarak që nxitoi duke deklaruar se ata ishin vrarë nga afër.
Sipas akuzës, nëse viktimat do të qëlloheshin nga afër në rrobat e tyre do të kishte mbetje të barutit (apo siç njihen në gjuhën e ekspertëve faktor plotësues). Gjithashtu, rreth vrimës hyrëse të predhës, nëse viktima është qëlluar nga afër rroba do të kishte djegie, çka në rastet konkrete asnjëri nuk kishte djegie.
Bën përshtypje fakti, që ky përfundim, bie ndesh haptas me atë që deklaruan çuditërisht në union, vetëm pak pas masakrës në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, mjeku Sami Koçeku i Spitalit Ushtarak, ministri Arben Imami në TV Klan dhe Sali Berisha në konferencën e shtypit në orën 19.00 po atë ditë.
THIRRET PJERIN NDREU
Thirret edhe Pjerin Ndreu në Prokurori. Dje është kërkuar edhe sekuestrimi i ftesave të deputeteve të PS-së për demonstratën. Ndërsa deputeti Doshi ka shkuar në Prokurori dhe ka shtyrë takimin për shkak të prezencës së madhe të kamerave
JO VRASJE NGA AFËR
Është kryer akt-ekspertimi i rrobave të viktimave dhe rezulton se nuk ka fakte-plotësues, si djegie apo barut çka do të thotë se bie zyrtarisht pista e “vrasjes nga afër”. Rezulton se të tre të vrarët janë qëlluar nga një distancë e largët, mbi 10 metra
PLUMBI I VEIZIT
Nga ekspertimi i predhës 9 mm të gjetur në trupin e Ziver Veizit ka rezultuar, se ajo është e dëmtuar. Nga këqyrja mikroskopike ka rezultuar se janë gjetur copa të imta të mbetjeve të djegura të pjesë së druri, gjethe apo pishe të lulishtes para gardistit
URDHËRA ARRESTI
Janë lëshuar edhe tre urdhra arrestit për personat e tjerë të cilët janë konstatuar, se kanë kryer veprime vandale dhe të dhunshme ndaj policisë, apo pronës shtetërore e private. Këta janë persona që kanë djegur makina private pranë protestës.
NDALIME ME FOTO
Prokuroria ka kërkuar nga policia, të sjellë fotot e demonstruesve që shfaqen në akte shkatërrimi të pronës apo që kanë qëlluar policë. Sipas prokurorëve, këto raste do të dërgohen në gjykatë për caktim të masës së sigurisë, qoftë edhe në mungesë
GARDA S’JEP ARMËT
Garda i ka vënë në dispozicion prokurorisë vetëm 52 armë të ndryshme, si automatik “Kallashnikov” apo edhe “MP-5” e armë të tjera që përdoren nga Garda. Nuk janë dhënë armët e tjera të kërkuara me justifikimin se “Garda mbetet pa armë”
GARDA NË ‘KULLË’
Garda nuk pranon bashkëpunimin me Prokurorinë. Nuk sillen për t’u marrë në pyetje gardistët që janë brenda ndërtesës së kryeministrisë. Janë dërguar dy prokurorë dhe tre oficerë brenda ambienteve të kryeministrisë për të evidentuar të plagosurit
LETËR BASHËS
Dje i është dërguar Ministrit të Brendshëm Lulzim Basha dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit një shkresë, ku i kujtohet zbatimi i urdhër-ndalimeve të firmosura për gjashtë gardistët nga drejtuesi i prokurorisë Sokol Malaj
PAMJET E REUTERS
Prokurorisë dhe policisë i është vënë në dispozicion nga agjencia Reuters arkivi i filmimeve të bëra gjatë demonstratës, ku është arritur të identifikohen pjesa me e madhe e pjesëmarrësve në aktet e dhunës.
Pamjet po verifikohen me imtësi
RRAHJA E POLICIT
Ka raste dhune pa lidhje me protestën. Një prej të ndaluarve, Olti Topi, 3 ditë para demonstratës ka qenë i shoqëruar në komisariatin nr.2 për vjedhje, dhe ditën e demonstratës ka sulmuar një polic, i cili e kishte dhunuar gjatë qëndrimit në paraburgim.
PROKURORIA
Ekspertët: Vrasja e Veizit nga larg, predha në trup me dëmtime