Nga Mero Baze, 5 Janar 2013
Si çdo gjë e vjetër, dhe Berisha do të shpërbëhet në përpjekje për të ndryshuar. Pas më shumë se një viti beteje folklorike kundër rrjeteve sociale dhe promovimit nga kundërshtari i tij i ideve në këto rrjete, Berisha më në fund u dorëzua dhe po tenton të bëjë të njëjtën gjë. Fillimisht hapi faqen zyrtare në Facebook, më pas urdhëroi ta bëjnë dhe ministrat këtë, po aktivizon Twitter-in në faqen e PD-së dhe qeverisë dhe natyrisht që do të bëjë të njëjtën gjë dhe vetë aty.
Por ka diçka që nuk funksionon në gjithë këtë update artificial të tij. Twitter-i, Facebook-u dhe gjithë teknologjia online e mediave sociale bazohet mbi një parim, që bie ndesh ne thelb me parimet politike të Berishës. Fuqia e rrjeteve sociale qëndron tek të qenit të hapura me publikun dhe në ballafaqim të pamëshirshëm me to. Politika e Berishës dhe shkolla e tij politike bazohen mbi vlera tërësisht të kundërta.
Politika e Berishës bazohet së pari tek izolimi i kundërshtarit, tek shmangia e ballafaqimit me të, tek censura, tek degradimi verbal, tek represioni dhe manipulimi i opinionit publik me gënjeshtra që nuk ballafaqohen. Rrjetet sociale janë ekzaktësisht armike të këtyre veseve.
Për këtë arsye prezenca e Berishës në Facebook ka prodhuar më shumë anekdota se sa politikë. Ai përpiqet të pozojë sikur shkruan vetë në kompjuter, por nga mënyra si vendos duart mbi tastierë, duket si një shahist që kërkon kuadratin dhe jo si një njeri që njeh tastierën. Ai është politikani që dikton me zë në telefon deklaratat për shtyp dhe jo njeriu që ka respekt për fjalën e shkruar. Ai ka një distancë natyrale me fjalën e shkruar. Nuk e do, nuk e përdor dot, nuk e komandon dot, nuk ka asnjë ndjenjë miqësore ndaj saj. Gjithë jeta e tij politike lidhet me fjalën e shkruar përmes të folurës demaskuese që e shkruajnë të tjerë.
Së dyti, Berisha nuk ngjan natyral në menaxhimin e profilit të tij. Profilet në rrjetet sociale nuk bëhen për tu menaxhuar nga të punësuar, pasi njerëzit duan të njohin dhe të flasin me Berishën, jo me të punësuarit e tij. Për këtë arsye ai më shumë po harxhon energji në Facebook të censurojë komente dhe të bllokojë debate se sa të postojë idetë e tij dhe të shikojë reagimet e qytetarëve. Kryearseja është se ai nuk e përdor dot vetë atë rrjet, nuk e përdor dot për të zbuluar profilin dhe karakterin e tij, por për ta fshehur atë. Ky është një mision i pamundur, që në rrjetet sociale të bën qesharak. Siç po e bën atë.
Në profilin e tij njerëzit ose lexojnë postime qesharake, ose shakara pa kripë që nuk bëjnë për të qeshur as stafin që paguhet për të qeshur. Po të shikosh profilin e kryeministrave të Perëndimit, shikon postime serioze, ide serioze, përshkrim të takimeve të punës me konçizitet dhe natyrisht reagime normale të qytetarëve ndaj tyre. Sali Berisha e di se rrjetet sociale janë gazeta 55 apo RD, ku ai mund të diktojë me telefon fyerje verbale dhe të fshihet pas atyre që paguan si gazetarë. Për këtë arsye profili i tij, nëse do t’ia përkthesh një të huaji dhe të mos i tregosh që ky është kryeministër i Shqipërisë, ngjan si një profil i rreme, i ndonjë maniaku që do të ngacmojë dikë, por nuk di si ta bëjë.
Së treti, Berisha nuk po kupton ende se rrjetet sociale nuk janë Këshilli Kombëtar i PD-së, ku të gjithë duhet të miratojnë idetë e tij. Aty ka njerëz që do ta sulmojnë, do t’ia kundërshtojnë idetë dhe do bëjnë debat me të. Por i kompleksuar nga kjo, Berisha në rrjetin e vet nuk poston asnjë gjë serioze, përveç banaliteteve që zbulojnë faktin se sa vuan ai për t’i fshehur veten publikut.
Përfytyroni që Sali Berisha, i cili dhe kur bën pritje për Vit të Ri, dhe jo më kur bën konferenca për shtyp, përzgjedh gazetarët, i zëvendëson ata shpesh me punonjës të medias, me aktorë apo humoristë parodish vetëm të mos ndeshet përballë me gazetarët kritikë, të përfshihet në një debat publik ku t’i shfaqen kundërshtarët dhe garda të mos ketë mundësi t’i ndalojë. Kjo atë e çmend dhe kur e mendon, dhe jo ta bëjë.
Së katërti, që është dhe më kryesorja, rrjetet sociale kanë mposhtur në botë censurën dhe izolimin e njerëzve me ide politike dhe kanë rrezikuar seriozisht sistemet autokratike. Sali Berisha ka harxhuar miliona të ndërtojë mediat e veta, ka korruptuar një sistem të tërë politik për të prodhuar mediat e propagandës së vet, ka investuar publikisht dhunë dhe represion ndaj mediave kritike, ka një bilanc si një armik i shtypit botëror, vlerësuar nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve si një armik i lirisë së shtypit, dhe tashmë ai gjendet i pafuqishëm përpara një realiteti që ia ka hedhur në erë gjithë investimet. Një shembull i qartë i këtij dështimi është beteja e tij shtazarake me gazetën Tema.
I përdori të gjitha, nga policët tek dhuna, tek zjarri e gjobat financiare dhe falë këtij realiteti të ri të teknologjisë online, ai ka dështuar. Futi nën presion mediat e veta televizive të hartonin lisat përjashtuese për debatet televizive nga gazetarët e tij kritikë, por sot gjithçka mund t’i shkojë dëm vetëm nga teknologjia e re, ku idetë kundër tij mund të përhapen me një të miliontën e pareve që ai i paguan Sandrit për të shpërndarë gënjeshtrat e veta.
Sali Berisha po hyn në botën e betejës online si në kullën e hasmit, ku askush nuk i jep besën se nuk do ta vrasë. Ai po hyn nga paniku vetëm se e kuptoi që ironia dhe tallja me to nuk ia zgjidhte problemin dhe po e klasifikonte si një fosil të politikës. Ai po lëpin tani atë që ka pështyrë prej dy vitesh, por ky turp i ka dalë prej kohësh. Por duke hyrë brenda nuk do të thotë se shpëton. Përkundrazi, kjo është një fushëbetejë që ka rregullat e veta, të cilat janë prodhuar pikërisht se në botë kanë ekzistuar fosile si Sali Berisha. Nuk është ngjarje promovimi nga Edi Rama i Twitter-it, Facebook-ut apo mesazheve online, se ai ka një raport personal me fjalën e shkruar, vjen nga publicistika dhe është natyral në teknologjinë online. Lajm i madh është që një fosil si Sali Berisha u tërhoq në këtë fushëbeteje.
Tani lëreni aty se vdes vetë ose bëhet qesharak siç po bëhet me përpjekjen e tij titanike për të fshehur vetveten nga publiku. Nuk ka dekompozim më spektakolar se sa të lexosh postimet e tij mediokre, që nuk të kujtojnë asgjë nga Sali Berisha i këtyre 22 viteve, nga politikani i ashpër, i fortë, apo kurajoz siç ka qejf të quhet. Është thjesht një mediokër, që as ia mban të bëjë të fortin, as të zgjuarin, as karizmatikun, as inteligjentin dhe as agresivin. E ka të vështirë të ballafaqohet me qytetarët, pasi është mësuar gjithë jetën të vrasë pas shpine, të shajë pas shpine, të fyejë pas shpine dhe të qajë pas shpine. Ky është ndëshkimi më i madh që i ka bërë vetes, pasi ka pranuar të shpërbëjë Sali Berishën që ka sunduar me vese dhe pabesi për t’u treguar njerëzve një Sali Berishë tjetër, mediokër, frikacak dhe të autocensuruar.
Është kjo mënyra se si ai po shpërbën profilin e tij. Është kjo mënyra se si të vret përpjekja për të ndryshuar, kur ndryshimi nuk është natyral. Është si një i sëmurë që bëhet mirë para se të vdesë. Dhe pastaj dorëzohet.