Vetëvendosje i propozon LDK-së krijimin e një blloku opozitar

0
40

TemA, 25 Mars 2013

Lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me drejtuesit kryesorë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetarin Isa Mustafa, nënkryetarin e Kuvendit, Sabri Hamiti, në zyrat e kësaj partie.

Ky është takimi i tretë, ndërkohë që dy takimet e para janë zhvilluar më 21 janar dhe 11 mars.

Siç raporton Koha Ditore, në takim është rënë dakord për krijimin e një blloku opozitar.

Qëllimi i bllokut do të jenë zgjedhjet e parakohshme parlamentare duke dinamizuar opozitën në muajt në vijim përmes disa komisioneve hetimore parlamentare e seancave të jashtëzakonshme në Kuvend si dhe bashkëpunimi për parandalimin e privatizimit të PTK-së.

Po ashtu blloku do ketë në qendër të punës edhe dialogun mes Kosovës e Serbisë, duke vlerësuar se ai po zhvillohet pa transparencë dhe me marrëveshje të pashkruara. Vetëvendosje dhe LDK thonë se dialogu po shkel edhe rezolutën e Kuvendit të Kosovës të 18 tetorit 2012./ep