Uk Lushi
Është viti 1994. Jam duke shkuar në një diskotekë në Stuttgart bashkë me një djalë as të bukur as të shëmtuar nga Gjilani. Para se të na vije radha të paguajmë biletat hyrëse, ai më flet me zë të ulët: “Mos thuaj që jemi shqiptarë brenda! Kur të pyesin nga jemi, thuaj që jemi italianë! Vetëm kështu mund të zëmë femra të bukura! Gjermanet nuk i duan shqiptarët!”
Është viti 2006. Jemi mbledhur në një restorant në Boston rreth njëzet punëtorë të dy firmave globale. Mësoj që në mesin e përfaqësuesve të kompanisë që kishte shtruar darkën ishte një shqiptare nga Tirana. I gëzuar filloj e bisedoj shqip me të. E trazuar, ajo më pëshpëritë: ”Unë u kam thënë kolegëve që jam nga Greqia. Ju lutem flisni anglisht dhe vetëm për tema profesionale!” Dy latino-amerikanë, njëri nga Argjentina dhe tjetri nga Venezuela, e kaluan gati tërë kohën duke folur në spanjisht.
Është viti 2008. Jam duke vizituar një shqiptaro-amerikan të lindur dhe rritur në Ulqin, menaxher i një rrokaqielli madhështor, në zyrën e tij në New York. Mbi tavolinën e punës vërej flamujt e Malit të Zi dhe Amerikës. I çuditur i drejtohem: “Ti nuk ka ngjarje në komunitet, që nuk luan patriotin e përunjur! Ku e ke flamurin shqiptar?!” Ma kthen në një anglishte të rëndë: “Nuk kam dëshirë që banorët e ndërtesës ta dinë që jam shqiptar! Ne shqiptarët nuk kemi nam të mirë!”
Është viti 2011. Jemi me pushime me nusen time në Pragë. Ditën e dytë futemi në një dyqan stolish që vizëllonte nga shndritja e smeraldeve, qelibarëve dhe garnetëve. Bisedojmë me pronarin që tregon që kishte 12 vite që prej se kishte ardhur në kryeqytetin çek. E pyesim prej nga. “Jam kroat.” — na kthen ai dhe vazhdon të provojë të na shesë gurët dhe kristalet e tij. Dy-tre minuta më vonë, nga mbrapa tezgave, shfaqet një fëmijë rreth dhjetë vjeçar, që thërret: “U ktheva! O bab’, u ktheva!” I shokuar e pyes zotin e dyqanit: “Ne jemi shqiptarë. Ju thatë që jeni kroat. Fëmija juaj foli shqip. A jeni shqiptar?!” Burri pa ju dridhur qerpiku u përgjigj: “Jemi nga Shkupi, por para se të vinim në Pragë kemi jetuar në Zagreb përmbi 30 vite. Të thuash je kroat është më mirë për biznesin!”
Këto anekdota të vërteta kanë vetëm qëllim ilustrues. Jam i bindur që ka edhe shqiptarë apo shqiptare tjera që kanë përjetuar raste të ngjashme si përvojat e mia më lart kur bashkëkombës tonët projektojnë frustrimet, mungesat, inferioritetin apo mosplotësimin e ambicieve vetjake në kombin shqiptar. Sigurisht që shumica e madhe e shqiptarëve nuk i kanë këto komplekse dhe e duan me gjithë zemër popullin tonë, mirëpo athtësia e disave nga ne është aq acidike, sa nganjëherë është gati e pabesueshme. Anëtarët e një populli të cilët ndihen keq dhe e fshehin përkatësinë e tyre, që shprehin indinjatë, aversion dhe urrejtje ndaj kombit të tyre, gjenden edhe ndër popuj tjerë. Këta njerëz profesionistët e psikologjisë dhe psikiatrisë i quajnë vetëurrejtës.
I pari autor që përdori termin “vetëurrejtës” ishte filozofi hebrenjo-gjerman Theodore Lessing në librin e tij “Jüdischer Selbsthass” (“Vetëurrejtja hebrenje”), botuar në vitin 1930. Lessingu i kualifikoi si vetëurrejtës hebrenjtë të cilët zgjidhnin asimilimin dhe përpiqeshin të largoheshin nga rrënjët e tyre hebrenje. Nocioni i vetëurrejtjes hebrenje u popullarizua në Amerikë në vitet 1940 nga psikologu Kurt Lewin dhe sidomos në mesin e viteve 1980 nga profesori Sander Gilman, sipas të cilit vetëurrejtja hebrenje haset në hapësirat mes asaj se si hebrenjtë kujtojnë që grupet tjera dominuese i shohin ata dhe si ata e projektojnë frikën e tyre se do të shikohen nga hebrenjtë tjerë si mishërim i statutit të ankthit të tyre kundrejt këtij shikimi.
Në përgjithësi vetëurrejtja konstatohet në të gjitha grupet njerëzore. P.sh. në Gjermani ajo shënoi një rritje sidomos para ribashkimit të popullit gjerman me 3 tetor 1990. Vetëurrejtësit gjermanë nuk donin t’ia dinin që populli gjerman kishte vlera, kapacitete dhe aftësi të bënte vepra të mëdha. Vetëurrejtësit ndiejnë antipati të fortë për çdo gjë të popullit të tyre. Njëjtë sillen edhe vetëurrejtësit shqiptarë, të cilët nuk duan të pranojnë asgjë të mirë, por vetëm të këqijat e kombit. Vetërrejtësit tonë përqendrohen vetëm në të metat dhe me logjikën e tyre edhe të mirat janë arritje të vogla dhe nuk ka rëndësi se sa i madh ka qenë disavantazhi para realizimit të së mirës.
Sipas tyre popujt e tjerë janë superiorë dhe t’u takosh popujve tjerë, pavarësisht karakterit, aftësive dhe punës personale, automatikisht je më i mirë apo më e mirë. Sidoqoftë, vetëurrejtësit shqiptarë kanë një dallim kardinal nga vetëurrejtësit e popujve tjerë: k’ta urrejtësit e vetes shqiptare nuk urrejnë përfitimet që u vijnë në emër të popullit shqiptar dhe kur u jepet rasti për donacione, ndihma apo asistencë, i pranojnë ato duarhapur, paçka që, sapo t’i kenë ato në posedim, harrojnë popullin shqiptar dhe rinisin urrejtjen menjëherë dhe përsëri.
Populli shqiptar është një popull i vuajtur dhe i cili është goditur nga çdo anë. Ne padyshim kemi të bëjmë shumë dhe, ndërsa tjerët ndoshta kanë komoditetin të ecin, ne duhet të vrapojmë. Secili shqiptar apo shqiptare duhet të ndihet rehatshëm si pjesë e popullit shqiptar, sepse nuk ka popuj më të mirë apo më të këqij, por ka individë që zgjedhin të jenë shqiptarofobë ose shqiptarofilë. Për pjesëtarët e popullit shqiptar ka një gjë që duhet bërë medoemos kur kryqëzohet rruga me vetëurrejtësit— ata dhe/ose ato duhet quajtur me emrin e vet.
Vetëurrejtësit duhet ta dinë që dashuria gjithmonë fiton mbi urrejtjen, sepse dashuria është lule e cila ujitet nga shpresa. Dashuria si ndjenja më e bukur dhe bujare njerëzore natyrisht që është e mbushur me rrezik për zhgënjim, por gjithsesi që është diçka që i jep kuptim të thellë dhe fisnik jetës. Prandaj nuk është mirë të urrehen as të tjerët, e as vetvetja.