Nga Enver Robelli
Prej 22 qyteteve të Evropës Juglindore në Prishtinë është më së vështiri të bëhet biznes, shkruan Banka Botërore. Kosova është burim, destinacion dhe vend transitor i prostitutave, konstaton Departamenti Amerikan i Shtetit. Republika e Kosovës mbetet një “demokraci e papjekur”, nënvizon organizata amerikane “Freedom House”. Tri raporte të zymta brenda një jave tregojnë se ku gjendet vendi ynë sot dhe pse urgjentisht duhet të përmirësohet puna e Qeverisë dhe e autoriteteve lokale
Ekziston një hendek i madh mes mënyrës se si krerët e shtetit të Kosovës e skicojnë gjendjen në vend dhe rrethanave të vërteta. Anëtarë të kabinetit flasin për liberalizim vizash, lavdërojnë kushtet e krijuara për investime, përbetohen se asnjë cent nga buxheti nuk keqpërdoret, flasin e flasin për një shoqëri të shanseve të barabarta, për një vend të dijes dhe teknologjisë, arsimit cilësor dhe bujqësisë së zhvilluar. Pak para se të ulej në kolltukun e kryeministrit në vitin 2007, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës në një intervistë për gazetën austriake “Die Presse” madje kishte thënë se Qeveria e tij do të kujdesej për zhvillimin e industrisë së teknologjisë informative.
“Vizioni im për Kosovën është i një Silicon Valley në Evropën Juglindore. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme deri më tani janë dënuar nga Qeveria. Unë do t’i përkrah ato dhe do të bëj gjithçka për të përgatitur terrenin për investime nga jashtë”, thoshte Hashim Thaçi. Dikur! Dhe vazhdonte: “Prioriteti im më i rëndësishëm është lufta kundër korrupsionit. Pastaj siguria ligjore. (…) Kush nuk e respekton ligjin, ai as nuk mund ta garantojë atë. (…) Askush me duar të ndyra nuk do të emërohet në kabinetin tim”.
Silikoni i Qeverisë
Nga perspektiva e sotme këto premtime të bëra para gati katër vitesh lexohen vetëm si shaka e hidhur, tmerrësisht e hidhur. Nga perspektiva e sotme këto premtime, në fakt, janë përpjekje e suksesshme për mashtrim të votuesit kosovar. Varësisht nga pjekuria politike disa votues mashtrohen një herë, disa dy herë, disa shumë herë. Sidoqoftë, Silicon Valley i paralajmëruar mbetet në sferën e ëndrrave, lufta kundër korrupsionit po ashtu, siguria ligjore nuk e meriton këtë emër, kabineti me duar të pastra – një tallje mizore.
Mjafton të shikohet krejt ndyrësia në lidhje me kontratën e PTK-së me firmën “Dardafon” për të vërejtur se këtu kanë gisht edhe zyrtarë të lartë, përfshirë edhe ish-ministra, në mos edhe kryeministri. – “Kush nuk e respekton ligjin, ai as nuk mund ta garantojë atë” – çfarë profecie! Nëse dikush kërkon fakte: ato janë këtu, publike tashmë, por nuk ka kush të merret me to. Fakte të tjera gjatë javës që shkoi sollën tri organizata, respektivisht institucione të rëndësishme ndërkombëtare.
Banka Botërore bëri të ditur në një raport se prej 22 qyteteve të Evropës Juglindore më së vështiri është të bëhet biznes në Prishtinë. Procedura për regjistrimin e një firme në kryeqytetin e Kosovës zgjat dy muaj, në Shkup, disa kilometra më tutje, vetëm tri ditë. Dallimi kohor është trishtues. Nga qytetet e rajonit lavdërohen sidomos Shkupi, Banjalluka dhe Zrenjanini. Raporti nënvizon se në Prizren është tepër vështir të zbatosh një kontratë. Nëse në rastin e Prishtinës Qeveria mund t’ia hedhë fajin pushtetit komunal të kontrolluar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në Prizren përgjegjës është partia e kryeministrit.
Ky raport i Bankës Botërore do të duhej të merrej shumë seriozisht nga Qeveria e Kosovës, sepse çdo investitori që i shkon mendja të fusë para në Kosovë për hapjen e ndonjë linje prodhimi me siguri së pari do të lexojë raportet përkatëse. Pse të vijë një firmë në Prishtinë a në Prizren, ku do të ballafaqohet me barriera burokratike kur mundësitë për investime janë shumëfish më të mira në Shkup?
MST: Demokraci e papjekur
Një raport tjetër i zymtë erdhi këto ditë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ku nënvizohet se Qeveria e Kosovës nuk i zbaton plotësisht “standardet minimale” për eliminimin e trafikimit me njerëz. Kosova skicohet si burim, destinacion dhe vend transitor për gratë që trafikohen për qëllime seksuale dhe fëmijët që trafikohen për t’u bërë lypsarë. Si zonë më e goditur nga ky fenomen përmendet veriu i Kosovës, gjë që nuk është befasi, duke pasur parasysh se hinterlandi i Mitrovicës është një hapësirë jashtë ligjit dhe nën kontroll të bandave kriminale serbe, të cilat jo rrallë bashkëpunojnë me kriminelë shqiptarë, sidomos në biznesin e ndyrë të prostitucionit dhe në vjedhjen e veturave. Në raportin e Departamentit të Shtetit kritikohet veçanërisht sistemit gjyqësor i Kosovës për shkak të zgjidhjes së ngadalshme të rasteve të trafikimit. Po ashtu theksohet se numri i dënimeve ka qenë më i vogël se në vitin paraprak.
Kapakun të gjitha kritikave ia vë organizata “Freedom House”, e cila në një raport qortues nënvizon se Kosova është një demokraci e papjekur. Në rangimin e kësaj organizate Kosova ka shënuar rënie për shkak të manipulimeve në zgjedhje, për shkak të luftës vetëm me llafe kundër korrupsionit me ç’rast rezultatet kanë qenë minimale, gjë që nuk është kurrfarë befasie për qytetarët e Kosovës. Qeveria akuzohet se ka dështuar të garantojë lirinë e medieve dhe të shprehjes.
“Freedom House” përmend dy të përditshme kosovare, të cilat kanë qenë objekt i shpeshtë i kërcënimeve. Qeveria, sipas raportit, “vazhdon të kontrollojë” transmetuesin publik RTK dhe të ndikojë te mediet e pavarura private nëpërmjet tërheqjes së reklamave. Duke pasur parasysh të gjitha këto “Freedom House” vë në pah se gjendja e medieve në Kosovë “është përkeqësuar”.
E tash? Tash tellallët e Qeverisë mund të dalin në televizor dhe të bëjnë propagandë. Mund të thonë: “Po gënjen Banka Botërore, po gënjen Departamenti Amerikan i Shtetit, po gënjen edhe ‘Freedom House’”. E kush po e thotë të vërtetën? Natyrisht Qeveria! Tregojnë për një ish-funksionar komunist të Kosovës, i cili pas demonstratave të vitit 1981 kishte kërkuar burgosjen e Reutersit, duke menduar se bëhet fjalë për një person dashakeqës; nuk e dinte se fjala është për një agjenci botërore lajmesh.
Kaq naivë nuk janë zëdhënësit e Qeverisë së sotme. Ata tani mund t’i akuzojnë organizatat botërore se po ua prishin qetësinë qytetarëve të lumtur të Kosovës, të cilët as që duan të lexojnë raporte të tilla ogurzeza, sepse gjithçka është në rregull dhe njerëzit e lumtur mezi po presin të ngjiten shkallëve të avionit për të kaluar pushimet në Antalya, në Sarandë, në Selanik, në Côte d’Azur, në Sardegna dhe në Pallma de Mallorca.
Raportet e Bankës Botërore, të Departamentit të Shtetit dhe të “Freedom House” janë vetëtima që paralajmërojnë furtuna politike, të cilat nuk do të duhej t’i dëshironte askush, por të cilat mund të bëhen të pashmangshme nëse vazhdohet ky ritëm i keqqeverisjes nga një kabinet që më shumë i ngjan një trupe të pakoordinuar dhe kaotike sesa një ekipi që ka strategji dhe qëllime të bindshme për ta bërë Kosovën shoqëri të drejtësisë sociale, shoqëri të shanseve vërtet të barabarta, shoqëri të sundimit të ligjit, shoqëri të aspiratës serioze evropiane, me një fjalë: shoqëri që ndërton dhe jeton me vlera të mirëfillta. “Kush nuk e respekton ligjin, ai as nuk mund ta garantojë atë”.
Lajmet me pelin nga Brukseli
Raporti i ardhshëm është në prag. Në vjeshtë Bashkimi Evropian do të njoftojë mbi progresin e arritur në Kosovë. “Mendoj se nuk është ndonjë surprizë nëse unë paralajmëroj sot se do të kemi pak për të treguar për progresin e vërtetë në raportin tonë të radhës të progresit, për arsye se Qeveria dhe Kuvendi nuk kanë pasur shumë kohë për të punuar në reformat, për të cilat kemi diskutuar vitin e kaluar”. Kështu tha zyrtari i BE-së, Pierre Mirel, javën që shkoi. Ai nënvizoi se institucionet qendrore të Kosovës kanë punuar pak vetëm gjatë muajit të kaluar. Diplomatët përherë flasin mes rreshtave. Përkthyer në gjuhën e qartë Mirel që tani ka paralajmëruar se raporti për Kosovën nuk do të jetë pozitiv. “Kemi pak për të treguar për progresin” – i bie: nuk kemi asgjë të hairit për të raportuar.
“Qeveria dhe Kuvendi nuk kanë pasur shumë kohë për të punuar…” – i bie: nuk e kanë gjetur kohën për të punuar. Sipas Mireli në Kosovë gati gjysma e ligjeve mbesin të pazbatuara. Me fjalë të tjera: në një vend ku zbatohen vetëm gjysma e ligjeve edhe shteti është gjysmak. Ndoshta kundër vullnetit të tij kryeministri Hashim Thaçi u tregua humorist, kur tha: “Ne do të vazhdojmë zbatimin e agjendës evropiane pa lëvizur asnjë milimetër”. Mbetet në ajër pyetja: si mund të zbatohet agjenda nëse nuk lëviz. Uji që nuk lëviz bëhet shpejt moçal.
I tillë duket sot shteti i Kosovës, sepse s’ka lëvizje asnjë milimetër nga rruga pa krye. Shembull i mykur ishte interpelanca e kryeministrit në Kuvend javën që shkoi. Shtëpia e popullit i përngjante Dumës ruse kur aty defilonte politikani ekstremist Vladimir Zhirinovski (kjo gjetje e përshtatshme i përket kolegut Astrit Gashi nga gazeta “Zëri”). Kur parlamenti shndërrohet në arenë të zgobellëve që zgërdhihen pa pushim dhe zgrapin fije fjalish të kota, atëherë vërtet askush s’duhet të befasohet as me raportet e organizatave të huaja, as me kritikën e ashpër të Pierre Mirel.







