Nga Fiqiri Xibri, 13 Mars 2012
Vetëshpallja
Kur Fatos Nano një ditë të bukur u vetëshpall kandidaturë për presidentin e ardhshëm, shumëkush prej shqiptarëve e mori si një lajthitje nga ana e tij. Dikush u shpreh se do të ketë qenë në momente eksitimi nga drogat e forta dhe dikush tjetër tha se do kenë qenë çaste pas humbjes së një shume të rëndë parash në kazino. U tha e çfarë nuk u tha. Thashetheme hesapi.
Gazetarët tanë të nderuar, që mezi ç’presin sebep për të prodhuar të parët ndonjë lajm bombastik, i dhanë thashethemeve hapësirë për diskutim. Testuan mendime dhe qëndrime të mundshme eksponentesh nga të gjithë faktorët politikë.
Ashtu si padashur, gjysëm spontanisht e gjysëm me plan ju bë e qartë opinionit publik, se asnjë nga pecco grossot e politikës shqiptare nuk e merrte vetëshpalljen e Nanos kandidat presidencial me seriozitetin e alternativës. Berisha e kishte të qartë se presidenti ishte domosdoshmëri për mbijetesën e tij dhe nuk ishte vëndi, ku mund të shtrydhte më diçka prej Nanos, ndërkohë që Rama nuk kishte hall të hapte vetë rrugën për tu shtrydhur nga Nano. Çka flitej në kampin e Metacakëve nuk përfillej nga opinioni.
Zëra nga brenda PS
Por gazetarët janë njerëz që nuk lodhen kollaj. Me kalimin e ditëve dhe në turbullirën që përzieu edhe ambasadori Arvizu duke darkuar me Nanon, gazetarët vazhdojnë testimet dhe durimi i tyre shpërblehet. Diku qëmtojnë një zë të njohur nga PS-ja që e relativizon kandidimin për president të Nanos deri në kufirin midis të mundshmes dhe të pranueshmes.
Qëmtimi ka ndodhur në një emision të njohur televiziv. Bëri bujë. « Ç’është kjo fjalë ?!» – pyetja që dëgjohej nga të katër anët e një opinioni gjithë sy e veshë. Më të shumtit ranë dakord në diskutimet e tyre të gjata, se ky zë ishte thjesht një lapsus personal dhe nuk shprehte mundësinë e ndryshimit të qëndrimit të PS ndaj provokacionit të Nanos.
Jo se domosdo PS-ja duhet të mbante qëndrim publik ndaj këtij zëri, fundja një intervistë personale ishte. Megjithatë, përfshihet apo jo në statutin e partisë, mbetet thuajse e vulosur si aksiomë morale dhe llogjike, që një përfaqsues i lartë i një partie, për çështje të mprehta politike, nuk mund të diskutojë në publik jashtë ravijëzimeve të mëherëshme që partia e tij i ka dhënë çështjes në fjalë.
Vijimisht, nëse ndodh kështu, duhet të jetë e qartë për PS-në, se mosmbajtja publikisht qëndrim ndaj atij « lapsusi » publik ndaj Nanos, shoqërohet me kosto. Sepse nuk ka një argument mjaftueshmërisht bindës për të pranuar, që përderisa PS-ja nuk u prononcua, ai “zëri” ishte thjesht një lapsus personal. Përkundrazi, heshtja e PS-së nënkuptohet në më të shumtën e konteksteve si pohim ose miratim, më pak si dyshim ose testim në kah të kundërt.
Kostoja më e rëndë e mosmbajtjes qëndrim është prodhim konfuzioni, i cili transmetohet me shpejtësi nga jashtë partisë, brënda saj, nga një zë personal i veçuar, në zë i mbështetur dhe e më pas në grup zërash duke kërkuar një ditë të bukur të zyrtarizohen si qëndrim real politik i partisë.
Dhe në fakt hapi i dytë nuk vonoi. Relativisht shpejt zelli gazetaresk qëmtoi edhe një tjetër zë nga PS-ja, i cili përmes një retorike të qartë, e shndërroi “lapsusin”, të paktën parcialisht, në një propozim për qëndrim të PS.
Ndonëse dukuria u shfaq për së dyti, jo domosdo PS-ja duhet të mbajë qëndrim publik, por po aq e vërtetë është se kostoja e mosmbajtjes qëndrim shumëzohet. Opinioni është shumë më i prirur të besojë se qëndrimi politik i vetë PS ka ndryshuar kah dhe është tani pro Nanos president.
Megjithatë ka një zgjidhje tepër të thjeshtë, që e bën krejt të panevojshme mbajtjen e një qëndrimi partiak ndaj këtyre zërave personalë eksponentësh partiakë pro Nanos president. Zgjidhja është antikonformizmi nga pjesa tjetër e partisë. Pra të tjerë eksponentë duhet të prononcohen në mënyrë kritike ndaj të parëve, duke përsëritur argumentimin e mosaprovimit të PS-së për Nanon president ose duke e riargumentuar në tërësinë e zhvillimeve më të fundit mosaprovimin për Nanon.
Në këtë rast, antikonformizmi nga personalitete të tjera brenda PS, do qartësonte opinionin publik, se nuk bëhet fjalë për ndryshim kursi të PS ndaj Nanos, por thjesht polemikë këndvështrimesh individuale.
Mungesa e zërave antikonformistë mund të prodhojë si pasojë një lloj trysnie mbi organet vendimmarrëse të PS, trysni që fare kollaj mund të amplifikohet nga rrethana ose ndërfutje të rastit, siç për shembull darkimi Arvizu-Nano ose improvizime ekscentrike nga Berisha, dhe të kishim kështu nga PS një qëndrim të ri, që toleron apo madje edhe mbështet kandidimin e Nanos.
Nanoizëm për anti-berishizëm ?
Ti kthehemi thashethemeve ose politikës së kafeneve. Ka edhe zëra që përpiqen të argumentojnë nevojën e PS për mbështetjen e Nanos, çka do të shtrëngonte Ramën ti adresohet pragmatizmit duke pranuar Nanon president në tkurrje të “Politikës së Re” dhe proklamimit programor “Për një Rilindje Shqiptare”, në këmbim të një sigurie më të shtuar për të triumfuar me votë ndaj korracatës së Berishës. E thënë ndryshe, nanoizëm si pjesë e antiberishizmit.
A ka shance reale për rifutjen në lojë të Nanos ? Por më së pari, a egziston më një “kartë Nano” ?
Tranzicioni i tejzgjatur dhe i pambyllur i politikës shqiptare, pavarësisht labirinteve ku ka kaluar, e ka mbështetur konkurencën politike kryesisht në dy platforma. Në krijimin e kushteve për të kopjuar e vënë në jetë modelin e demokracisë perëndimore dhe në rrënimin e profilit politik të kundërshtarit.
Në kontekstin e dytë, kemi parë se si Berisha përdori me shumë sukses kartën e antikomunizmit dhe antidiktaturës. Por duke qenë vetë një zgjatim gjenetik i atij sistemi, ai i xhiroi gomat në të njejtin mentalitet e në të njëjtat metoda të diktaturës. Ndërsa në fushën ekonomike masa dhe shpejtësia e zhvillimit u frenuan brenda kornizave të “Skenarëve të Katovicës“
Kemi parë Nanon apo Metën të përdorin me po aq sukses kartën e dhunimit të shtetit ligjor dhe të gangsterizimit të ekonomisë së lirë nga Berisha. Një 97 e llahtarëshme, pas së cilës vetëm një mendje e sëmurë mund të përfytyronte se një rikthim i Berishës dikur në pushtet qenkësh i mundur.
E megjithatë, në kundërshtim me ligjet e psikologjisë kolektive, kemi parë Berishën të shfrytëzojë në ekstrem kartën e antikorrupsionit të shkaktuar nga qeverisjet Nano-Meta, të cilat vijuan gjithashtu me një zbatim krijues të Katovicës. Popullit i kish ardhur majë hundës. Korrupsionin e ngritur në sistem dhe barbarinë e reformave privatizuese, demagogogjia e Berishës i sulmoi duke i përqëndruar rruspën dhe bataretë kryesisht mbi kokat zullumqare Meta e veçanërisht Nano. Fushata stigmatizuese arriti kulmin me «Nano ik !». Aq e kish ntrashur zullumin Fatos Nano, saqë me «Nano ik !» u bashkuan edhe pjesë të spikatura të shoqërisë civile, të cilat ishin në fakt po aq kundërshtues ndaj Nanobatërdisë, sa edhe ndaj Berishokatrahurës.
Berisha nuk është se mundi të majtën thjesht me votë, por ashtu siç Nano e meritonte, e përzuri atë nga pushteti. Nga ana tjetër, Nano u kthye në bishtkrehës të Berishës, jo pse u mund, kjo aq i bën një njeriu pa ideal si Nano, por sepse ishin bashkëpunëtorë në zbatimin e Katovicës shqiptare.
Është e vërtetë që Nano ka arritur ti krijojë disa herë «zona të zbrazura» Partisë Socialiste në përballjen me shtet-pushtetin e Berishës, pra kemi pasur në duart e këtij të fundit edhe një «kartë Nano», vlera reale e së cilës për Berishën ka zbritur pikiatë drejt zeros absolute.
E si mundet pra të ketë për PS-në një «kartë Nano» kundër Berishës ?!
Aq më pak një «kartë Nano» asnjëanëse, apo mbi palët.
Kush do ishte garancia, se lloji Nano «mbi palët» do ishte gjetja e duhur ?
Garant për Nanon ?!!!
Edhe sikur të ekzistonte një garant, po moralit të fabulës, kush i del për zot ?
Çdo ta bëjmë «Shtëpinë e Bardhë» shqiptare, mejhane apo kazino ?
Po «Politikën e Re», në cilin kosh ta hedhim ?
Po programin aq shpresëdhënës «Për një Rilindje Shqiptare», kopil në ferrat e Saliut do ta ripagëzojmë ?
Politika është vërtet arti i kompromisit, por unë nuk di që kompromisi të jetë barazvlerës i palaçollëkut.
Darkimi Arvizu – Nano
Nuk do kishim arësye se pse të anatemonim atë darkim, i cili ndoshta ka qenë thjesht një kortezi pa komplekse mes ambasadorit më të rëndësishëm të “trojkës” dhe ish 4 apo 5 herë kryeministrit Fatos Nano.
Por ja që ndoshta, ishte pikërisht ky darkim i një natyre të veçantë, në rrethana gjithashtu të veçanta, që rihapi tashmë të mbyllurin diskutim mbi alternativën aliene «Nano President» dhe që me gjasë zgjoi për prononcime zëra të fjetur brënda PS.
Z. Arvizu është ambasadori i aleatit më dashamirës të Shqipërisë, të shqiptarëve dhe demokracisë në Shqipëri, SHBA-së. Si i tillë ai meriton respektin dhe vëmendjen maksimale jo vetëm nga politika shqiptare, por edhe nga çdo qytetar i aftë për të menduar.
Z. Arvizu është një diplomat karriere me përvojë të gjatë edhe në vënde me kushte të ngjashme politike me Shqipërinë. Shto këtu edhe kohën e konsiderueshme në Shqipëri, ku edhe për shkak të dinamikës marramendëse të zhvillimeve politike ekscentrike zotëron tashmë një pjekuri të admirueshme interferuese dhe këshilluese.
Por kjo megjithatë nuk do të thotë pagabueshmëri absolute, nëse do i marrim të mirëqena spekullimet apo insinuatat mediatike që duan ta paraqesin darkimin si rekomandim të SHBA-ve për Nanon si kandidat konsensual.
Ktë radhë zgjedhja e presidentit ndërthur aq shumë fije dhe është mundësi pikënisjeje për zhvillime aq të rëndësishme, saqë edhe nëse Nano do ishte rekomanduar haptazi nga Z.Arvizu, PS ka detyrimin e patjetërsueshëm që këtë rekomandim ta kalojë me shumë kujdes jo vetëm në sitën e vet, por duke marrë me shumë përgjegjësi në konsideratë edhe opinionin qytetar për këtë rekomandim.
Jo çdo zgjidhje që vlen për të kapërcyer si somnambul mbi një tra të hollë ekuilibri, vlen për ta kapërcyer traun sa herë jemi zgjuar.
Përvoja e padiskutueshme e z. Arvizu nuk do të thotë se ai ka ndaj problemit të njejtën ndjeshmëri si ne shqiptarët, të njejtën përgjegjësi për zgjedhjen, apo aq më pak të njejtën vuajtje a pendim nesër për gabimin e sotëm.
Fundja ai e «merr dekoratën» për kapërcimin me sukses të momentit dhe ndjek gjetkë rrugën e tij apo del në pension, ne mbetemi këtu dhe përballemi me pasojat edhe kush e di se sa kohë më pas.