Nga Spartak Ngjela*
Që pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore e deri tani në shekullin e ri, Shqipëria vijimisht është quajtur “një rast i veçantë”. Në të vërtetë ky “rast i veçantë” gjithmonë s’ka qenë gjë tjetër veçse një nënvleftësim që i është bërë shoqërisë shqiptare në historinë politike të saj. Kjo është arsyeja që ajo ka qenë gjithmonë një shoqëri e neglizhuar ndërkombëtarisht, deri aty sa, për periudhën e gjatë të komunizmit, askush nuk u interesua normalisht për fatin e saj. Pikërisht nga kjo përfitoi Enver Hoxha, që pasi e zuri peng një popull të pafajshëm me ushtritë e tij që dolën nga rezistenca e Luftës së Dytë, e trajtoi atë në mënyrat më barbare, i qetë dhe i pangacmuar pothuajse fare nga interesimi demokratik perëndimor, të paktën që nga vitet pesëdhjetë.
Të izoluar, shqiptarët kurrë nuk kanë votuar deri në vitin 1991. Po ja që fati i tyre erdhi sërish dhe hyri në hullinë e neglizhimit, nënvlerësimit dhe kjo sidomos pas vitit 1997. Edhe sot ndodh e njëjta gjë: shqiptarët ende nuk kanë të drejtë që ta zgjedhin lirshëm lidershipin e tyre qeverisës dhe askush nuk i ndihmon. Përkundrazi, zgjedhjet e fundit politike të këtij viti e treguan këtë edhe më dukshëm. Monitoruesit e huaj, ndonëse panë gjithçka, u bashkuan me tiraninë. Megjithëse në raportin e tyre thuajse i kanë thënë të gjitha, pra i kanë trajtuar shqiptarët si një popull të dorës së dytë. Dhe kjo është sigurisht e rëndë, por jo vetëm kaq, por edhe ka revoltuar shqiptarët.
Por, deri kur do të vijojmë ne shqiptarët të konsiderohemi si të tillë, si një popull i nivelit të dytë dhe jashtë qytetërimit perëndimor dhe demokracisë perëndimore gjithashtu? Ne do të trajtohemi si të tillë derisa vetë të kemi mundësinë që të zgjedhim qeverinë tonë. Të krijojmë institucionet e pavarura në Shqipëri dhe të vendosim drejtësinë. Kjo është vetëm detyra jonë, e cila duket se ka marrë udhën e formimit të saj.
Efikasiteti i kësaj rruge do të varet nga vetë shqiptarët dhe ata e kanë marrë udhën e ngritjes dhe lartësimit të tyre në historinë politike të Evropës. Ngjarjet e këtij muaji e treguan qartë këtë. Në datën 20 nëntor i gjithë opinioni publik botëror, e sidomos ai perëndimor e panë qartë mobilizimin gjigant e me plot përgjegjësi të njëqind mijë shqiptarëve që mbushën sheshin dhe bulevardin kryesor të Tiranës. Kjo ishte hera e parë që në historinë tonë, shqiptarët u ndërgjegjësuan kundër një regjimi uzurpator për ta goditur atë në pikën më të dobët: tek manipulimi i procesit zgjedhor, duke i kërkuar për këtë hapjen e kutive të votimit për një rinumërim të tyre.
Në fakt, këtu nisi beteja e madhe historike e votës më anë të së cilës do të arrihet më në fund që të dilet nga qerthulli absurd i nënvlerësimit shoqëror që u bëhet shqiptarëve, por për rëndësinë e kësaj proteste do të flitet gjatë në historinë tonë të demokracisë. Njëzet nëntori tregoi se shqiptarët janë në ndërgjegjen e tyre reale të lirisë. Një popull që nuk di se çfarë të kërkojë; një popull që nëpërkëmbet dhe nuk proteston, është i destinuar të mbetet i varfër, i pazhvilluar dhe me një histori të trishtë. Pse, a nuk e kemi pasur ne shqiptarët historinë të trishtë, sepse nuk kemi ditur të kërkojmë e mbrojmë të drejtat tona?
Ja kjo është jehona e njëzet nëntorit, e cila e hapi më në fund hullinë tonë të dinjitetit dhe e trembi tiranin dhe shpurën e tij. Kurrë nuk mund të rrezikohet nga tirani një popull, i cili e ka arritur stadin e domosdoshëm për të pasur mundësi reale e institucionale që të rrëzojë çdo qeveri, madje që me abuzimin më të vogël që konstaton tek kjo qeveri. Shihni me vëmendje historinë tonë të këtyre nëntëmbëdhjetë viteve të fundit: asgjë nuk ka ndodhur, ndonëse abuzimi me pushtetin ka qenë diskreditues dhe kjo vjen vetëm nga fakti që nuk mund të votosh i lirë. Gjithmonë do jetë abuzues ai pushtet politik që vjen në fuqi me vota të manipuluara. Është e qartë: komunizmi shqiptar dhe vetë komunizmi botëror ishte një rend e pushtet abuzues e terrorist, sepse nuk e kishte lënë asnjëherë popullin që të votonte i lirë. E pra, pyetja që po ngrenë shqiptarët tani është kjo: kur do të votojnë të lirë shqiptarët?
Pas protestës së 20 nëntorit, koha e votës së lirë në Shqipëri është afruar shumë.
Por kjo do të varet shumë nga qëndrimi i opozitës së bashkuar. Ajo duhet të jetë e qartë, dhe skema e saj e zgjedhur: një bojkot masiv kundrejt një parlamenti që nuk ka dalë me anë të votës së lirë dhe revolta masive me një sens të gjallë protestues janë padyshim dy anë të një procesi bashkues që do të sjellë domosdoshmërisht rrëzimin e tiranisë në Shqipëri. Bojkoti parlamentar i 65 deputetëve të një parlamenti me 140 anëtarë sigurisht që është një bllokim total i punës së tij. Nëse vijon të mblidhet ende ky parlament, kjo tregon se mazhoranca është një pseudomazhorancë që ka dalë për të abuzuar me popullin e vet dhe jo për të qeverisur. Dhe ajo duket që nga vetë ato pseudoaleanca që ka bërë deri tani. Por më e dukshmja do të jetë kjo: do të vijojë ende të luajë një teatër kukullash në vend të një parlamenti demokratik? Kjo pa dyshim do të varet nga qëndresa e deputetëve opozitarë të cilët duket sheshit se janë të tillë: të qëndrueshëm deri në fund, sepse e kanë kuptuar se me aktin e tyre kanë hyrë që tani në historinë e iluminuar të Shqipërisë.
Ja kjo është arsyeja që e ka bërë të rrëshqasë krejt psikikisht kryeministrin aktual. Atij i janë provuar ndërkohë nga kjo lëvizje që ka nisur, dy aspekte të karakterit të tij tiranik. E para, duke mos hapur kutitë provon që ka manipuluar procesin zgjedhor në Shqipëri dhe e dyta, duke mbajtur në këmbë një parlament me gjysmën e tij jashtë, e urren popullin e tij dhe nuk ka ardhur për të qeverisur me përgjegjësi por për të sunduar me abuzivitet, si edhe katër vitet, 2005-2009.
Këto janë prova të mëdha. Po ta shohësh në sensin e trajtimit të historisë aktuale, Sali Berisha po diskreditohet dita-ditës. E para, çfarë mund të bëjë ai me një parlament që nuk kryen dot asnjë reformë? Çfarë do të bëjë me një popull të sensibilizuar që nuk e pranon, sepse e ka kuptuar që ka manipuluar personalisht zgjedhjet e 28 qershorit? Çfarë do të bëjë me të ardhmen perëndimore të Shqipërisë, e cila pret reforma? Të gjitha këto kanë një përgjigje: të qeverisësh me një gjysmë parlament dhe me reforma të bllokuara tregon se ke ardhur në pushtet për vete dhe jo për të drejtuar shoqërinë. Ti anatemosh protestat popullore si dhunë kundër institucioneve, kur ti vetë i ke uzurpuar institucionet si një kryeministër i pavotuar, tregon frikë, sepse ke zbardhur befas të pandërgjegjshmen tënde. Me një fjalë, Berisha i tregon hapur kujtdo që di të mendojë se ky kryeministër është i trembur dhe brenda kësaj gjendje ankthi, duke mos pasur një psikikë të pastër, shpërthen më mllef dhe jo me arsye; kërcënon me fjalë të ulëta dhe jo me gjykime, dhe e ka humbur krejt sensin analitik të trajtimit të gjërave, ndonëse në fakt nuk e ka as natyralisht këtë lloj sensi në ndërtimin e intelektit të tij.
Kjo është tabloja e gjërave në Shqipëri: një gjendje politike pa parlament, dhe mbi shtatëqind mijë shqiptarë që presin në mënyrë të shkallëzuar të marrin pjesë në protesta. Por, po t’i shtosh këtyre edhe gjendjen e rëndë ekonomike, atëherë e kupton se kjo lloj qeverisjeje nuk ka aspak perspektivë. E gjithë perspektiva që mendojnë me ç’orientim psikik liderët e kësaj pseudomazhorance, që janë futur në këtë hulli si pasojë e çrregullimit psikik të kryeministrit të tyre, është një spontanitet që mund të vijë nga rasti. Kjo gjendje është e pashpresë për këtë pseudomazhorancë.
Por cila është shpresa e shoqërisë se do të realizohet më në fund ëndrra e shqiptarit për një qeverisje demokratike? Natyrisht, rrjedha e pamundësisë së ecjes së kësaj qeverie në këtë lloj mënyre iu ka dhënë atyre shpresën dhe bindjen se më në fund do të dalin nga kjo gjendje e rëndë. Sot, me këtë rrjedhim të ngjarjeve, Sali Berisha ka vetëm një rrugë: të vendosë diktaturën e tij ushtarake. Por a ka mundësi? Kjo pa dyshim është një pamundësi absolute. Atëherë ai është i pashpresë sepse hapja e kutive të votimit e ndëshkon rëndë, deri në eliminimin përfundimtar të tij nga skena politike. Kurse mospasja e parlamentit reformues, në një kohë që shoqëria shqiptare dëmtohet nga kjo moskryerje, e bën atë inekzistent politikisht. Prandaj, sot ka vetëm një rrugë: një qeveri e përgjegjshme reformuese e të gjitha palëve; krijimi i saktë i të gjithë infrastrukturës zgjedhore që do të garantohet nga kjo qeveri e përbashkët, dhe zgjedhje të reja brenda një periudhe nga gjashtë deri në tetë mujore. Kjo është e vetmja zgjidhje; vonesa nuk e ndalon këtë opsion, por dëmton vetëm shqiptarët.
* Marrë nga revista “Mapo”