Lorenc Vangjeli, 03.02.2011
Vetëm Halimi nuk e dinte! As nuk ia thanë dhe as nuk e paralajmëruan që NATO-ja është “edhe qar, edhe zarar”. Thjesht e harruan. Të mërkurën në mbrëmje, gjithkush e dinte se çfarë do të ndodhte në Kuvend, por Halimi i PD-së, jo. E dinte Presidenti i Republikës, e dinte Prokurorja e Përgjithshme, e dinte drejtori i ShISh-it, me siguri e dinte si profesionist edhe ish-ministri i Drejtësisë, Alibeaj. Natyrisht, mbi të gjithë e dinte kryeministri i vendit, zoti Sali Berisha, por Halimi zgjodhi të mos dijë.
Zgjodhi të mos mësojë se dje drekë, për shembull, puçi i 21 janarit, mori një përmasë ndërkombëtare dhe aktorë ndërkombëtarë. Që me puçistët e Edi Ramës u bashkua, fjala vjen edhe Tania Fajon dhe pastaj gjithë Parlamenti Europian. Madje, edhe Nikoll Lesi, zëvendësministër i Kulturës, pothuaj në kohë reale, kundërshtoi shefin e tij në qeveri për një pikë të hetimit parlamentar, hetimin e gazetarëve, duke dhënë vetë provën e rreshtimit të tij me puçistët.
Për “ngjarjet në Bulevard” janë kërkuar shumë krahasime. Dashnori i historisë, njëherësh kryeministër i vendit, zoti Sali Berisha, e ndali krahasimin e janarit me “grushtin e shtetit të qershorit” të Peshkop Nolit. Në fakt, ka një tjetër krahasim që mund të bëhet shumë më qartësisht me çfarë po ndodh në Shqipëri në këtë dimër të nxehtë: ai është krahasimi me marsin e vitit 1967, kur Enver Hoxha u sul si otomanët motit mbi kishat për t´i kthyer në vatra kulture dhe shkatërroi edhe xhamitë, që pësuan të njëjtin fat. Në të njëjtën mënyrë si Hoxha në marsin e ’67-ës, në javën e katërt të janarit 2011, zoti Berisha iu sul të gjitha institucioneve, edhe Presidencës, edhe Prokurorisë së Përgjithshme, edhe ShISh-it, edhe një pjese të medias dhe gjithçkaje tjetër jashtë oborrit të tij, duke i përfshirë në oborrin e puçistëve. Për të ndërtuar në vend të tyre, vatrën e pushtetit të tij vetjak.
Kjo ishte dhe është, në fakt, një dramë me shumë akte, e cila ka në themel një megamashtrim të jashtëzakonshëm, që u sendërtua dhe konsumua ditë mbas dite në sy të të gjithë publikut. Fillimisht Kryeministri përcaktoi diagnozën e “sëmundjes” – është puç – dhe më pas, zuri të kërkojë shkaqet që e shkaktuan dhe pastaj, përcaktoi edhe ndërhyrjen klinike të shërimit të saj. Domethënë, përcaktoi si aksiomë se në Shqipëri pati një grusht shteti dhe u vu ta vërtetojë teorinë e tij mbi këtë aksiomë. Në ndjekje të elementëve që literatura thotë se duhet të jenë të pranishëm në një akt të tillë, shtoi që nga armët – dhe këtu nuk përjashtoi edhe thikat me helm – edhe elementë të pushtetit apo institucione të veçanta pjesëmarrës në të. Pa u ndalur këtu, përfshiu edhe etapat e tjera të grushtit të shtetit, sulmin mbi Parlamentin, ministritë kyçe e radiotelevizionin publik. Asgjë nga këto nuk kishin ndodhur, por kjo nuk kishte rëndësi; sa më i madh mashtrimi, aq më e lehtë beteja përpara opinionit publik, që rrekej të nxirrte për herë të dytë mbas 1997-ës burrin e fortë të politikës shqiptare, si viktimë të një komploti shumëkahësh. Këtë gjë, natyrisht, arrinte ta kuptonte dhe Halimi. Por ajo që nuk iu tha kurrë as atij dhe askujt tjetër, ishte tjetër gjë. Shumë herë më e rëndësishme se gjithçka tjetër. Një sekret që kishte të bënte me strategjinë e Doktorit, këtij mjeshtri të bllofit, që në të vërtetë, sa më shumë sulmon, aq më shumë përgatitet për tërheqjen e madhe. Tërheqjen vetjake. Për hir dhe për llogari të fatit të tij vetjak.
Kryeministri sulmoi gjithçka e gjithkënd, që nesër, në tryezën e pashmangshme të bisedimeve me “puçistët” të “shiste” njëra pas tjetrën “fishat” që kishte fituar me ndihmën e halimëve. Këto ditë, Kryeministri do të shesë Komisionin hetimor parlamentar, sepse dublon hetimin e organit të akuzës; do të heqë dorë nga përfshirja e Presidentit në puçin e janarit, sepse Ai është unitet i kombit; do të harrojë Ina Ramën, sepse Zonja është institucion i pavarur; nuk do të ndihet më për gazetarët Balla, Çakuli, Baze e Bushati, sepse liria e medias është e shenjtë; dhe natyrisht, do të heqë nga vështrimi edhe ShISh-in, thjesht sepse shërbimin nuk e ka të vetin. Dhe kështu do të mbërrijë aty nga ku nuk mund të shmanget në asnjë mënyrë: gjetja me detyrim dhe përcaktim të zgjidhjes politike të krizës që ka shkaktuar vetë politika. Me burim 28 qershorin e vitit 2009.
Edhe një infermier e di se në një sëmundje të ngjashme me atë që ka sot politika shqiptare, fillimisht ndërhyhet me operacion e pastaj bëhet kimioterapi dhe jo e kundërta. Metastazat janë pikërisht më 28 qershor.
Ka dhe më shumë. Gjithë këto ditë është përmendur shumë shpesh NATO-ja. Njëra palë thoshte se grushti i shtetit në një vend të NATO-s është i papranueshëm, pala tjetër thoshte se çfarë po ndodh në Shqipëri, është standard i ish-Traktatit të Varshavës dhe jo i NATO-s. Hilacake dhe meskine, siç është politika zyrtare shqiptare që artikulohet nga dy godinat kryesore të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, deri tani i ka kërkuar NATO-s qarin, por shpejt do t´i njohë dhe zararin. Që do të thotë se në një vend që është pjesë e Aleancës Atlantike ka ndarje dhe pavarësi pushtetesh. Se në një vend diktatorial, siç ishte Shqipëria e Hoxhës, për shembull, halle si të 21 Janarit mund të zgjidheshin të gjitha direkt nga zyra e Sekretarit të Parë dhe në mënyrë të menjëhershme: përcaktoheshin fajtorët dhe drejtësia i dënonte siç përcaktonte Sekretari i Parë në Tablonë e Tij Sinoptike. Kurse në një vend demokratik, institucionet vërtet janë më “të ngadaltë”, janë edhe “burokratikë e të shitur te puçistët”, por duhet të funksionojnë si rrotat e një makine 4 x 4 në terren të vështirë. Të pavarura nga njëra-tjetra. Secila rrotë duhet të bëjë rrugën e saj, pavarësisht Timonierit.
Sot, kryeministri Berisha është më i dobët se kurrë. Sot ai nuk ka guxim të shkarkojë as zëvendësministrin e tij të Kulturës, ish-botuesin e njohur Lesi, që ndoqi jo vetëm instinktin e racës për t´u bërë palë me gazetarët kundër eprorit të tij. Nuk e shkarkon dot, sepse e di që një veprim i tillë do ta bënte Lesin të ndiqte instinktin e tij politik dhe të ndodhej në krahun tjetër të barrikadës. Dhe që andej do t´i shtonte shumë telashe me gjuhën brisk që ka në dispozicion.
Sot, kryeministri Berisha nuk ka pse të ankohet nga Silvia Konti, siç e quajti dikur Prokuroren e Përgjithshme. Kushdo tjetër në vend të zonjës Ina Rama do të vepronte në të njëjtën mënyrë: do të refuzonte t´i përgjigjej komisionit Halimi, sepse refuzohet të shkelet Kushtetuta. Ina Rama është vërtet një grua e brishtë, por Kryeministri e di mirë se zyrtarja Ina Rama është shumë herë më e fortë se të gjithë burrat që i vuri përballë në Komisionin Hetimor.
Kryeministri e di, sot mallkimi i tij është parimi kushtetues i “check and balance” të pushtetit. Si në vendet anëtare të NATO-s. Nga dje në mbrëmje, kaq gjë e mësoi dhe Halimi i PD-së.
Nuk mbaron këtu. Nga java tjetër, kryeministri Berisha do të bëjë dhe një shkrepje tjetër me fishek manovre: do të flasë me shqetësim për nevojën e krijimit sa më shpejt të qeverisë në Republikën e Kosovës, por dhe situatën në rajon dhe stabilitetin në përgjithësi. Dhe nga ky moment, nuk ka më shumë hapësirë për të luajtur. Mbetet vetëm të pritet që uji që rrjedh, pavarësisht sesa urave do t´u kalojë nën këmbë, do të derdhet detyrimisht në det. Domethënë, në zgjedhje të parakohshme, sepse vetëm ky lloj uji mund të shuajë zjarrin që nuk u ndez më 21 Janar, por iu dha shkëndija në 28 qershor. Një zjarr që më pas u ushqye me paaftësi, korrupsion dhe dhunim të pavarësisë dhe ndarjes së pushteteve në vend. Në këtë kuptim, puçistët, sot nuk janë aty ku i kërkon Komisioni Hetimor. Ata janë të gjithë në qeveri, kurse ndodhen qytetarët në rrugë dhe në pritje të rishpalljes së sovranitetit të tyre mbi këtë vend. Në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen në pranverë.
*Nga MAPO







