Andrea Stefani
Po mbushet një vit që kur u ndez kriza politike për transparencën e votës dhe as “ndërkombëtarët” dhe askush nuk po mundin të gjejnë zgjidhje për të. Dhe, me sa duket, nuk do të ketë një të tillë. Sepse tashmë po bëhet e qartë edhe për jo pak nga ata që kanë ushqyer iluzione për natyrën e Berishës, se Kryeministri është një autokrat që e ka ndërtuar karrierën e tij jo mbi të drejtën po mbi manipulimin, jo mbi votën e lirë, por mbi votën e vjedhur, jo mbi meritën, por mbi forcën.
Arsyeja nuk ka bërë dhe nuk bën punë me Berishën. Ai drejtohet nga “arsyeja” e forcës. Kështu, më 26 maj 1996 dhe po kështu në 28 qershor 2009. Dhe në vazhdim. Atëherë si i bëhet që Shqipëria rrezikon shumë e mbetur edhe për më shumë në moçalin e një krize, që ambasadori amerikan, Withers i cilësoi, qeverisëse? Të shpresosh se Sali Berisha do ndryshojë qëndrim duke i bërë opozitës dhe “ndërkombëtarëve” lëshime për një transparencë që e diskrediton duke ofruar prova të manipulimit dhe vjedhjes së votës, do të thotë të mos kesh mësuar asgjë jo nga një vit krizë, por as nga 20 vjet rropatje në gropat e krizave të tranzicionit që hap Sali Berisha.
Fati i tij politik duhet ndarë nga fati i Shqipërisë, fati i pushtetit berishist duhet ndarë nga ai i shtetit. Sepse vetëm në shoqëritë totalitare fati i vendit përcaktohet nga fati i liderit në pushtet. Vetëm nën diktatura të tipit eneverian lideri i partisë në pushtet e tërheq zvarrë fatin e vendit pas disa interesave të pushtetit që nuk përputhen me ato të shtetit. Prandaj zgjidhja duhet kërkuar në përvojën e demokracive perëndimore. Në demokraci kriza të tilla qeverisëse zgjidhen duke ndërruar kabineteve qeverisëse me anë të zgjedhjeve të parakohshme.
Demokracia i zgjidh krizat e rënda ose me konsensus ose, aty ku mungon ai, me demokraci. Dhe thelbi i demokracisë janë zgjedhjet e lira e të ndershme. Prandaj “ndërkombëtarët” në vend që të humbasin kohën me shpresa të kota me “krokodilë” duke diskredituar edhe vetveten, do të bënin mirë të “sugjeronin” sa nuk është vonë, kalimin e vendit në zgjedhje të parakohshme.
* * *
Të enjten që vjen mbaron afati dyjavor i ofruar nga “ndërkombëtarët” për gjetjen e një konsensusi mes PD dhe PS. Por konsensusi nuk po duket në horizont. Sikundër pritej, pika a papajtueshme janë fletët e votimit. Berisha thotë që duhet të digjen ndërsa Rama kërkon të kundërtën. Duket se çështja është bërë hamletiane edhe për “ndërkombëtarët”. Një grup ekspertësh që sapo vizitoi Tiranën nuk dihet se ç’po gatuan në prapaskenën e politikës, por koha që edhe europianët të flasin qartë po afron.
Po vjen momenti që edhe ata, pasi janë ballafaquar edhe me ligjet shqiptare dhe jo vetëm me atë që thonë palët e politikës, duhet të prononcohen si është e drejta e pavarur nga politika. Në fakt, ajo që u shpall si ultimatum për politikën shqiptare dhe akoma më shumë për Berishën, po rezulton se është edhe vetë një ultimatum për europianët. Pas ditës së etje, që po afron, ata nuk mund ta shtyjnë më me fraza tipike për ca magjistrica makbethiane. Po vjen momenti që Europa të flasë troç se kush e ka fajin për përzgjatjen e krizës dhe se si mund të dilet nga ajo. Faji nuk mund të jetë më një qyrk që e veshin njëherazi edhe pozita edhe opozita.
* * *
Është e vështirë të flasësh troç kur nuk ekziston një zgjidhje e mesme që kënaq të dy palët. Është e vështirë të flasësh troç kur duhet të dalësh kundër njërës palë. Por vjen një moment kur e vërteta dhe e drejta duhet të prevalojë mbi palët, simpatitë apo antipatitë për to. Dhe ç’mund të thuhet troç, përcaktohet nga vetë dinamika e zhvillimeve që na kanë sjellë deri këtu. Për hir të së vërtetës duhet thënë se që nga momentet kur nisi protestën për votën e lirë, opozita ka bërë një sërë lëshimesh. Dëgjoi këshillën e “ndërkombëtarëve” se vendi për zgjidhjen e krizës është Kuvendi dhe prandaj ndërpreu bojkotin dhe u paraqit në Kuvend.
Në të kundërt, pozita në vend që të shfrytëzonte atë moment në favor të zgjidhjes së krizës, i imponoi tiranikisht opozitës, me dhunën e kartonëve, një komision hetimor që mund të hetonte gjithçka, por jo se çfarë fshihet brenda kutive të votimit. Praktikisht, kjo do të thotë të hetosh asgjë. Më pas opozita propozoi edhe hapjen e kutive të votimit në disa zona që nuk kanë qenë objekt i shqyrtimit nga Kolegji Zgjedhor duke hequr dorë nga hapja e kutive në Shkodër, Berat dhe Tiranë. Edhe pse, për hir të së vërtetës, vendimi ndalues i Kolegjit Zgjedhor nuk kishte të bënte me të gjithë kutitë e këtyre zonave, por vetëm me kutitë e disa njësive në këto zona.
Qe një propozim që shmangte të ashtuquajturin “cenim të vendimit të gjykatave” që mbetet kryealibia e Berishës dhe berishistëve kundër transparencës. Por pozita nuk e pranoi as këtë zgjidhje, në fakt të mesme, duke spekuluar në mënyrën më absurde sikur vendimi i Kolegjit Zgjedhor nuk lejon hapjen e kutive jo vetëm në disa njësi zgjedhore tri zonat e shqyrtuara prej tij, por në të gjitha zonat zgjedhore të Shqipërisë! Praktikisht, ata thonë se ligji dhe Kushtetuta nuk lejojnë transparencën. Kokëfortësia e pushtetit për të mos bërë asnjë lëshim që do t’i hapte rrugën transparencës, e detyroi opozitën të ndërmarrë një grevë urie, e cila rrezikoi të tejkalonte limitet fizike të pjesëmarrësve duke rezultuar në tragjedi, pikërisht për shkak të kokëfortësisë së Berishës për të mos i hapur rrugë transparencës.
Dhe opozita përsëri dëgjoi këshillën e “ndërkombëtarëve”, doli nga greva e urisë për t’i hapur përsëri shtegun një marrëveshjeje. E paralajmëruar fillimisht nga një deklaratë e Bosch, shefit të zyrës së OSBE në Tiranë, por e detajuar më vonë në media dhe deklarimet politike të opozitës, një marrëveshje e tillë parashikon hapjen e materialeve zgjedhore dhe për sa u takon fletëve të votimit, gjykimi i lihet Komisionit të Venecias. Është një marrëveshje që bën të vetën edhe një tezë të shumicës për futjen në lojë të Komisionit të Venecias, gjë që e vesh atë me elementë konsensualë. Por Berisha duket se nuk do të lëshojë edhe në këtë pikë.
Ai dhe njerëzit e tij, hoqën dorë nga edhe Komisioni i Venecias dhe po këmbëngulin tani në djegien e fletëve të votimit duke tentuar në fakt, të djegin të gjithë shansin e marrëveshjes së listuar prapa menysë së restorantit “Krokodil”. Po vërtetohet ajo që është thënë me kohë se Berisha ka hyrë në konflikt antagonist me transparencën. Kjo e fundit i rrezikon pushtetin e arritur me vota të vjedhura prandaj edhe duhet penguar me çdo kusht, edhe në kurriz të integrimit të Shqipërisë. Kështu, ky “hero” i demokracisë dhe integrimit, del sot në pozitën e antiheroit që është i gatshëm të sakrifikojë demokracinë dhe integrimin e Shqipërisë në altarin e pushtetit të tij personal. Dhe çdo të bëjnë “ndërkombëtarët” në këtë rast?
Do pezullojnë procesin e integrimit, sikundër edhe kanë paralajmëruar, për shkak se palët nuk arrijnë dot një zgjidhje, sepse zgjidhja sabotohet nga Kryeministri? Por duke vepruar kështu “ndërkombëtarët” nuk do bëjnë gjë tjetër veçse do plotësojnë një epsh të fshehtë të autokratit Berisha në kurriz të aspiratave europiane të shumicës së shqiptarëve. Prandaj do të ishte më e udhës që ata të shpreheshin qartë për një zgjidhje të llojit që respekton ofertat hedhura nga të dy palët. S’ka rëndësi se dikush mund t’i ketë bërë oferta të tilla sa për bllof politik.
Një e tillë është ajo që sugjeron hapjen e materialeve zgjedhore, tashmë e pranuar nga të dy palët, dhe për sa u takon fletëve të votimit, të vendosë një i tretë, Komisioni i Venecias. E nëse një ofertë e tillë kundërshtohet nga Kryeministri Berisha në “respekt të ligjit dhe Kushtetutës”, dhe me shumë gjasa kështu do të ndodhë, atëherë për të shmangur tensione politike me potencial destabilizues në rritje, i vetmi shpëtim do të ishin zgjedhje të parakohshme. Por këtë herë me transparencë të garantuar dhe të papenguar nga “ligji” apo “Kushtetuta”.