Veshgjati ministër

0
99

Dr. Adem Harxhi, 15.08.2010

Para disa ditësh në një nga gazetat e vendit “on line”, lexova se në shtator do të ketë ndryshime kabineti. Ky lajm më solli ndërmend një anekdotë, që Abraham Linkolni e tregonte sa herë rrethohej, prej atyre, që i kërkonin t’u epte poste zyrtare.

Si tifoz i humorit të A. Linkolnit (për të kam shkruar edhe herë tjetër), kam kuptuar se njerëzit, përgjithësisht, i pëlqejnë historitë nga ky burim i shquar.

Me shpresën se mos ndihmon në rastin konkret, po e sjell parabolën, ashtu siç e
shkruan Carl Sanburg, në Volumin e II-tw të librit “War Years”,

Ja, parabola e Linkolnit:

“Një herë, kam lexuar historinë e një mbreti, që thirri Ministrin e Oborrit dhe i tha se dëshironte të shkonte për gjah. Ai e pyeti ministrin nëse do të binte shi. Ministri iu përgjigj, se koha do të jetë e mrekullueshme, nuk do të bjerë shi dhe Mbreti mund të shkonte për gjah.

Suita mbretërore duke shkuar për në vendin e gjuetisë, takoi një fshatar që ia kish hipur një veshgjati. Fshatari i tha mbretit të kthehej mbrapsht, sepse shpejt do të fillojë shiu. Mbreti qeshi dhe suita vazhdoi rrugën. Pa filluar akoma të gjuanin, filloi një rrebesh shiu. Uji u hyri deri në palcë mbretit dhe shoqëruesve të tij. Mbreti, me t’u kthyer në pallat, e flaku nga puna ministrin dhe emëroi në vend të tij fshatarin.

– “Pa më thuaj”, i tha mbreti fshatarit, “si e dije ti që do të binte shi?”

– “Nuk e dija unë, Madhëria Juaj” tha fshatari dhe vazhdoi “gomari im e dinte. Ai i çon veshët përpara kur do të bjerë shi dhe i kthen nga prapa kur do të jetë kohë e thatë”.

Mbreti e flaku edhe fshatarin dhe mori gomarin, të cilin e vendosi në vend të Ministrit.

“Kjo ishte historia” u thoshte Linkolni atyre që e rrethonin dhe kërkonin punë, dhe me njëherë vazhdonte,” …Por mbreti bëri një gabim të madh… sepse që nga ajo kohë, çdo gomar dëshiron të ketë një zyrë.”