Vërtet nuk të dëgjon Berisha zoti ambasador?

0
50

Nga Arben Manaj, 17 Tetor 2012

U bënë disa ditë që kryeambasadori i të huajve në Shqipëri nuk ishte ndjerë dhe në një prononcim të ri shprehu pakënaqësinë e tij ndaj mosdëgjimit që i bën pushteti i Berishës dhe ai vetë, këshillave dhe sugjerimeve të Amerikës për çështjen e të përndjekurve politikë në grevë urie.

Në pamje të parë kjo është e habitshme, e më pas edhe qesharake, por edhe e frikshme për Berishën, nëse është e vërtetë.

Unë jam një nga ata njerëz që jam kundër rolit tejet të madh të të huajve, sidomos në publik, në vendimmarrjet politike të vendit tim, kur ai tashmë është thuajse edhe në paradhomën e Evropës politike.

Por bota e vogël shqiptare është e atillë, edhe pse jo e pangjashme me vende të tjera të së njëjtës madhësi dhe rëndësi gjeopolitike për interesat e fuqisë më të madhe politike, ekonomike, ushtarake dhe diplomatike në botë, Shteteve të Bashkuara.

Nuk është faji ynë, por do thosha fati ynë, që ju si vend jeni ai që jeni dhe keni në krah dhe miqtë më të mëdhenj të shqiptarëve.

Po ashtu, nuk është faji ynë që ju jeni investuar, dhe jo vetëm ju personalisht si ambasadori i radhës së Uashingtonit në Tiranë, por të gjithë paraardhësit tuaj në botën politike shqiptare, saqë të gjithë shqiptarët i kanë sytë dhe veshët tek ndikimi juaj, nëse politikanët e pagdhendur shqiptarë nuk sillen si evropianë apo perëndimor në politikë.

Ndaj çdo investim, ndërhyrje, apo edhe “dështim” i amerikanëve në Shqipëri shikohet dhe analizohet ndryshe. Aq më tepër, nëse bëhet fjala për “dështim”!

Po ashtu, nuk është faji ynë kur ju me ose pa të drejtë, kryeministrin e radhës që koincidoi të jetë në këtë post gjatë mandatit tuaj diplomatik, e keni quajtur “Burrë Shteti”, i cili tani rezulton se qenka “i tmerrshëm”, që ne e dimë dhe sërish ju këtu keni humbur një tjetër bast me shqiptarët.

Rasti i grevistëve të ripërndjekur politik, sërish ju thërret ju në skenë dhe përderisa i keni hyrë kësaj praktike diplomatike jeni i detyruar të merrni kompetenca, edhe pse të paautorizuara nga vota e popullit, për të ndikuar në vendimet politike në vend. Dhe në këtë mes janë shumë faktor dhe elementë në rrezik humbje të dinjitetit.

Ju për hir të së vërtetës, ishit i vetmi që ndërmorët veprimet e para për të mundësuar negocimin mes grevistëve dhe presidentit që nuk qullosi gjë, edhe pse nuk kishte pritshmëri, pasi ai, sic e dini më mirë se ne, ka eprorë.

Nuk po flas për përfaqësuesit e tjerë diplomatik evropiane në Tiranë apo atë të OSBE-së, që më shumë prishin punë sesa ndreqin, plus që për ta, siç është demonstruar në mënyrë të përsëritshme, faktikisht kryeministri nuk ka respekt, por thjesht zbaton protokoll.

Fatkeqësia ose fatmirësia e zhvillimeve në Shqipëri është se kjo punë u ka ngelur juve në dorën dhe shtetit tuaj, që nëse realisht do, e hedh ujin përpjetë në erë, dhe jo vetëm ujin ne erë…

Kjo duket tek shpresa që kanë grevistët tek ju. Ju jeni i vetmi që mund të ndikoni realisht dhe këtë e beson edhe një fëmijë nga ata të cilët Berisha i përdhunon verbalisht kur u fanepset nëpër shkolla.

Nëse Berisha nuk pyeskërka për Amerikën, siç e thashë më lart, Zoti e ruajt atë (megjithëse edhe me Zotin ka filluar të shkëmbej mesazhe… dhe përsëri them e ruajtë Zoti, i cili kur do të marr një njeri i merr mëndtë në fillim)

Ndaj zoti Arvizu, nëse vërtetë kryeministri nuk “ua vika në pullë” themi ne shqiptarët, juve dhe shtetit që ju përfaqësoni, këtu janë dy gjëra; ose vërtetë është ashtu siç thoni ju, se ai qenka “i tmerrshëm” në komunikim, siç deklaruat.

Ose këtu ka diçka të pasinqertë, e që të jem i sinqertë me ju dhe lexuesit, nga aq sa e njoh politikën shqiptare dhe atë në botë dhe puna më ka bërë ta njoh shumë dhe intensivisht, besoj këtë të fundit.