VEPRIMET QË STAGNUAN NDËRTIMIN E KATEDRALES SHQIPTARE NË PRISHTINË

0
26

Shkruan: Shefqet DIBRANI

1.
Feja në shoqëri gjithmonë është trajtuar si çështje personale, si çështje indivduale dhe si një përcaktim individual që ka burim jetën fetare e religjoze të njeriut. Feja ka jo vetëm uzdajën dhe besimin në Zot si përcaktim hyjnor dhe i vetëm, por më shumë ka qëllim për ta shpëtuar njeriun nga gabimet përkatësisht mëkatet, sepse duke besuar në gjëra të papashme ai nuk do të bëjë gabime nuk do ta lëndoj tjetrin ashtu siç ka thënë edhe Nëna Tereze, se ai para se të veprojë duhet të mendojë më parë veten në fytyrën e tjetrit.

Teoria mbi fenë është trajtuar gjërë e gjatë dhe nuk kemi qëllim të mirremi me këtë çështje të hulumtuar dhe shoshitur nga të tjerët, por do të trajtojmë anomali që janë shfaqur në Kosovën e pas luftës, elemente që u përhapën në mënyrë të rrufeshme edhe në Shqipërinë e pasdiktatrurës komuniste, duke i dhënë vendit një pamje jo aq premtuese për të ardhmen e saj që rrjedhimisht kanë reflektuar një tendencë ekspansionimi si një ekspozim fundamentalist që nuk iu ka dashur as Shqipërisë dhe sidomos Kosovës në këtë kohë kur për fatin e saj vendosin vendet që janë në armiqësi me botën myslimane.

Pa dashur të shkoqisim të dhënat se te shqiptarët e Kosovës ushtrohen kryesisht dy fe, për mënyrat dhe konceptet e tyre, nuk do të flasim as për orientimin turko-osman dhe atë të ndikimit arabo-saudit te shumica myslimane, sikurse as për të krishterët pse janë katolikë a evangjelistë, kurse ortodoksizmi si besim pothuejse nuk ushtrohet ndër shqiptarë e Kosovës, pra do të merremi vetëm me anën e dukshme dhe prapavijën politike të investimeve në monumentet e kultit dhe të besimit në Kosovë.

Ardhja e shoqatave dhe Organizatave Joqeveritare (OJQ), por sidomos vërshimi i nxitueshëm i organizatave të Arabisë Saudite u bë në mënyrë të rrufeshme, të papengueshme dhe u bë me qëllime të caktuara që nuk do të reflektohet pozitivisht për të ardhmen e Kosovës. Ashtu sikurse shtetet e krishtera evropiane që përmes OJQ-ve kanë investuar te elementi filoserb, te bashkëpunëtoret e regjimit gjakatar dhe te bijt e ish komunistëve shqiptarë, organizatat e vendeve të Lindjes kudo kanë investuar vetëm për ndërtimin e xhamive dhe janë pak fshatra dhe pak objekte shkollore që kanë ndërtuar pa e kushtëzuar me ndërtimin edhe të një xhamie afër objektit kulturor ose arsimor.

Flitet për ndërtimin e mbi 350 xhamive të reja, dhe kjo gjë është bërë vetëm pas luftës, kurse xhamive të vjetra, në emër të restaurimit, ua kanë ndërruar pamjen tradicionale. Pra në mënyrë të rrufeshme identiteti kulturor i fesë islame në Kosovë është ndryshuar tërsisht. Vendet e Lindjes së Afërt dhe sidomos Arabia Saudite nuk kanë ngurruar që përmes këtyre ndërtimeve të përpiqen të krijojnë një konflikt spontan në mesë Kosovës dhe Amerikës, gjë që droj se në një masë të madhe kanë arritur qëllimin. Kjo fushatë nuk është penguar as nga evroperëndimorët kristianë të cilët janë shquar për investime te ai elementi filoserb që e përmendëm më lart dhe këtë e kanë realizuar kryesisht përmes OJQ-ve, sidomos me investimet në shtyp dhe propagandë.

Ky veprim mund të kuptohet sikur këto vende kanë aleanca të fshehta antiamerikane dhe veprimet e tyre janë të koordinuara kush në fe e kush në informim si dy faktorët themelorë të propagandës antiamerikane që po bëhet gati në të gjitha vendet në tranzicion dhe sidomos në vendet me fe dominuese islame apo me ndikim islam. Ky veprim nuk ka aspak qëllim fisnik dhe lë për të dyshuar nëse angazhimet e tyre në Kosovë dhe përgjithësisht në Ballkan janë të sinqerta. Po këto vende, po këto politika mbase nuk kanë bërë as më të voglën përpjekje që në ndonjë fshat të Kosovës, të banuar me popullsi shqiptare të besimit të krishter të ndërtojnë ndonjë kishë.

Ata sikur këtë gjë e kanë lejuar me prapavijë politike për të irrituar Amerikën e cila ka bërë investime dhe ka plane strategjike shumë serioze në Kosovë. Nëse ndihmat humanitare kushtëzohen me ndërtimin e monumenteve fetare siç ka ndodhur në Kosovë nga vendet e Lindjes së Afërt, atëherë çfarë do të ndodhte në vendet aziatike të prekura nga tragjedia e Cunamit. Megjithatë, ajo që është lejuar në Kosovë do të ketë pasoja për qetësinë afatgjate në hapësirën ballkanike, kurse tagrin e gjithë kësaj do ta paguajnë pas shumë e shumë vitesh vetë kosovarët dhe përgjithësisht shqiptarët etnikë të këtij rajoni.

2.
Në Zvicër Kisha Ortodokse Serbe, veprimtarinë e saj e ushtron nën patronazhin e Kishës Evangjeliste Zvicerane, madje gjithkund nëpër katalogje e fletëftesa e shkruajnë vetëm Kisha e Lindjes, pa e përmendur Ortodoksizmin në mënyrë që funksionimi i saj të bëhet më i rehatshëm në këtë vend kristian. Këtë mënyrë e ka zgjedhur Kisha Ortodokse Serbe jo që ndihet inferiore në besimin e vet, por për t’i shëruar komplekset që ua krijoi ekspansioni i politikës serbe në hapësirën ballkanike. Kisha Ortodokse Serbe edhe në qytetin më të madh në Zvicër siç është Cyrihu (Zürich), vepron në kuadrin e Komunës së Hottingenit, lagje e këtij qyteti dhe të gjitha aktivitetet e saj i bën nën patronazhin e Kishës Evangjeliste, madje pa u diktuar se aktivitetet janë të serbëve emigrantë në këtë vend.

Në këtë plan sikur ata janë treguar më largëpamës dhe në përpjekjet e tyre për t’u integruar në politikat dhe përditshmërinë refuzuese të Zvicrës, ata edhe javët kulturore të organizuara siç ishte një e tillë vitin e shkuar, i kanë quajtur si “Shkëndija përtej kufijve”, në të cilën kanë mbledhur piktorë e shkrimtarë nga të gjitha vendet e rajonit duke i trajtuar si qytetarë jashtë kufijve të Serbisë aktuale dhe kjo gjë është rrespektuar edhe për shkrimtarët e Kosovës, dhe fare nuk është propaganduar si javë kulturore e Kishës Ortodokse Serbe, por si javë që është organizuar nga Kisha e Lindjes dhe që është mbajtur nën patronazhin e Kishës Evangjeliste të Komunës së Hottingenit në Cyrih të Zvicrës.

Në këtë javë kulturore që nuk dihej nëse ishte organizuar në kuadrin e Kishës Evangjeliste të Zvicrës apo Kishës së Lindjes, përkatsisht asaj Ortodokse Serbe, kanë marrë pjesë përveç serbëve, boshnjakëve dhe kroatëve, edhe hungarezët, bullgarët, turqit, shqiptarët dhe ndonjë tjetër të cilët janë trajtuar si shkëndija përtej kufijve aktualë të Serbisë. Nëse nisemi nga rasti i Cyrihut për të marrë një iniciativë për t’i anketuar qytetarët serbë kudo që ata janë, nëse janë për pavarësinë e Kosovës, përkatësisht për shkëputjen e saj nga Serbia rezultatet përfundimtare do të flasin në favorin kosovar sepse brezi i ri, sidomos ai që jeton në perëndim më shumë është i interesuar për integrimin dhe globalizimin e tyre në proceset evroamerikane se sa për doktrina nacionaliste serbe të cilat fryhen nga propaganda e specializuar që vjen nga Beogradi.

Në anën tjetër në Zvicrën Lindore funksionon Bashkësia Islame dhe imam i saj është një shqiptar i cili në një intervistë për gazetën “Tagblat” pat deklaruar se është përfaqsues i të gjithë myslimanëve të botës, (pra edhe i talibanëve), kurse në sqarimet që bënte për predikimet dhe rolin e tij në xhaminë ku ai predikonte pa ndonjë ngurrim është deklaruar se: “qëllimi themelor i tij është që fëmijët mos t’i lëmë nëpër rrugë”. Ky rast pat irrituar qytetarët vendas duke cytur debate të arsyeshme nëse me të vërtetë fëmijët e shqiptarëve dhe përgjithsisht të këtyre besimtarëve kanë mbetur rrugëve pa përkujdesjen institucionale të shkollës dhe shtetit ku ata jetojnë.

3.
Vite më parë me iniciativën e kryetarit të Kosovës është thënë se në Prishtinë do të ndërtohet një Katedrale e madhe katolike, të cilës iu caktua lokacioni dhe u bënë projektet për nisjen e punës. U ngjallën zëra dhe pat reagime të shumta, madje si kundërvënie të kësaj ideje Bashkësia Islame e Kosovës pat kërkuar një hapësirë marramendëse për ndërtimin e Qendrës Islame në Prishtinë dhe kjo u duk tamam si një revanshizëm fetar.

Idenë e ndërtimit të katedrales e kanë kundërshtuar edhe gazetat që akuzohen për lidhjet me Beogradin, në këtë fushatë u inkuadruan edhe shkrimtarë dhe intelektualë në mesin e të cilëve u shqua Mehmet Kraja, redaktor i kulturës te gazeta “Koha ditore”, pastaj Milazim Krasniqi në bordin e RTK-së, ndërsa historiani Dr. Muhamet Pirraku shkoi edhe më larg duke botuar librin “Jo katedrale në emër të shqiptarizmit”, të cilin e mbuloi me një shqiponjë (sigurisht në emër të një shqiptarie), kurse në kopertinë ka cituar mendimet e Mehmet Krajës dhe të ndonjë tjetri.

Por shpresoj se shqiptarët e Kosovës janë të vetëdijshëm se një Katedrale e madhe, bile shumë e madhe duhet të ndërtohet në Prishtinë, pikërisht në lokacionin ku është caktuar, sepse aty u bie në sy edhe të huajve që hyjnë në Prishtinë nga Shkupi e nga aeroporti, nga Peja dhe nga Mitrovica. Katedralja në Prishtinë duhet të ndërtohet sa më parë jo si kundërvënie besimit mysliman siç propagandojnë mediokritetet intelektuale që kanë rënë viktimë e miopisë së tyre fetare.

Katedralja duhet të përkrahet si njëri nga monumentet më të rëndësishme jo vetëm fetare por edhe strategjike, jo vetëm sa për të mbështetur idenë e kryetarit të Kosovës Ibrahim Rugova, por si një veprim i mençur politik, diplomatik dhe strategjik, si një qëllim i mirë kulturor për të ardhmën e Kosovës. Katedralja në Prishtinë duhet të ndërtohet e “Madhe dhe e Madhërishme”, bile sa më parë dhe sa më shpejt jo për t’u treguar sa të krishterë jemi dhe sa për t’u hyrë në hatër amerikanëve, por ajo duhet të ndërtohet për të tërhequr mendjen e përparuar botërore nga Graçanica, nga monumentet serbe në periferi të Prishtinës dhe në mbarë Kosovën.

Katedralja shqiptare duhet të jetë strumbullari i të gjitha baraspeshave me monumentet serbe në Kosovë, prandaj heretikët e politikës dhe strategjisë kosovare nuk duhet të tregohen antikosovarë dhe aq antishqiptarë, por të mbledhin mendjen për të inkurajuar ndërtimin e saj. Bile sikur të vëhej gurthemeli i saj në gjysmën e parë të këtij viti do të ishte veprimi më i mençur për t’ua mbyllur llapën të gjitha propagandave antikosovare, për të dëshmuar përcaktimin proamerikan të Kosovës dhe për të vërtetuar edhe një herë tolerancën shqiptare në planin fetar.

E shtunë, 29 janar 2005.

Marrë nga libri i Shefqet Dibranit “ZHGËNJIMI BALLKANIK 1”, faqe 75-80.
Botoi Sh.B. “Faik Konica”, Prishtinë 2005. ISBN 9951-06-123-0