Vendimi i “punonjësve të Kolegjit”

0
79

 Nga Eridian Salianji

Së fundi, siç është bërë e njohur për të gjithë, punonjësit e Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit dhanë vendim për rrëzimin e kërkesë-padisë së PS-së me objekt “Anulimin e vendimit nr. 1160 të KQZ datë 28.6. 2011 të KQZ për mospranimin për shqyrtim të kërkesës ankimore ndaj një vendimi të ankimueshëm dhe detyrimin e KQZ për të marrë në shqyrtim kërkesën.

Në mënyrë të përmbledhur, përmbajtja e çështjes është:

Më 8 maj, siç dihet, u mbajtën zgjedhjet edhe për kryetar Bashkie Tiranë.
Më 14 maj, fitues Edi Rama me 10 vota.
Më 23 maj, KQZ nxori vendim për fituesin e këtyre zgjedhjeve.

Ky vendim u ankimua nga subjekti zgjedhor PS, ankim mbi të cilin Kolegji Zgjedhor, vendosi për ANULLIMIN e vendimit të KQZ.

KQZ u mblodh sërish dhe më datë 25.07.2011 mori tjetër vendim për shpalljen e fituesit.

Edhe kundër këtij vendimi, PS bëri ankesë në KQZ, por KQZ vendosi të mos shqyrtojë ankimin.

PS u ankua edhe ndaj këtij vendimi, por me vendimin e datës 8.7.2011, në emër të Kolegjit Zgjedhor u mor vendimi për rrëzimin e kërkesës; Pra, vetëm kaq mjafton për çfarë drejtësie bëhet fjalë: Nuk pranohet të shqyrtohet ankimi i partisë politike më të madhe në Shqipëri!

Nëse komentohet në lidhje me “argumentet” dhe arsyetimin e vendimit në emër të Kolegjit Zgjedhor, atëherë abuzivizmi i atyre që kanë vendosur në emër të Kolegjit Zgjedhor del akoma më shumë në pah.

Me pak fjalë, Kolegji ka çmuar se qëndron arsyeja e dhënë nga KQZ në vendimin e ankimuar prej PS se:

Nuk pranojmë ta shqyrtojmë ankimin se argumentet e paraqitur kundër vendimit 1160 të datës 28.6.2011, duhet t’i kishit paraqitur kur keni ankuar vendimin nr. 711 të datës 23.5.2011.

Pra, Kolegji si gjithkush e di që vendimi 711 është anuluar (d.m.th., ky vendim nuk është më!) e për rrjedhojë ndaj vendimit të ri të KQZ, brenda afatit pala e legjitimuar mund të ankohet për çdo arsye që e çmon të duhur, në bazë jo vetëm të Kodit Zgjedhor, por në bazë të parimeve kushtetuese, neni 43 i Kushtetutës: “Kushdo e ka të drejtën të ankohet kundër një vendimi në një gjykatë më të lartë, përveçse kur në Kushtetutë parashikohet ndryshe”. Megjithëse kjo që themi është aq e thjeshtë (të drejtën për t’u gjykuar), kjo e drejtë elementare iu shkel, partisë më të madhe në Shqipëri që kryeson edhe opozitën shqiptare.

Pra, tashmë nuk mund të bëhet fjalë për garanci të askujt.

Është e qartë që KQZ kishte demonstruar qëndrimin e saj për të shkatërruar zgjedhjet, manipuluar rezultatin dhe thyer besimin në këtë institucion.

Kjo është bërë e ditur botërisht për shkak se gjithçka ishte online në sytë e gjithë atyre që u numëruan votat dhe u dëgjua zëri tyre dhe u vulos edhe nga qëndrimi pa asnjë ekuivok i institucioneve ndërkombëtare të specializuara për monitorim të zgjedhjeve se KQZ po vepron në kundërshtim me Ligjin.

Qëndrimi i KQZ-së ka qenë edhe i pritshëm për PS-në, duke marrë në konsideratë veprimtarinë sistematike në vijimësi të këtij institucioni gjatë viteve.

Qëndrimi i punonjësve të Gjykatës (me veprimtarinë e tyre kanë shkelmuar titullin e lartë-gjykatës) përbën provën e pakontestueshme se një ndër shtyllat për tu quajtur një vend demokratik, që është aftësia për të zhvilluar zgjedhje të lira, në Shqipëri ka rënë përfundimisht.

Edhe vetë kandidati i PD-së, i cili siç dihet efektivisht u emërua kryetar bashkie, disa herë e ka deklaruar me naivitet skandalin që PD kreu, duke përsëritur: në një diferencë të madhe votash (siç ka ndodhur sistematikisht gjatë 12 viteve që ka kandiduar PS me PD për bashkinë Tiranë-shënimi im) demokracia është e lehtë të funksionojë, por – vijon ai – në rastet kur diferenca është e vogël, vetëm atëherë demokracia vihet në provë”.

Në fakt, kjo ndodhi, demokracia u vu në provë dhe rezultoi se prova nuk u kalua. Pushteti nuk mund ta pranonte që “t’i ikë zogu nga dora” për 10 vota; nuk mund ta pranonte që gjithë ai mund i bërë për manipulim në fushatën parazgjedhore (me listat, me banorët e importuar etj., etj., që janë në proces së listimit dhe grumbullimit të provave,) t’i shkonte dëm e për çfarë për 10 vota!

Rezultoi se nuk e kishte të vështirë të kalonte këtë provë (jo në favor të demokracisë, por të pushtetit të vjedhur). Edhe për këtë situatë pushteti ka punuar prej kohësh: Vë në vëmendjen e të gjithëve, presionin e presingun e vazhdueshëm të PD që do të riorganizonte gjyqësorin, do të miratonte ligjin e lustracionit etj., etj; ligje qartazi jo demokratike; Ndonëse këtë ende nuk e ka bërë (për shkak të qëndresës së opozitës dhe faktorit ndërkombëtar) presioni i vazhdueshëm ndaj çdo pushteti tjetër, ka bërë efektet e veta!

Gjyqtarët kanë hequr dorë nga kjo cilësi dhe janë kthyer në punonjës të Gjykatës që d.m.th., vendosin në çdo rast “siç e do zotnia”!

Nuk është e vështirë të depërtohet në mendjen e tyre se çfarë kanë menduar kur kanë dhënë vendim haptazi të pabazuar e në kundërshtim me parimet më elementare kushtetuese (e drejta për zhvillim të një procesi ligjor; pra e drejta për tu shqyrtuar një ankesë!).

Është e dukshme se si njerëz të vegjël (nuk bëhet fjalë që të ketë ekzistuar as një fije floku gjyqtari në qenien e tyre kur kanë dhënë këtë vendim) kanë menduar se, nëse merret vendim i bazuar në Ligj, natyrshëm që e drejta nuk është me Doktorin. Mirëpo, Doktori është në pushtet dhe ka treguar se nuk ta fal kur nuk vendoset sipas dëshirës së tij. Ndërsa ka vijuar mendimi i punonjësve të gjykatës, krejt realitet tjetër është nga kampi rozë! Ata kur të vijnë në pushtet, të sigurtë që nuk të thonë asgjë për këto vendime; Ata thjesht do të bëjnë reforma dhe vendosin standarde, të cilat ne atëherë do t’i zbatojmë! Kështu ka ndodhur edhe në të kaluarën! Cili gjyqtar apo prokuror pati pasojën më të vogël për shkak të proceseve politike dhe të kundraligjshme të zhvilluara me porosinë e Doktorit gjatë ‘92-‘97? Përgjigja është: Asnjëri!

Pra, punonjësit e gjykatës, veprimin e kryer (vendimmarrje të kundraligjshme) nuk e kanë vlerësuar sipas ndarjes: Veprim i drejtë apo i padrejtë, por e kanë vlerësuar në ndarjen: Veprim racional apo joracional. Dhe në fakt kanë patur të drejtë në këtë gjykim. Si punonjës gjykate, si njerëz të vegjël, për ta është më racionale ta mbajnë mirë me pushtetin, pasi kanë siguri të plotë, kanë mundësi edhe të vijojnë abuzimin me detyrën dhe askush të mos merret me ta; kanë mundësi të rregullojnë familjarët e tyre duke pasur akses me pushtetin. Nëse do të vepronin në mënyrë irracionale, gjithçka do të ishte përmbys. S’ka rëndësi pse është shkelmuar qenia gjyqtar! Kujt i duhet kjo? Kur të vijë PS në pushtet, si edhe herë të tjera nuk merret me emra të përveçëm!

Në këtë mënyrë, pushteti e siguroi formalisht edhe me vendim të të “pavarurve” funksionin e kryetarit të bashkisë Tiranë. Edhe pse kishte gjitha këto garanci të arritura me punë (presion të pistë politik) përsëri pushteti fitoren e arriti me manovra të papranueshme procedurale: Pra, kryetari është ky e jo ai tjetri për shkak se ka kaluar afati i ankimimit!

Pse nuk ka aspak lavdi kjo fitore edhe sikur edhe të ishte e vërtetë që është humbur afati i ankimimit, për pushtetin nuk ka asnjë rëndësi! Rëndësi ka posti i marrë dhe hapja e rrugës për manipulime.

*Autori është përfaqësues i PS-së në KQZ