Vendimi i Kushtetueses lejon hapjen e kutive

0
32

Ulsi Manja*, 08.05.2010

Që pas zgjedhjeve te kontestuara te 28 qershorit 2009, në fjalorin e debatit politik mes maxhorancës aktuale dhe opozitës, në mediat vizive dhe ato të shkruara, mes analistëve të ndryshëm, mes qytetarëve të thjeshtë e deri tek bariu në mal, ka zënë vend e nuk po iu hiqet nga mendja, fjala “vendim gjykate” dhe “kutitë nuk hapen sepse kështu ka vendosur gjykata”. Kur qeveritarët kërkojnë të edukojnë qytetarët me frymën e respektimit të ligjit dhe të vendimeve të gjykatave, deri këtu, nuk shoh asgjë të keqe; por kur me këtë alibi kërkohet që të mbahet peng demokracia dhe integrimi i vendit, atëherë opozita ka detyrimin t’i thotë “stop” maxhorancës, ose siç thotë një shprehje të urtë popullore “ndalu beg se ka hendek”.

Rrugë për zgjidhjen e krizës politike ka në qoftë se të dy krahët e politikës e trajtojnë atë si të tillë dhe jo si shkelje e parimit të ndarjes së pushteteve. Për sa ka ndodhur deri tani, e shoh me vend të sjell në vëmendjen e lexuesit disa argumente që provojnë se kriza është tërësisht artificiale dhe pasojë e mungesës së vullnetit të maxhorancës për të trajtuar një kërkesë legjitime të opozitës.

Së pari: Për të zgjidhur krizën politike aktuale, më e pakta që duhet të bëjë kryeministri dhe maxhoranca që ai drejton, është të lënë mënjanë rolin e juristit dhe të ulen për të zgjidhur krizën në nivel politik, pasi rezoluta e Këshillit të Evropës nuk ka artikuluar termin “krizë juridike” apo “boshllëk ligjor”, por është shprehur qartë që në Shqipëri ka krizë politike dhe këtë krizë e zgjidhin ata që merren me politikë dhe jo juristët apo grupet e interesit. Ato thjesht mund të japin ndihmë teknike, gjithmonë, nëse ua kërkon politika.

Së dyti: Maxhoranca duhet të tregojë vullnet politik për zgjidhjen e krizës dhe kjo, pikësëpari, bëhet duke respektuar vendimet e gjykatave, ashtu siç e kërkon interesi i vendit dhe ai publik dhe kurrsesi në kundërshtim me frymën e vetë këtyre vendimeve, thjesht sepse asaj i intereson të mbajë pushtetin duke zhytur vendin në krizë politike. Në rastin konkret, maxhoranca po mundohet të mbulojë gjithë problematikën e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 me një vendim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2003, lidhur me “interpretimin përfundimtar të Nenit 77, pika 2 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, për komisionet hetimore të Kuvendit”, duke e deformuar qëllimisht frymën dhe qëllimin e këtij vendimi.

Së treti: Unë mendoj se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është pikënisja më e mirë e dialogut mes maxhorancës dhe opozitës, në rast se ai lexohet dhe interpretohet ashtu siç ka dashur në të vërtetë kjo trupë gjykuese. Në këtë pikë e shoh me vend ti tërheq vëmendjen opozitës se ajo ka barrën të qartësojë partnered ndërkombëtarë se hapja e kutive në funksion të interesit publik dhe të përmirësimit të funksionimit të demokracisë në vend gjen materializimin më të saktë në këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila, duke dashur të sqarojë rolin e komisioneve hetimore, ka qartësuar shprehimisht se “çështjet e veçanta që përbëjnë thelbin e objektit të veprimtarisë së komisioneve hetimore parlamentare, të cilat e përmbajnë në vetvete interesin publik, janë ato që hetohen në aspektin e kontrollit e të zbatimit të ligjeve, të njohjes e verifikimit në thellësi të një fenomeni, ngjarjeje, a veprimtarie dhe që nxisin iniciativat për propozime, amendime apo miratime ligjesh, me qëllim parandalimin e fenomeneve negative për shoqërinë e shtetin dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale”.

Ky interpretim që bën Gjykata Kushtetuese në fakt është thelbi i kërkesës së opozitës për ngritjen e komisionit parlamentar për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Opozita duhet të qartësojë ndërkombëtarët se ajo që artikulon çdo ditë Edi Rama se “kutitë duhen hapur për të bërë autopsinë e këtyre zgjedhjeve, me qëllim që zgjedhjet e ardhshme të mos vdesin nga e njëjta sëmundje”, është as më shumë dhe as me pak një artikulim i marrë nga ky vendim i Gjykatës Kushtetuese.

Që të arrihet me sukses parandalimi i fenomeneve negative për zgjedhjet e ardhshme, duhet të dihet dhe studiohet me thellësi problematika e zgjedhjeve që lamë pas, duhet të nxirren përgjegjësitë institucionale dhe individuale të gjithsecilit, me qëllim diagnostikimin dhe shërimin e sëmundjeve që kanë zgjedhjet në Shqipëri prej gati 20 vjetësh dhe ata që merren me hetimin për shkak të detyrës zyrtare (e kam fjalën për prokurorët) e dinë mjaft mirë se për të hetuar një ngjarje apo dukuri kërkohet gjithanshmëri, objektivitet dhe shpejtësi. Dhe kjo arrihet nëpërmjet dy metodave të hetimit të zgjedhjeve kuvendore: nga periferia e ngjarjes që është fushata parazgjedhore, dita e zgjedhjeve, numërimi, etj., drejt qendrës që janë kutitë e votimit ose anasjelltas. Në rastin konkret, opozita për të lehtësuar punën e këtij komisioni hetimor kërkon rrugën e dytë të hetimit të zgjedhjeve.

Së katërti: Maxhoranca kapet fort pas një parimi klasik që vepron në drejtësi që është “parimi i gjësë së gjykuar”, kur shprehet se kutitë nuk hapen se ka një vendim të formës së prerë të Kolegjit Zgjedhor për këtë çështje. Parimi i gjësë së gjykuar ka vlerë në rastin e zgjidhjes gjyqësisht të një marrëdhënie të caktuar në hierarkinë e sistemit gjyqësor me vendim të formës së prerë, ndërsa produkti përfundimtar i një komisioni hetimor parlamentar, siç definohet në Kushtetutë dhe Rregulloren e Kuvendit, nuk cenon zgjidhjen e dhënë nga gjykata për këtë çështje; ajo thjesht bën transparencën e asaj lënde që ka çuar gjykatën në këtë vendimmarrje, por kurrsesi nuk ka tagër ose prerogativë gjyqësore për të shfuqizuar vendimet e mara nga ana e gjykatave dhe as të bëjë rolin e akuzës.

Edhe në këtë pikë na vjen në ndihmë vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2003, kur shprehet se komisionet hetimore parlamentare zhvillojnë deri diku veprimtari gjyqësore apo “quasi gjyqësore”, por ato kanë disa cilësi të veçanta, të tilla si: nuk ndërhyjnë në juridiksionin e gjykatave, nuk marrin kompetencat lëndore të gjykatave, raporti final i komisionit hetimor nuk ka fuqi detyruese mbi organet e tjera dhe, aq më pak, mbi vendimet e formës së prerë të gjykatave, komisionet hetimore nuk janë mjet i Kuvendit për të marrë përsipër atribute hetimi dhe gjykimi që me ligj i takojnë prokurorisë dhe gjykatave, por janë mjet efektiv i kontrollit të Kuvendit mbi pushtetet e tjera.

Në rastin konkret, opozita e ka bërë të qartë që nuk kërkon përmbysje të rezultatit në tavolinë dhe as rishikim të produktit që kanë prodhuar vendimet e KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor në lidhje me shpërndarjen e mandateve të deputetëve që dolën nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009 sepse këtë e pengon nga pikëpamja kushtetuese, respektimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe parimi klasik i “gjësë së gjykuar”.

Maxhoranca e di mjaft mirë që komisioni hetimor parlamentar nuk ka tagër ose prerogativa të shfuqizimit të vendimeve të formës së prerë të gjykatës, por qëllimisht kërkon ta veshë komisionin hetimor parlamentar që kërkon opozita me funksione të një “Gjykate më të Lartë” në raport me vendimet e KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor, me synim që tu mbushë mendjen ndërkombëtarëve se opozita kërkon të shfuqizojë rolin dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor, pasi në këtë pikë ndërkombëtarët janë shumë të ndjeshëm.

Produkti final i komisionit hetimor, sigurisht që nuk ka efekte detyruese mbi gjykatat, por ndikimi i tij në nivelin politik mund të jetë i konsiderueshëm. Dhe opozita këtë kërkon; shërimin e zgjedhjeve në nivelin politik e pastaj në rrafshin juridik dhe ky nuk është vetëm interes i saj, por i gjithë klasës politike dhe shoqërisë shqiptare. Për të bërë një punë të tillë, natyrisht, duhen të dhëna dhe fakte që mblidhen vetëm nëpërmjet këtij komisioni hetimor kuvendor dhe këtë e sqaron në mënyrë të pastër vendimi i Gjykatës Kushtetuese kur shprehet: “Duke hetuar një fushë të caktuar brenda kompetencave që përfshihen në përgjegjësinë kushtetuese të Kuvendit, mund të arrijë të gjejë të dhëna, të cilat përbëjnë shkak për t’u vlerësuar nga ana e tij, por, pa hyrë në sferën e organeve hetimore e gjyqësore të ngarkuara nga Kushtetuta për veprimtari të këtij lloji”. Ajo që u intereson palëve në një proces politik, nga raporti përfundimtar i komisionit parlamentar, është marrja e produktit problematik me qëllim ndërhyrjen në nivel politik në drejtim të një ligj-bërje më të mirë në të ardhmen.

Së pesti: Gjykata Kushtetuese, me vendimin e saj, ka dhënë që në vitin 2003 solucionin e zgjidhjes së krizës politike aktuale kur shprehet se: “Kuvendi, “në rastet kur kërkohet ngritja e komisionit hetimor nga një e katërta e deputetëve, ka detyrimin që të mos e diskutojë ngritjen e komisionit, por ia nënshtron diskutimit parlamentar shkallën e respektimit të parimeve kushtetuese në objektin e veprimtarisë së tij. Prandaj, kufizimet e lejueshme kushtetuese që kanë të bëjnë me respektimin e parimeve të rëndësishme fokusohen në objektin e hetimit, i cili nuk mund të reduktohet nga Kuvendi deri në atë masë sa t’ia bëjë të pamundur komisionit kryerjen e veprimtarisë……, duke dhunuar në këtë mënyrë ushtrimin normal të kësaj të drejte”.

Efektivisht, duke iu referuar argumentit të dhënë më sipër nga Gjykata Kushtetuese, sipas mendimit tim, zgjidhja e krizës politike aktuale bëhet krejt e thjeshtë: Kështu, në tryezën e Presidentit, palët, me vullnet të plotë politik, duhet të bien dakord për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit 2009; shumicën e vendimmarrjes në këtë komision ta ketë opozita dhe ky komision të vendosë vetë në diskrecion me shumicë votash për metodën e hetimit, duke përfshirë edhe hapjen e kutive, mjafton që hetimi i zgjedhjeve të jetë i plotë dhe të zbardhë gjithë problematikën e hasur.

Një variant tjetër mund të ishte që komisioni hetimor parlamentar, gjithmonë në funksion të një hetimi tërësor dhe objektiv të problematikës së zgjedhjeve, të ketë të drejtën që me kërkesën e dy anëtarëve të komisionit hetimor, rast pas rasti, kur e çmon të nevojshme, të bëjë hapjen e detyrueshme të kutive në ato zona zgjedhore që janë lënë jashtë trajtimit nga Kolegji Zgjedhor, ndërsa në zonat zgjedhore për të cilat është shprehur Kolegji Zgjedhor, të bëhet transparenca e plotë vetëm e materialeve zgjedhore.

Pra, rrugë ligjore për zgjidhjen e krizës ka, por vullneti politik i palëve duhet që nëpërmjet parlamentit ti japë diskrecion komisionit hetimor në drejtim të metodës që do të zgjidhet për të hetuar rreth objektit të hetimit. Opozita, në këmbim të kësaj zgjidhje, e ka dhënë konsensusin e saj, ka deklaruar se njeh dhe pranon zgjedhjet e 28 Qershorit, pavarësisht se ato janë shprehje e një vullneti qytetar të deformuar. Tani pritet që maxhoranca të zgjohet nga ëndrra e humbjes së pushtetit në tavolinë, t’i mbushi mendjen vetes se është në qeverisje dhe të tregohet e përgjegjshme për interesat dhe fatet evopiane të vendit, gjë të cilën opozita e ka treguar në mandatin e parë të kësaj maxhorance fiktive.

Por, duke e ditur dashurinë e madhe që ka Kryeministri për pushtetin, opozitës i shtohet edhe më shumë barra tu bëjë të qartë miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë se maxhoranca po shkel vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2003, e cila për ironi të fatit, që në atë kohë i ka dhënë zgjidhje juridike dhe ligjore situates aktuale politike ku ka hyrë vendi ynë dhe se këtë zgjidhje e kërkon pa hyrë në parlament, pasi kryeministri ynë nuk shquhet për lider të fjalës së mbajtur në tryeza politike dhe as për respektim të ligjit, siç bëri me Nenin 138 të Kodit Zgjedhor.

Së fundi, opozita duhet të demaskojë farsën e fundit politike të Kryeministrit me ndërkombëtarët dhe lojën e tij të rrezikshme politike kur shprehet se: “Unë jam i gatshëm të zgjidh problemet që ka opozita me ne dhe jo me gjykatat”, – a thua se Shqipëria nuk është shtet unitar dhe demokratik, por shtet i ndarë në tre pjesë, ku në njërën pjesë qeveris Berisha me Metën, në tjetrën “Sistemi Gjyqësor” dhe në tjetrën, “Opozita”. Kriza politike aktuale kërkon që të flitet për gjithëpërfshirje pasi në lojë janë fatet evropiane të vendit tonë dhe jo të ndonjë çifligu të radhës.

Sa më shpejt që politika shqiptare të bëjë të mundur arritjen e këtyre objektivave, aq më shpejt do arrihet zgjidhja e krizës; në të kundërtën, Kushtetuta e vendit njeh forma të tjera efikase për stabilitetin e demokracisë në vend dhe prosperitetin e kombit shqiptar.

* Autori i shkrimit është konsulent i pavarur ligjor