Vendimet e KQZ-së në këtë vend janë të paankimueshme!

0
29

TemA Online, 1 Shtator 2012

Prej muajsh të tërë, Aleanca Kundër Importit të Plehrave është duke bërë një betejë për ndalimin e importit të plehrave në Shqipëri. E nisi me mbledhjen e firmave për referendum dhe arriti të mbledhë më shumë se 60 mijë të tilla.

Por, KQZ, e cila nuk e mori fare parasysh kërkesën e tyre, deri në momentin që iu kërkua llogari nga ana e ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, mori një vendim të pakuptimtë për ta shtyrë referendumin deri në janar të vitit 2013.

Dhe, ashtu si KQZ, e cila duket e vendosur për ta penguar këtë referendum, ka vepruar edhe Kolegji Zgjedhor. Ky i fundit, pas ankesës së Aleancës Kundër Importit të Plehrave, është shprehur se vendimi i KQZ-së nuk mund të ankimohet.

“Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) ditën e djeshme, datë 31.08.2012 kërkoi edhe një herë tjetër drejtësi nga Kolegji Zgjedhor për të përshpejtuar kryerjen e referendumit tashmë të pashmangshëm kundër importit të plehrave. AKIP është ankuar dje ndaj vendimit të KQZ, pika 2, që e shtyn pa të drejtë kryerjen e procedurës së radhës në janar 2013. AKIP ka kërkuar që të mos vonohet më shumë ky proces dhe të vijojë menjëherë puna në instancën tjetër. Por, ndërkohë që pritej që Kolegji Zgjedhor të jepte të drejtë dhe të mos humbej kohë e mëtejshme, ai deklaroi se grupi nismëtar për referendumin nuk ka të drejtë t’i drejtohet aspak gjykatës. Me pretendimin se ligji nuk është shumë i qartë, gjykata i devijoi detyrimit të saj për të dhënë drejtësi për atë që kërkohej dhe vendosi tërheqjen e saj nga debati, megjithëse u duk qartë që u bind se AKIP kishte të drejtë në thelb”, thuhet në një deklaratë të Aleancës kundër Plehrave.

Sipas kësaj shoqate, “vendimi i djeshëm krijoi precedentin e gabuar që tashmë vendimet e KQZ, sado të gabuara të jenë në dukje për referendumet, janë të pa ankimueshme. KQZ dje fitoi statusin e organit të vetëm që vendos fatet e një referendumi dhe se askush nuk mund të ankohet ndaj tyre. Të drejtën për t’u ankuar në Kolegjin Zgjedhor sipas ligjit e ka kushdo që cënohet në të drejtat e tij që lidhen me zgjedhjet apo referendumet, qoftë edhe një zgjedhës i vetëm kur i shkelen të drejtat e tij, por sipas vendimit të djeshëm, vetëm Grupi Nismëtar i një referendumi nuk e gëzon këtë të drejtë”.

“Dje Kolegji Zgjedhor i dha një pushtet të pakufizuar KQZ-së. Kolegji nuk deklaroi as mungesën e kompetencës së vet dhe ta dërgonte dosjen në një gjykatë tjetër kompetente siç ndodh në të tilla raste, por vendosi të rrezojë kërkesën njëlloj sikur ndaj vendimeve të KQZ-së nuk mund të gjykojë askush.

Referendumi është shprehje e demokracisë së drejtpërdrejtë, shprehje e vullnetit direkt të sovranit dhe askush nuk mund të ketë të drejta të pakufizuara për të cënuar këtë proces. Mohimi i të drejtës së ankimit në gjykatë, sjell imunizimin e këtij organi, që ai të shkelë Kodin Zgjedhor pa u druajtur më nga gjykata”, vijon më tej deklarata.

Në fund, AKIP shprehet se vendimi i djeshëm gjithsesi nuk cënon në thelb zhvillimin e referendumit, por vetëm sa e vonon atë.

“Çdo ditë vonesë krijon terren për tonelata të tëra plehrash që mund të vrasin natyrën dhe dëmtojnë rende shëndetin e qytetarëve shqiptar. Për këtë arsye, AKIP deklaron se do të ndjekë rrugët e tjera të ankimit, duke synuar Gjykatën Kushtetuese, të cilës do t’i kërkohet të rivendosë të drejtat në vend, të mundësojë të drejtën e mohuar të ankimit dhe të zgjidhë drejt kompetencat në mënyrë që KQZ të mos ketë pushtetin e pakufizuar për këtë dhe për çdo referendum tjetër në të ardhmen”, përfundon deklarata e Aleancës Kundër Importit të Plehrave.