Vendi po rend qorrazi drejt humnerës ekonomike

0
27

Edi Rama

Edi Rama, 17.04.2010

Ekonomia e vendit jo vetëm nuk po trajtohet me mjetet e domosdoshme për një ekonomi në krizë, por po vazhdon të degradojë në të njëjtin drejtim të gabuar.

Së pari, dua ta rivë theksin tek spekulimi i përditshëm, i përjavshëm, i përmuajshëm, i përvitshëm me shifrat në funksion të mbulimit të krizës.

Po i referohem edhe këtë herë jo shifrave tona, – jo shifrave të dala nga analiza që ne i bëjmë të gjitha kundërshtive të brendshme të materialeve që i vihen publikut në dispozicion nga Instituti i Statistikave të Manipuluara, – por, duke iu referuar drejtpërdrejt shifrave zyrtare, këtë herë nga Banka e Shqipërisë.

Sipas saj, jemi sot praktikisht në kushtet kur mund të themi me plot gojën se ajo që tha opozita në fund të vitit të shkuar është plotësisht korrekte: Rritja ekonomike në vitin 2009, praktikisht ka qenë 0 dhe po ashtu që i gjithë trendi i grafikut të rritjes vazhdon të shkojë drejt përkeqësimit në rënie.

Faktikisht, në të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë kemi lehtësisht të analizueshëm raportin mes vitit 2008, si tremujor i fundit dhe vitit 2009, si tremujor i fundit.

Ndërkohë që po në referencë të Bankës së Shqipërisë (duke trajtuar deficitin buxhetor, ku banka jep të njëjtën shifër që jep edhe Ministria e Financave për vitin 2009 – shifër që pa e kundërshtuar, ne e marrim si pikë referimi) arrihet lehtësisht në konkluzionin: vënë në raport me inflacionin për vitin 2009, rritja ekonomike reale në vitin e shkuar është 0 dhe ndërkohë jo vetëm është 0 si rritje e përgjithshme ekonomike e një viti, por ka një tendencë rënieje nën zero. Pra, ka një tendencë drejt kalimit në një rritje ekonomike negative të vërtetuar në tremujorin e fundit të vitit 2009 që tanimë është zyrtar me – 0.8%.

Së dyti, dua t’i referohem përsëri një shifre zyrtare të dhënë këtë herë jo më larg se dje nga një burim i pavarur, studim i financuar prej USAID që konfirmon atë që ne kemi përsëritur në mënyrë këmbëngulëse: se nuk ka rritje të eksporteve dhe të importeve në 2009, por përkundrazi ka rënie të tyre dhe se kjo është një rënie që vazhdon edhe gjatë periudhës që ne po flasim në rast se i referohemi vlerës nominale, pra në lekë.

Kjo bëhet një rënie edhe më e dukshme, edhe më shqetësuese, madje dramatike në raport me të shkuarën e afërt, në rast se si njësi bazë krahasimi marrim euron. (gjë që duhet ta bëjmë duke pasur parasysh zhvlerësimin e lekut).

Dhe, së treti, përsëri referuar shifrave zyrtare të analizuara pa asnjë interpretim tjetër, përveç rrugës aritmetike: fatura e ujit në kryeqytet e verifikuar javën e fundit, jo nga një, dy, tre apo katër, apo katërmbëdhjetë raste, por nga tërësia e faturës së shpërndarë është rritur 75%; ku uji i pijshëm si njëri nga komponentët është rritur mbi 60 %, uji i përdorur si një komponent tjetër është dyfishuar dhe është shtuar një shumë e re fikse prej 12 mijë lekësh në vit, ose 1 mijë lek në muaj. Të gjitha bashkë e bëjnë faturën e rritur të ujit në kryeqytet në 75%.

Këtu është moment për të kaluar në pjesën e dytë të kësaj teme që ka të bëjë jo thjesht me krizën që është e qartë, qoftë në analizën e shifrave, qoftë në kryqëzimin e shifrave zyrtare që vetë manipulatorët nuk arrijnë dot t’i fabrikojnë në koherencë me njëra – tjetrën.

Të ngratët ndryshojnë njërën, harrojnë të ndryshojnë tjetrën, të tretën e ndryshojnë gabim dhe kështu dalin në kundërshtim me veten, por ajo që na shqetëson është ndikimi i këtij degradimi në xhepin e familjeve shqiptare, në tryezën e tyre të bukës, në koston e jetës së përditshme.

Pra, njëri aspekt është mbulimi i krizës, dhe aspekti tjetër është trajtimi i krizës në mënyrën më të papërshtatshme, duke e mbuluar, duke fabrikuar shifra të rreme për të thënë se s’jemi në krizë dhe duke vazhduar me një politikë ekonomike shkatërruese që shton kostot për qytetarët, shton kostot për ekonominë e vendit, shton kostot e të gjithave bashkë për të ardhmen dhe nuk krijon asnjë mundësi hë për hë për të pasur rrugëdalje nga kjo krizë.

E gjithë pamja e situatës ekonomike të vendit, është alarmante. Është një situatë, e cila është e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me faktin se sot qeverisemi nga një pushtet që nuk ka dalë nga vota e popullit.

Qeverisemi nga një pushtet, i cili buron jo prej vullnetit të njerëzve përmes zgjedhjesh të lira dhe të ndershme, por prej fuqisë korruptive në tjetërsimin e votës dhe njëkohësisht në shkatërrimin e vetë ekonomisë.

Pasi kanë grabitur zgjedhjet, praktikisht e kanë futur ekonominë e vendit në një fazë të re rrënimi duke bërë që të mbyllen përditë vende pune, duke bërë që të mbyllen përditë perspektiva punësimi dhe duke bërë që kostoja e ripërtëritjes për të dalë nga kjo situatë të jetë përditë e më e lartë për të nesërmen.

Situata e manipuluar e të dhënave reale të ekonomisë, është një situatë që është pjellë e drejtpërdrejtë e nevojës së këtij pushteti ilegjitim, për të provuar se është në gjendje të administrojë punët e vendit dhe se është në gjendje t’u ofrojë shqiptarëve atë çka shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë nga qeveria e tyre.

Për këtë arsye ka një rendje të përditshme, qorrazi, drejt humnerës ekonomike për Shqipërinë, për familjet shqiptare – në përpjekje që të mbulohen borxhet me borxhe, në përpjekje që të fshihen të dhënat reale të ekonomisë dhe njëkohësisht t’u mbyllen njerëzve rrugët e informacionit dhe të zgjidhjes dhe në përpjekje për ta gjetur zgjidhjen jo tek mjetet që ofron teoria dhe eksperienca, (jo vetëm e huaj, por dhe e vendit për trajtimin e krize të tillë), por për ta kërkuar zgjidhjen nuk e di se tek cili zot.

Por, as në zot nuk duket se beson kush në këtë pushtet që është kthyer në një fuqi korruptive, që fe të vetme ka në fakt vetveten dhe mjet të vetëm për të mbajtur veten në këmbë, ka korrupsionin.