Vendi nën terror policor. Kriza futet në spirale të rrezikshme

0
47

Policia ndalon punonjes bashkiake

Nga Tema

Tension, presione dhe arrestime. Nga punonjësit e bashkisë, te biznesmenët e njerëzit e medies, të gjithë të shënjestruar nga policia

Kriza politike në Shqipëri po prodhon momente të forta tensioni, ndërsa qeveria nuk po nguron të përdorë policinë si mjet kërcënimi ndaj kundërshtarëve të saj politikë, por dhe ndaj bizneseve e medies.

Një ditë përpara protestës së paralajmëruar të opozitës para Kryeministrisë dhe tri ditë përpara antimitingut që kanë premtuar demokratët në qeveri, situata është ndezur.

Policia e Shtetit po bëhet mjeti kryesor i dhunës shtetërore ndaj opozitës.

Mbrëmë policia ka arrestuar një grup punonjësish të bashkisë që po mbushnin thasë me mbeturina. Këto thasë parashikoheshin të vendoseshin para Kryeministrisë për protestën e ditës së sotme. Por policia ka mbërritur aty dhe ka arrestuar punonjësit me një justifikim krejt anormal. Policia ka bërë të ditur se numri i të arrestuarve ishte 10, ndërkohë që më vonë u mësua se numri i tyre ishte të paktën tri herë më i madh.

“Nga verifikimet e bëra në vend u konstatua se këto dy automjete ishin mjete të Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit nr. 1, Tiranë, dhe kishin ngarkuar disa thasë plastikë me plehra dhe pretendonin se po i dërgonin në ambientet e ndërmarrjes së tyre.

Nga verifikimi i dokumentacionit të mjeteve rezultoi se të dyja këto mjete kishin mangësi në dokumentacion. Në këto kushte këto mjete bashkë me drejtuesit e tyre u shoqëruan në Komisariatin e Policisë nr. 6 Tiranë”, – thuhet në deklaratën e policisë.

Megjithatë, shkak për lirimin e punonjësve është bërë prania e deputetëve të opozitës para Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Më pas përfaqësuesit e opozitës kanë deklaruar se vendi është në kufijtë e terrorit.

Më herët skuadrat e policisë kanë mësyrë në portin e jahteve në Orikum, ku kanë synuar kryesisht të kontrollojnë jahtin e pronarit të “Vizion Plus”, një televizion në opozitë me qeverinë Berisha. Kontrolli dhe presioni vjen, pasi kryeministri sulmoi verbalisht biznesmenët e këtij vendi, duke thënë se ata janë mafiozë, pasi kanë marrë leje ndërtimi.

Në këtë betejë të hapur është përfshirë dhe Prefektura e Tiranës. Shoku i djalit të kryeministrit ka vendosur të shkarkojë dhe të emërojë kryeinspektorin e Policisë Bashkiake të Tiranës, edhe pse ligji ia ndalon këtë gjë.

Terrori policor pritet të shtohet në ditët në vijim, ndërsa tensioni ka zbritur në kryeqytet. Antimitingu i paralajmëruar nga Berisha ka bërë që Tirana të vishet me ngjyra blu dhe banderola. Synimi është i qartë, presion mbi kundërshtarët për një datë që është festuar gjithmonë vakët në Shqipëri.

Policia e Shtetit është përfshirë në shumë raste në shërbim të biznesmenëve dhe njerëzve të Familjes Berisha, por tashmë situata duket e rrezikshme.