Shekulli, 01.02.2013
Projekti amerikan për të krijuar “Shqipërinë e Madhe” po realizohet ngadalë me mjete ushtarake dhe diplomatike, shkruan ditorja kroate “Slobodna Dalmacija”.
“Është i pandalshëm bashkimi i shqiptarëve”, ka thënë në Tiranë kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gjë që në mediat rajonale është komentuar si shpallje e projektit të “Shqipërisë së Madhe”.
Për këtë ide është folur edhe gjatë 100 vjetorit të shënimit të pavarësisë së Shqipërisë, që është festuar në Tiranë, Prishtinë, Shkup… Nga fundi i vitit 2010, Koço Danaj, drejtor i Institutit të Parashikimeve Rajonale, ka thënë se në vitin 2013 në mënyrë paqësore duhet të formohet shteti që do të përfshinte territoret shqiptare.
Ndërsa disa analistë thonë se shteti i ri shqiptar është projekt real, i cili tek disa ngjall frikën se mund të sjellë tensione të reja, të tjerët thonë se fjalët e Berishës janë keqinterpretuar.
Projekti amerikan i krijimit të “Shqipërisë së Madhe” po realizohet ndër vite me mjete diplomatike dhe ushtarake. Ekziston një histori e angazhimit amerikan në rajon, por kur është fjala tek ky projekt, duhen cekur disa detaje kyçe. Këtu është bombardimi amerikan me NATO-n ndaj Serbisë më 1999, pas së cilës NATO në Kosovë ka dislokuar 50. 000 trupa të armatosura mirë. Këtu është edhe Marrëveshja e Ohrit, projekti i SHBA-së, me të cilin filloi procesi i reformave politike të Maqedonisë përmes ndryshimeve kushtetuese dhe me miratimin e shumë ligjeve të reja që ofrojnë më tepër të drejta për shqiptarët e Maqedonisë.
Ndërsa, pika e tretë, siç transmeton portali “Telegraf”, është mbështetja e pavarësisë së Malit të Zi dhe Kosovës, me çka është dobësuar Serbia, është realizuar zbërthimi i saj, dhe është arritur një ekuilibër rajonal. Politika amerikane, me këto angazhime ushtarake-diplomatike, përgatit projektin e “Shqipërinë së Madhe”, thotë analistja Jadranka Poloviç.
Politologia ndalet edhe në rëndësinë e Kosovës si pjesë të Evropës Juglindore. “Juglindja e Evropës si në të kaluarën ashtu edhe sot, ka një domethënie të rëndësishme gjeopolitike dhe gjeostrategjike, që përcakton të ardhmen politike të rajonit. Lidhur me Mesdheun, Lindjen e Mesme, malet e Kaukazit dhe Azinë Qendrore, si dhe rajonin e Danubit dhe Evropën Qendrore, kanë qenë gjithmonë subjekt i interesave të fuqive të mëdha. Për shkak të rëndësisë së energjisë në gjeopolitikën e shekullit XXI, kjo hapësirë, ku janë rrugët e rëndësishme të transitit, bëhet një zonë e konkurrencës së fortë të qendrave të pushtetit botëror.
Në fakt, Evropa Juglindore është rruga më e shkurtër transiti midis Evropës Perëndimore dhe zonave të pasura me gaz e naftë në Azinë Qendrore dhe basenit Kaspik, dhe si i tillë është i aftë të bëhet pjesë e lojës së re të madhe gjeopolitike, pra një hapësirë ku ballafaqohen interesat e SHBA-së, Evropës, Rusisë dhe Turqisë”, thekson Poloviç. Ekspertja kroate shton se projekti i dominimit amerikan në Euroazi në fakt fillon në Evropën Juglindore me Shqipërinë, ndërsa përfundon në Kinë.
Shtetet e Bashkuara gjeostrategjinë e saj drejt Azisë Qendrore e mbështet në rrjetin e shteteve proamerikane në Evropën Juglindore, si Maqedonia, Shqipëria, Rumania, Bullgaria, Turqia, Greqia, e në kontekstin e fundit edhe Kosova, si dhe shtetet e rajonit Kaspik – Azerbajxhani dhe Uzbekistani, por edhe Gjeorgjia dhe Ukraina, ku siç thotë ajo, përhapet strategjia e unifikimit të amerikanizimit botëror.
“Në fakt, shembulli i Kosovës, si shtet i ri i krijuar nga përdorimi i instrumenteve të politikës amerikane, është një tregues i dominimit të vazhdueshëm të SHBA-së në rajon dhe përpjekjet për të ruajtur udhëheqjen unipolare amerikane jo vetëm në juglindje të Evropës, por në të gjithë rajonin e Euroazisë”, thotë Poloviç, duke shtuar se Kosova mbetet një shembull amerikan në zotërimin e rregullave të demokracisë, tregut të lirë dhe të hapjes për investitorët e huaj.
“Politika amerikane tund të gjitha projektet në Kosovë. Është turp që zyrtarët amerikanë që mundën Serbinë, tani privatizojnë pjesët më vitale të ekonomisë së Kosovës”, thotë politologia kroate, e cila nuk pret trazira të reja në rajon.
“Udhëheqësit e lëvizjes kombëtare shqiptare këto ditë thanë se SHBA-ja dhe Rusia kanë rënë dakord për rishikimin e kufijve, në mënyrë që Presheva, Kosova, dhe unë besoj një pjesë e Maqedonisë dhe e Malit të Zi, do të gjenden brenda një Shqipërie të Madhe. Unë ju besoj, sepse konfigurimi i deritashëm i rajoneve të ish-Jugosllavisë është bërë në rrugën e dy proceseve integruese: anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Shtetet kombëtare e kanë humbur kuptimin, ndërsa aktorët globalë avancojnë me projektet e zgjerimit të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe tregut të lirë, që nënkuptojnë globalizimin e varfërisë në rajon. Shtetet e reja janë krejtësisht të varura nga kapitali i huaj, ndërsa këto ditë shohim qeverinë kroate si shembull që adapton gjithçka që aktorët e huaj i thonë.”
/Shekulli Online/Përgatiti: E.Sh/