Vëmendja e ndryshme për nacionalizmin dhe demokracinë

0
35

Nga Mero Baze, 31 Janar 2013

Shqipëria po trajtohet me dy standarde të ndryshme nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me pritshmëritë e këqija të saj lidhur me nacionalizmin dhe demokracinë. Ka një vëmendje të rritur ndaj idesë se një valë nacionalizmi po forcohet në vend dhe se Shqipëria rrezikon të bëhet problem në rajon, dhe një intonacion tjetër ndaj disa fakteve tashmë publike se procesi demokratik dhe zgjedhjet e lira janë hedhur në erë dhe janë premisë serioze për destabilizimin e vendit.

Bashkimi Evropian, OSBE dhe SHBA kanë reaguar ndaj deklaratave folkloriko- elektorale të Sali Berishës mbi bashkimin kombëtar, albanofobinë në rajon dhe përleshjet e sajuara të patriotëve shqiptarë me disa grekë të çmendur, të vetëshpallur nazistë. Reagimi ndaj tyre duket serioz. SHBA, e cituar nga burime diplomatike, i ka dërguar me shkrim notë paralajmëruese Sali Berishës për të shmangur këto terma dhe ai me qetësinë që e karakterizon në këtë pikë, jo më larg se dje i përsëriti të njëjtat gjëra përmes Facebook, duke theksuar sidomos albanofobinë e Daçiçit dhe moskokëçarjen për paralajmërimet amerikane ndaj tij.

E vërteta është se nacionalizmi i dalë nga politika e ditës në Tiranë nuk ka asnjë lidhje me nacionalizmin etnik rajonal dhe as me ndonjë ide të mirëushqyer nacionaliste në vend. Ai që unë e quaj “nacionsalizëm” është thjesht një mënyrë për të përdorur nacionalizmin si një tymnajë për të shmangur vëmendjen nga deformimet e thella demokratike brenda vendit në funksion të vjedhjes së votave dhe bllokimit të rotacionit demokratik. Në këtë pikë Shqipëria realisht nuk rrezikon askënd me ndonjë valë nacionalizmi, sidomos rajonin. Shqipëria rrezikon seriozisht rajonin dhe faktorin shqiptar me deformimet e forta të demokracisë, të cilat mund të çojnë në destabilizimin e vendit dhe më tej në anarkinë e faktorit shqiptar në rajon.

Pikërisht ky fenomen që po paraqet vërtet rrezikshmëri të madhe për të ardhmen e Shqipërisë, deformimi i thellë i demokracisë, po qortohet dhe po tentohet të ndalet shumë pak se sa një fantazmë që realisht nuk ekziston.

Nëse SHBA i ka dërguar një notë të ashpër paralajmëruese me shkrim Sali Berishës për nacionalizmin dhe nuk e bën këtë për miratimin e ndarjes së mandateve duke ruajtur situatën e vitit 2009, është shumë e rëndë. Po ashtu, nëse Stefan Fyle mendon se ky vend që ka hedhur në erë sot më 31 janar procesin zgjedhor pa nisur akoma, bëhet evropian po miratoi tre ligje, të cilat për t’i hedhur poshtë Sali Berishës i mjafton vetëm dëshira e Edi Palokës, atëherë ne jemi seriozisht të rrezikuar nga braktisja e Perëndimit dhe pikërisht kjo mund të ngjallë një valë ‘nacionalizimi’ real brenda vendit. Ky lloj nacionalizmi pastaj mund të jetë vërtet i rrezikshëm, pasi është real dhe mbështetet tek paranoja se Perëndimi na ka braktisur dhe na ka lënë në dorë të një familje hajdute në pushtet, që fillon të vjedhë mandate 6 muaj para zgjedhjeve.

Pra, rreziqet reale që i vijnë Shqipërisë në këto momente i vijnë nga deformimet e brendshme të demokracisë, nga moszbatimi i ligjit, nga gjesti flagrant i hedhjes në kosh të plehrave i kodit elektoral dhe zëvendësimi i tij me vullnetin e Edi Palokës, dhe nga fenomene të tjera që e çojnë vendin drejt një përplasje të ashpër.

Ky vend është bërë problem për Evropën dhe botën jo se ka rrëmbyer armët të çlirojë rajonin, por se ka rrëmbyer armët për t’u përleshur me Sali Berishën pasi ka vjedhur një herë votat dhe ka tentuar të qëndrojë në pushtet. Shpërthimi i brendshëm i shqiptarëve, që rrëzon çatinë e vet, është më i pamenaxhueshëm se sa ndonjë rrezik shovinist i ardhur prej shqiptarëve në rajon.

Për këtë arsye vëmendja e madhe, bile e tepruar e diplomatëve perëndimorë ndaj nacionalizmit shqiptar, duket qesharake, ndërsa tonet e ulëta të tyre ndaj një rreziku real që mund të jetë shpërthimi i brendshëm nga deformimi i demokracisë është kriminal. Fatura që Evropa dhe SHBA paguan për normalizimin e Shqipërisë në vitin 1997, ishte e lartë dhe ajo nuk erdhi nga nacionalizmi, por nga nacionsalizimi, nga zakoni i Sali Berishës që kur e shikon që nuk i ka ngelur asnjë rrugëdalje, bëhet dhe nacionalist.

Në të vërtetë votimi i sotëm në Kuvend i ndarjes zonale, është fillimi i destabilizimit të Shqipërisë. E di që Sali Berisha mezi pret deklaratën e Edi Ramës që nuk do të hyjë në zgjedhje, por kjo nuk do të ndodhë. Opozita do ta bëjë deri në fund betejën e saj për ta shmangur luftën, por Sali Berisha ta harrojë se mund ta gëzojë pushtetin nëse bllokon rotacionin pikërisht për mandatet që fiton nga mosrespektimi i kodit elektoral apo nga marifetet e tjera që do të bëjë në vijim. Prej sot opozita ka të shënuara në bllokun e saj katër mandate të grabitura, të cilat Sali Berisha nuk do të ketë shans t’i gëzojë, nëse për shkak të tyre bllokohet rotacioni.

Sot ka filluar destabilizimi i zgjedhjeve, por dhe destabilizimi i Shqipërisë për shkak të Sali Berishës. Ky nacionsalizëm është virusi real që e bën Shqipërinë rrezik për shqiptarët dhe rajonin dhe pikërisht për këtë SHBA, BE, dhe OSBE duhet të mbajnë qëndrime të prera pa ekuivoke dhe pa gjuhë të keqpërdorshme prej Sali Berishës. Nuk është se shqiptarët presin gjithçka prej tyre, por nuk presin të fyhen prej tyre duke iu kërkuar të jenë formalisht perëndimorë, në një vend ku bëhen zgjedhje më të këqija se në Burma.

Qysh sot opozita ka të drejtën e saj legjitime të mos njohë më një proces zgjedhor që bllokon rotacionin për shkak të shkuarjes në zgjedhje jo me kod elektoral, por me një vendim që respekton propozimin e një deputeti që nuk e marrin seriozisht as të vetët. Dhe pikërisht ky zhvillim tejet negativ dhe eksplodues për të ardhmen e vendit duhet të merret seriozisht nga ndërkombëtarët. Lëreni Kristo Papën, At Markun dhe karagjozllëqet e Sali Berishës në Facebook me serbët, se ato janë tymnaja që duan të fshehin atë që po ndodh para syve tanë, shkatërrimin e zgjedhjeve të lira dhe bllokimin e rotacionit me dhunë nga Sali Berisha.

Dhe nëse do të jemi vërtet një komb evropian, duhet të asgjësojmë pikërisht këtë të keqe, njeriun që kërkon të na damkosë si vend primitiv, ku nuk kemi të drejtë të zgjidhemi dhe të zgjedhim, por vetëm të pranojmë pushtetin e tij. Duhet të ndalimin destabilizimin e Shqipërisë, jo duke dëgjuar ç’thotë Sali Berisha, por duke parë se çfarë po bën ai. Ai ka ndezur sot shkrepësen e parë për t’i vënë zjarrin këtij vendi dhe ne duhet t’ia kthejmë atë minimumi në shtëpinë e vet, për të cilën po djeg përsëri këtë vend.