Velo: I prisja reagimet, nuk tërheq asgjë. Të reflektojmë për këto që na ngjasin

0
30

Dita, 8 Shtator 2014
Në një bisedë me Alqi Koçikon e DITA-s, Maks Velo thotë se nuk tërheq asgjë nga ato që ka thënë disa ditë më parë gjatë një interviste në të përditshmen MAPO. “Nuk është ndonjë sakrilegj të thuash atë që mendon, – thotë Velo ndër të tjera.

Koçiko: Intervista juaj te Mapo u prit me një stuhi reagimesh, shumica kundër…

Velo: Në fakt, unë i prisja këto reagime. E vërteta është se unë i kam thënë edhe më herët këto gjëra, më saktë ka njëzet vjet që i them. Nuk është ndonjë sakrilegj të thuash atë që mendon, kur e mbështet në realitetin e gjërave, në faktet dhe shifrat. A është gënjeshtër të thuash se myslimanizmi përgjithësisht ka sjellë regres dhe ngadalësim të përparimit? Po kështu edhe shqiptarët veriorë në lidhje me produktin e kriminalizimit të shoqërisë.

Koçiko: Krimi megjithatë, nuk është se ka ndonjë ekskluzivitet zonal…

Velo: Shiko diçka… Ata që më shajnë, sidomos nga Veriu, thonë këtë gjë: Na pranoni kështu siç jemi, bashkë me krimin që prodhojmë. Na pranoni me informalitetin, vjedhjen e energjisë, ndërtimet lukuni pa leje, me gjithçka antiligjore. Por ata kanë një problem, se nuk bëjnë një bilanc. Shifrat e krimeve, volumi dhe shpeshtësia e tyre flasin vetë. Padyshim që ka shumë shkaqe, por kjo është e vërteta dhe unë jam për të vërtetën. Nuk mund të fshihemi me lojëra fjalësh dhe artifica. Le të marrim e të numërojmë me çfarë janë mbushur burgjet e vendeve të tjera, të Italisë, Greqisë, Anglisë etj, deri dhe në Amerikë flitet për krimin, shqiptarë që vijnë nga veriu i vendit.

Koçiko: U akuzuat ndërkohë nga komentues të ndryshëm se vini shenjën e barazimit edhe mes myslimanëve dhe Veriut…

Velo: Po e pashë. Dhe më sillnin shembuj si psh, Laçi është verior por katolik, pse ka kriminalitet ai qytet? Kjo është nxjerrje nga konteksti. Unë nuk kam barazuar dy gjërat, sepse ndonjë ilustrim për të kundërshtuar ato që kam thënë unë, gjenden gjithmonë. Problemi është ky: le të marrim një hartë të Shqipërisë, dhe le të vëmë nga një pikë, apo gjilpërë, kudo ku është mbjellë dhe mbillet hashashi, droga në këtë vend. Ju siguroj se nuk do të gjeni asnjë zonë ortodokse. Pse? Sepse për kulturë, për formim dhe mënyrë jetese, i janë kushtuar punës, prodhimit, djersës së tyre. Kjo më bën mua anti feve të tjera? Le të marrim Lazaratin, një fshat mes një zone me fshatra ortodokse minoritare. Asnjë nga këto fshatra nuk është marrë me hashash. Terreni, vështirësitë etj. janë njësoj, por ata i janë kushtuar punës, tregtisë, bujqësisë etj. Tani i bie që meqë them të vërtetën, jam antishqiptar? Jo zotëri….

Koçiko: Ju sollën për ilustrim edhe Skënderbeun, një “verior”…

Velo: T’i lëmë këto. Nuk kam ndërmend të hyj kaq thellë në histori. Të mos bëhemi qesharakë, por të reflektojmë për këto që na ngjasin.

E plotë, bashkë me dy opinione nga Ardian Vehbiu dhe Koloreto Cukali , mund të lexohet sot në DITA.

(Foto poshtë: Autori i intervistës në MAPO, gazetari Alfred Lela)