Nga: Prof. Neki Babamusta, Londër, 1 Janar 2012
Bajram dhe Qamil Xhani lindën dhe u rritën në trevën fushore të Luzit të Madh të Kavajës, nga një familje patriotike. Për afro 200 vjet fisi Xhani përmendet si bajraktar (udhëheqës) popullor. Prej derës së tij kanë dalë shumë luftëtarë për lirinë e Atdheut, duke përfshirë edhe një gjeneral.
Bajram Xhani lindi me 1886. Që në rininë e tij shquhej për trimëri, besë e bujari, si të parët e tij. Për çështje kombëtare formoi një çetë luftarake, me 100 veta, që e mbante kurdoherë në gadishmëri. U njoh dhe lidhi miqësi me patriotë të dëgjuar si Aqif Pashë Elbasani, Bajram Curri, Ramazan Cani, Ibrahim Dedej, etj. Fisi Xhani nga besimi ishin Bektashi. Për këtë arsye forcuan miqësi më tepër me fisin Babamusta.
Mikpritja e Ismail Qemalit në Kavajë
Në prag të viteve 1909-1910, Bajram Xhani me çetën e tij, kreu veprime luftarake kundër turqëve, serbëve dhe andartëve grekë, në rrethinat e Korçës. Me forcat e çetës së tij shoqëron për në Vlorë diplomatin e urtë, Ismail Qemalin.
Me 25 nëntor 1912 patriotët e Durrësit, e ndihmuan Ismail Qemalin që të kryente misionin e lartë për ngritjen e flamurit në Vlorë, pavarësisht nga intrigat e Peshkop Jakovit, i cili ishte në shërbim të shovenistëve grek. Për të sabotuar misionin historik të Ismail Qemalit, me lot krokodili Peshkop Jakovi pati deklaruar se “Turqisë nuk duhet t’ia kthejmë shpinën, sepse na kanë mbajtur si ujët e pakët, më shumë se 400 vjet.” (Arshiva e Shtetit, Tiranë).
Natën e 25 nëntorit 1912, Ismail Qemaili me suitën e tij, u pritën krahapur nga populli i Kavajës, duke ndenjur një natë tek fisi bujar dhe patriot Babamusta. Të nesërmen, fisi Babamusta i dha Ismailit ushqime për udhëtim, të holla, kuaj, dhe udhërrëfyes, nipin e tyre, patriotin Qazim Merhori.
Njëkohësisht, kontaktuan me mikun e tyre, Bajram Xhanin, i cili me çetën e tij, dhe së bashku me çetën e patriotit Ramazan Cani, nga Peqini, do të bënin të mundur sigurimin e udhëtimit për në Vlorë të Ismailin. Të gjithë patriotët e Kavajës u mobilizuan që t’ia lehtësonin rrugën Ismail Qemalit, sepse ajo ishte plot me rreziqe nga elementët turkoman. (kujtime nga patriotët Hajdar Petja, Dyl Zyba dhe Spiro Pello dhe fisi Babamusta).
Me 26 nëntor 1912 populli i Kavajës, në mes të një entuziazmi të madh, i uron rrugëtim të mbarë patriotit Ismail Qemali me këto fjalë:
“Udhë e mbarë, o mjekër bardhë!
Kur të shkosh, dalç faqebardhë!
T’u bëftë udha sermë e arë!”
(kujtime nga patriotët Hajdar Petja, Dyl Zyba, Spiro Pello dhe fisi Babamusta).
Për të shpallur pavarësinë e qytetit të tij, me 27 nëntor 1912 patrioti Must Cara (mik i ngushtë i Babamustave) ngren flamurin kuq e zi në ballkonin e shtëpisë së tij në Kavajë. Patrioti demokrat, i persekutuar, Dyl Zyba dhe Spiro Pello kujtojnë: “Ismail Qemali me delegacionin e tij, nëpërmjet Murat, Beqir dhe Osman Babamustës kalojnë Shkumbinin me një sanallë (lundër) që të kalojnë në Myzeqe drejt Vlorës.”
Në fillim të viteve 1900, në Shqipëri egzistonin akoma elementë turkomanë (bejlerë dhe feudalë) që ishin në shërbim të turqëve të rinj, të ashtëquajtërit xhon-turq. Xhon-turqit përmbysën qeverisjen e egër të Sulltan Hamitit (i njohur për krimet e tij me epitetin “Sulltani i kuq”) në Stamboll, me ndihmën e forcave kryengritëse shqiptare. Por, kur xhon-turqit erdhën në pushtet në Turqi, nuk i mbajtën premtimet për mëvehtësinë e Shqipërisë. Gjatë viteve 1910-12 ato shkretuan Shqipërinë dhe vranë kryengritësit shqiptarë, me synimin rikthimin e Shqipërisë nën sundimin turk.
Këto elementë turkomanë, nën shërbim të Lëvizjes Xhon-Turke kurdisën plane që edhe në Myzeqe të sabotonin misionin e Ismail Qemalit, provuar më parë nga Peshkop Jakovi në Durrës. Populli liridashës i Lushnjës kundërshtoi veprimet e këtyre elementëve duke përkrahur Ismail Qemalin.
Prandaj, Bajram Xhani dhe Ramazan Cani, me çetat e tyre luftarake rrethojnë kullat në dalje të Shkumbinit, pranë fshatrave të Rrogozhinës (mes Lushnjës, Kavajës, dhe Peqinit). Bajrami dhe Ramazani i japin këtë ultimatum elementëve turkoman: “Nëse flamuri kuqezi, nuk do arrijë në Vlorë me Ismail Qemalin, ne do bëjmë që në fushën e Myzeqesë të mos këndojë as gjel as pulë, madje do ju djegim edhe kullat!”
Me datë 27 nëntor 1912, ora shtatë e mbrëmjes, patriotët e Kavajës dërgojnë në Vlorë telegramin tepër urgjent: “Kryetarit të qeverisë të përkohshme të Shqipërisë, Vlorë: Ju bëjmë me dije se me vendim të Këshillit fuqiplotë e për të marrë pjesë në veprimet që i takojnë shtetit independent të Shqipërisë, u zgjodh për Kavajën Avdi bej Toptani nga parësia e Tiranës, si kryetar i Këshillit fuqiplotë.” (Arshiva Shtetërore, Tiranë).
Populli i Vlorës e vlerëson këto ndihmesë historike të popullit të Kavajës, në momentin më kulmor. Prandaj i këndon dhe këngën:
“Kush e solli Ismail Qemalin,
Bajram Xhani nga Kavaja,
Ai Bajram, zemërluani…”
(këngë popullore)
Histeriografët komunistë, mohuan qëllimisht kontributin e Shqipërisë së Mesme, veçanërisht të Kavajës dhe Peqinit, për ndihmesën e madhe që i dhanë Ismail Qemalit për ngritjen e flamurit në Vlorë. Njëkohësisht, u mohua kontributi që dha Kavaja në luftën për liri dhe çështjen e arsimit kombëtar, ku dhanë jetën qindra dëshmorë, dhe u burgosën, persekutuan dhe pushkatuan me qindra të tjerë. Kjo, për arsye se Kavaja shikohej si vatër antikomuniste, pavarësisht se ishte ajo që e dërgoi gjallë Ismail Qemalin në Vlorë.
Gjithashtu Kavaja shërbeu si bazë kryesore për Pezën, gjatë luftës çlirimtare në vitet 1941-44, duke formuar Brigadën 22 me partizanë dhe duke dhënë partizanëve ndihmë me ushqime, veshje, drithëra dhe para. Në shkurt 1943, brenda një dite Kavaja dhe fshatërat e saj grumbulluan për luftëtarët e çetës së Pezës rreth 2 milion franga ari (Dëshmia e veteranit Shyqyri Mullaliu, Gusht 1993).
Bajram Xhani rrok armët përkrah me Bajram Currin dhe Hasan Prishtinën
Qeveria e Vlorës, e gradon Bajram Xhanin me gradën ushtarake “Aspirant”. Bajram Xhani ishte kundërshtar i Esat Pashë Toptanit, i cili nuk pajtohej me qeverinë e Vlorës. Kryengritësit e Kavajës me në krye Bajram Xhanin nuk lejuan në vitet 1913 futjen e Pashait tradhëtar në qytet, e cila përmendet edhe në këngën popullore:
“Ditë e Martë, 8 sahati,
hapni rrugë, vjen Esati.
Nuk hap rrugë Bajram Xhani,
nuk na tremb Esat Toptani!”
(këngë popullore në Shqipërinë e Mesme)
Bajram Xhani, së bashku me Sadi Tatanin (komandant xhandarmarije), luftojnë shovenistët e Ballkanit, si pushtuesit austro-hungarez, serb, etj. Bajrami arrestohet nga austriakët dhe burgoset në burgun e Peqinit. Atje del nga burgu me ndihmën e patriotëve të qytetit. Në fshatin Vrap të Peqinit, së bashku me Bajram Currin, Shyqyri Peza, Ramazan Canin, Bajram Kostën, kordinojnë veprimet për eliminimin e forcave esadiste.
Në fund të janarit 1920, qeveria e Lushnjes e emëron Bajram Xhanin, Komandant xhandarmarije (policije) në Kavajë, me gradën ushtarake “Toger”. Bajram Xhani, si antifeudal, radhitet përkrah opozitës me në krye Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Aqif Pashë Elbasanin, Ramazan Canin dhe Ibrahim Dedej përkrah tyre, për shkatërrimin e rendit feudal. Drejtuesit feudal të kohës së atëhershme i cilësonin drejtuesit e opozitës si rebelë, sepse nuk iu bindën urdhërave të tyre.
Në një njoftim të Prefektit të Kavajës, për Ministrinë e Punëve të Brendshme, Tiranë, thuhej se: “Bajram Xhani është duke bërë propagandë kundër qeverisë dhe është bashkuar me Bajram Currin për të bërë Asamblenë. Ai nuk i bindet urdhërit për të dorëzuar armët.” (Arshiva e Shtetit, Tiranë).
Me pabesi, elementë reaksionarë, arritën t’a kapin Bajramin, dhe në gjygjin e kurdisur në Shijak me 15 mars 1922 u dënua me vdekje. Fjalët e fundit të Bajramit, para litarit ishin: “Vdekje feudalëve! Rroftë Shqipëria!” (Arshiva e Shtetit, Tiranë). Populli e vajtoi këtë vdekje burrërrisht: “Me litar në fyt, o bir fole për Vatanë!” (këngë popullore).
Patrioti Myslim Peza, në një letër dërguar veteranëve të Kavajës vlerëson lart, duke e konsideruar Bajram Xhanin “si pauses të denjë të Bajram Currit, ndërsa Qamil Xhani mbetet patriot i nderuar”. (nga libri me kujtime i Myslim Pezës).
Pabesia e vrasjes së Qamil Xhanit
Po në këtë rrugë, eci edhe vëllai i Bajramit, Qamil Xhani, lindur me 1905 në Luz të Madh të Kavajës. Qamili ishte intelektual me horizont të gjerë arsimor dhe kulturor. Ishte zotërues i disa gjuhëve të huaja dhe inteligjent. Ai kalon shumë vite në emigracion, ku bie në kontakt me patriotë demokratë të kohës në Itali. Në Itali, Qamili e forcoi edhe më tepër vendosmërinë punën për t’i shërbyer çështjes kombëtare.
Duke qenë me idene perëndimore, ai e kundërshtoi komunizmin. Gjatë luftës çlirimtare (1941-44), duke qenë kryetar Bashkie në Kavajë, u shërben me bujari të varfërve, duke u dhëne edhe bereqet, bukë. Ai ishte krenar, kur e quante veten “balta dhe opinga e popullit”. Ai zhduku bandat e kusarëve në zonën e Kavajës. Si demokrat nacionalist ishte përkrah mendimeve të Mustafa Gjinishit, për pluralizëm politik, për bashkim e vllazërimt të kombit shqiptar.
Veprimtaria e Qamil Xhanit binte në kundërshtim me idetë komuniste. Prandaj, autoritetet komuniste me 15 gusht 1943 organizuan një kurth në Labinot të Elbasanit, i kurdisur nga Mehmet Shehu (komandant i Brigadës I dhe Kryeministër gjatë kohës së Enver Hoxhës). Për të realizuar këtë kurth, Qamil Xhanit i futën ndërmjetës, kushëririn e tij, Mustafa Xhanin, që ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Mustafai i tha Qamilit: “Dorëzohu, eja tek ne të vazhdojmë luftën së bashku.” (sipas rrëfimit të djalit të xhaxhait të Qamilit, Ethem Xhanit dhe birit të Bajram Xhanit, Izeti, i dënuar me burgim nga diktatura).
Gjithashtu, Qamili u paralajmërua edhe nga Kastriot Cani, që ishte adiutant i Mustafa Gjinishit duke i dërguar një letër Qamilit ku e njoftoi të mos shkonte në shtab për t’u dorëzuar sepse Mehmet Shehu i kishte përgatitur pabesinë për ta vrarë. (Letër shkruar nga Mustafa Gjinishi dhe Kastriot Cani)
Me besën e kushëririt të tij, Qamili u nis për në Labinot me 11 pjesëtarë. Para se të arrinte Qamili në Shtabin e Përgjithshëm në Labinot, Mehmet Shehu me disa pjesëtarë të Brigatës I, i dolën përpara. Dhe kur e pa, Mehmeti i tha: “Po të kërkonim në qiell, na erdhe në tokë.” (sipas rrëfimit të Ethem dhe Izet Xhanit). Qamilin e lidhën, e torturojnë dhe e pushkatojnë në vend. Të shtënat e pushkatimit u ndëgjuan edhe nga Mustafa Gjinishi, që ishte i pranishëm në shtab, i cili tha: “E vranë qenat!” (sipas rrëfimit të veteranit nacionalist Kastriot Cani, që njihej me pseudonimin “Fortuna”).
Diktatura komuniste i ndoqi, persekutoi dhe burgosi pasardhësit e fisit Xhani. Vepra e vëllezërve Xhani qe një ndihmesë e vyer për lirinë dhe vlerat demokratike të Kombit. Ish-Presidenti i Republikës, z. Sali Berisha, në vitin 1993, duke çmuar punën e tyre, i akordon Bajram Xhanit dekoratën e klasit I, për veprimtari patriotike. Ndërsa Qamil Xhani dekorohet me klasin e II. Shkollës së mesme në Luzin e Madh, në vitin 1993 i vihet emri “Qamil Xhani”.
Krijimi i Shoqatës Patriotike Kombëtare “Bajram Xhani”
Në shtator 1991, në shëpinë time në Kavajë, u mblodhën demokratë, patriotë dhe të persekutuar, ku u krijua Shoqata Patriotike Kombëtare “Bajram Xhani”. Me miratimin e Ministrisë së Drejtësisë, pas fitores së Demokracisë (22 mars 1992) u afirmua krijimi i shoqatës.
Qëllimi i saj ishte që të merrej me vlerat patriotike, të përkhrahte të persekutuarit nga komunizmi, duke dënuar barbaritë e komunizmit dhe të ngrinte lart vlerat e patriotëve, të mohuara nga diktatura. Shoqata e kreu detyrën e saj për 12 vite, deri në 2004, duke realizuar hulumtime të shumta historike, nëpërmjet dëshmive nga të persekutuarit.