Vëllai i Jozefina Topallit, konsull në Milano

0
42

Nga Lindita Cela, 10.12.2010

Pas dhëndrit, “del” në sipërfaqe edhe vëllai i kryeparlamentares, z. Gjon Çobo, nga emigrant në zyrat e diplomacisë

Emërimi i dhëndrit në Ambasadën Shqiptare në Paris është vetëm ‘maja e ajsbergut’ në emërimet e ndikuara nga kryetarja e Kuvendit. Kësaj here bëhet fjalë për vëllanë e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, Gjon Çobo, i cili është emëruar konsull në konsullatën e Milanos.

Z. Çobo nuk ka asnjë shkollim të lidhur me diplomacinë, madje për të emëruar atë si konsull në këtë konsullatë është bërë edhe një ndryshim i posaçëm i organikës së këtij institucioni. Kjo organikë nga 2+1 ka kaluar në 3+1 për t’i hapur një vend vëllait të znj. Topalli.

Me sa duket, “Shqipëria parajsë dhe Miss Bota” vlen si term vetëm për qytetarët që jetojnë këtu, sepse të afërmit dhe familjarët e predikuesve të “parajsës” nuk dëshiruakan të jetojnë në Shqipëri e as të shkollohen këtu. Duan të jetojnë jashtë, madje edhe me rrogë dhe status të paguar nga taksapaguesit shqiptarë.

Në forumet e shkodranëve online, emërimi i z. Çobo është bërë objekt i bisedave të shumta të qytetarëve, madje disa veçojnë faktin që z. Çobo nuk ka arsim të lartë dhe ka kaluar nga emigrant i thjeshtë në Itali direkt në përfaqësues diplomatik i Shqipërisë në Konsullatën e Milanos. Po aty është emëruar edhe vajza e Ali Spahisë, një ish-politikan nga më të respektuarit e PD-së së dikurshme, i cili njihet edhe si personi që rekomandoi futjen e Jozefina Topallit në politikë.

Emërimet e tilla janë kthyer në rutinë edhe në administratën e Kuvendit, e cila është nga sektorët më të fryrë të administratës së shtetit sot në Shqipëri. Lista e organikës së kësaj administrate është vërtet surprizuese, për sa i takon përkatësisë familjare, krahinore moshës dhe statusit social shumë shpesh, fare pa lidhje me punën e ngarkuar.

Ndërkohë, nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Kuvendi lidhur me këto emërime. Dje, “Shekulli” botoi emërimin e z. Luis Ejlli, një këngëtar pak më shumë se 20 vjeç, në postin e sekretarit të parë për Turizmin dhe Kulturën në Ambasadën Shqiptare në Paris. Emërimi i z. Ejlli në një post që kërkon tjetër shkollim dhe tjetër eksperiencë, e afron z. Ejlli pranë vajzës së zonjës Topalli, e cila studion në Paris.

Dy të rinjtë jetojnë prej kohësh bashkë. Burimet e “Shekullit” shtuan dje se z. Ejlli ka marrë madje pagën e postit të ri, për dy muaj rresht pa u paraqitur fare në zyrë, dhe vetëm pasi “puna është bërë baltë” i riu është paraqitur në Ambasadë.