Vehbiu gjen strofën me Zotin edhe në …vetë faqen e KM dhe shtron pyetjen: Cilit Zot i referohet kryeministri?

0
23

ResPublica.al, 16 tetor 2012

Pak ditë më parë, duke folur për një çështje të mprehtë administrative, siç është teksti i Himnit kombëtar, kryeministri S.Berisha nyjëtoi një çështje të një strofe që kinse i është hequr Himnit por i duhet shtuar (Se Zoti vetë e tha me gojë / Që kombe shuhen përmbi dhé, / Po Shqipëria do të rrojë; / Për të, për të luftojmë ne!)

Rezultoi të jetë një çështje e paqenë sepse doli se ka një ligj të posaçëm për tekstin origjinal të himnit, që ka 10 vjet në fuqi, po ndoshta Berisha si Berisha, do ketë harruar. Por a ka harruar vërtet? Ardian Vehbiu ka bërë një vëzhgim interesant. Ka hyrë në faqen zyrtare online të Këshillit të Ministrave dhe himni është aty me gjithë strofën e “nëmur”. Shkruan Vehbiu: “Eksternacioni” i Berishës, çudia e tij nis që me faktin se këtë strofë të himnit e gjen edhe në vetë faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, prandaj nuk kuptohet se ku u dashka ‘kthyer’…” (në foto)

Vehbiu bën më pas një analizë “teologjike” të thënieve të Berishës dhe konstaton: “Vetë Berisha, i improvizuar teolog, e shpjegon idenë e vet të mahnitshme: “Dashuria për kombin buron nga fryma e Zotit.” Me sa di unë profani, fryma e Zotit na kërkon dashuri për Tjetrin, jo për kombin; Besimtarët bashkohen në besim, jo në komb! Edhe për të krishterët, edhe për myslimanët, feja vjen para përkatësisë kombëtare – sikurse e dimë të gjithë. Që këtej edhe një pyetje e nënrenditur, të cilën e kemi shtruar edhe më parë: Cilit Zot i referohet kryeministri shqiptar? Zotit të krishterë, apo Zotit të Islamit? Apo Zotit inert të deistëve? Këtë nuk e dimë. Duke e njohur kryeministrin shqiptar, të paktën në mënyrën si i paraqitet ai publikut, na duket se ai dëshiron të jetë njëkohësisht edhe i krishterë edhe mysliman, sipas rastit dhe nevojës…” (A.N.)

Vehbiu i plotë:

http://xhaxhai.wordpress.com/