Vdes në Turqi Aleks Nikaj, shkon në 4 numri i viktimave të 21 Janarit

0
85


Nga Korresp. 24-ore.com

Nuk ka mundur t’i shpëtojë vdekjes, 36 vjecari Aleks Nikaj, i plagosur me plumb në kokë gjatë demonstratës së 21 janarit në Bulevardin përpara Kryeministrisë.
36 vjecari humbi jetën pak minuta më parë në spitalin e Ankarasë, ku u transportua pak ditë më parë, për shkak të gjendjes së rëndë.

Lajmi konfirmohet nga familjarët e të riut, ndërsa mësohet se mjekët në Turqi nuk kanë mundur të kryejnë asnjë ndërhyrje për shkak të gjendjes mjaft të rënduar në të cilën u paraqit 36 vjecari.

Aleks Nikaj u nis drejt Turqisë më 29 janar në përpjekje për një ndërhyrje më të specializuar që do mund t’i shpëtonte jetën, por fatkeqësisht sipas mjekëve kjo ka qenë e pamundur.
Kureshtja në demonstratën e 21 Janarit, i kushtoi jetën babait të dy vajzave, sepse siç është mësuar nga familjarët e tij, Aleksi iu bashkua në orën 15:30 protestës së opozitës vetëm për kureshtje, pas ngjarjeve që kishte parë në televizor.

Shkon kështu në katër numri i viktimave të demonstratës së 21 janarit në kryeqytet.
Gjatë protestës anti-qeveritare të organizuar nga opozita e Bashkuar në 21 janar u qëllua me armë nga brenda ambienteve të selisë qeveritare, duke shkaktuar 3 të vrarë e dhjetëra të plagosur.

48 vjecari nga Gjirokastra Ziver Veizi, 50-vjeçari nga Fieri Faik Myrto dhe Hekuran Deda nga Dibra mbetën të vrarë në 21 janar ndërsa mes të plagosurve ishte edhe gazetari Fatos Mahmutaj, i cili ka marrë një plumb në krah.