Vargje satirike për Shkodrën nga Arben Duka

0
73

Redan Bushati: Dikush të qeshë, dikush të qajë e dikush t’i marrë seriozisht a jo një pjesë të vargjeve të shkruara nga Arben Duka.

Shkodra është unike

Shkodra është unike,
Nuk i ndryshon genet,
Edhe pse vit pas vitit,
Mbytet nga liqenet!

Shkodra është unike,
S’ndryshon asnjëherë,
Dhe pse brenda vitit,
Mbytet dy-tre herë!

O moj Shkodra loce,
Në legjenda mbete,
Jep dritë për të tjerët,
Po mbytesh për vete!

Dhe pse e përmbytur,
Shkodra s’e ha fjalën,
Sa kullojnë ujërat,
Nis këndon për Salën!

Mbase ia fus kot,
Kot poeti cytet,
Ndofta Shkodra vetë,
Ka dëshirë të mbytet!

Sepse nga liqeni,
Meqë erdhi fjala,
Shpie uji në Shkodër,
Mijëra peshq e ngjala!

Shpie uji në Shkodër,
Mijëra peshq e ngjala,
Shkodranët hanë… peshkun,
Votën e merr Sala!