
Arben Rozhani, 22.06.2010
Kryeministri Sali Berisha thotë se jemi ndër të parët. Herën e fundit, në mbledhjen e qeverisë më 16 qershor 2010, tha se jemi në 10 vendet më të mira të BE-së, duke iu referuar Raportit të Drejtorisë së Përgjithshme të Çështjeve të Ekonomisë dhe Financave në BE:
“Shqipëria qëndron në krye të kontributit të sektorit privat në ekonominë shqiptare dhe të ardhurat…ky është vlerësimi më maksimal që ky vend ka marrë ndonjëherë në historinë e tij për ekonominë, ka bërë një progres të rëndësishëm dhe ka arritur shumë afër performancës së dhjetëshes së Bashkimit Europian”. (shih linkun: km.gov.al/index.php?fq=brenda&m=neës&lid=13288).
Edhe Eurostat, instituti i Statistikave të vendeve të Europës thotë se jemi ndër të parët, madje të parët…nga fundi. Ja ç’thonë të dhënat e Eurostat, të cituara nga agjencia malteze, “Maltastar”:
“Prodhimi i Përgjithshëm Bruto (GDP) për banorë në Slloveni, Çeki, Maltë, Portugali dhe Sllovaki është rreth 10-30 për qind më i ulët se mesatarja e 27 vendeve të BE-së, sipas statistikave të Eurostat. Në Finlandë, Francë, Spanjë, Itali, Qipro dhe Greqi, GDP për banor ishte 10 për qind më pak se mesatarja e e 27 vendeve të BE-së.
Në Irlandë, Holandë, Austri, Suedi, Danimarkë, Britani e Madhe, Gjermani dhe Belgjikë ishte 15-35 për qind mbi mesataren e BE-së, ndërsa nivelin më të lartë të të ardhurave për frymë në 27 vendet e BE-së e ka Luksemburgu.
Hungaria, Estonia, Lituania, Polonia ishin 30-50 për qind më ulët, ndërsa Letonia, Rumania dhe Bullgaria janë 50-60 për qind poshtë mesatares së BE-së.
Të ardhurat më të mëdha për frymë në Luksemburg ishin në shifrën 268, kur mesatarja për BE-në është 100, ndërsa Malta e ka në numrin 78. Në vendin e fundit është Shqipëria në vendin e 27” (Shih maltastar.com/pages/r1/ms10dart.asp?a=9990).
Pra jemi rreth 10 herë më pak se Luksemburgu i vogël me rreth 78 mijë USD të ardhura për frymë dhe ne me rreth 6300 USD për frymë.
Emigrantët e Greqisë
Nuk ka nevojë më për “fshesë greke”. Emigrantët po kthehen vetë, sepse nuk ka më punë për punëtorët e krahut të lirë të punës në Greqi. Gazeta e madhe greke “Kathimerini” thotë se qindra emigrantë, prej vitesh në Greqi, më së shumti shqiptarë, po kthehen pas në vendet tyre të origjinës.
( Shih linkun ekathimerini.com/4dcgi/_ë_articles_politics_100011_21/06/2010_117827).
Agjencitë e udhëtimeve në Athinë po raportojnë rritje të ndjeshme të blerjes së biletave nga emigrantët dhe familjet e tyre. ” Zyra ime po rezervon bileta për 10 familje çdo muaj”-thotë Petros Matzaris, pronar i një agjencie udhëtimesh në qendër të Athinës, që organizon udhëtime në Shqipëri.
Ai thotë se eksodi nisi dy vite më parë dhe është shtuar muajt e fundit. “Ne po presim një valë tjetër të madhe të nisjeve tani që shkollat janë mbyllur për pushimet e verës”-thotë Matzaris.
Nikita Tsiprian, që punon në një agjenci tjetër në rrugën “Acharnon” thotë të njëjtën gjë: “Disa punëtorë ndërtimi më thanë se nuk kishin gjetur punë prej 6 muajsh”. Paratë që emigrantët i sjellin Shqipërisë janë rreth 1.2 miliardë euro në vit Shqipëri dhe 60 për qind e tyre përdoret nga familjet për konsum në Shqipëri. Më 2009 të ardhurat nga emigracioni ranë me 6.39 për qind krahasuar me 2008 dhe kështu do të jetë edhe sivjet.
Po ku kthehen? “Kur unë të kem bërë Shqipërinë joshëse për investime dhe në hapjen e punëve për të gjithë, atëherë do të hapet dhe rruga që shqiptarët kudo që janë të kthehen në atdheun e tyre”-kishte premtuar Sali Berisha në gazetën greke “Esspresso”, në korrik 2005. Pra kot që kthehen sepse këtu është më keq se 5 vite më parë dhe janë shtuar edhe 100 mijë të papunë të tjerë.







