Interviste me Armand Vinçani, 16.09.2010
Intervistë me Armand Vinçanin – “..Largimi i ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës pavarësisht kalkulimeve dhe makinacioneve që luhen në selitë e PD-së dhe të ashtuquajturës LSI mbart në vetvete edhe tentativën për t’ju shmangur rrënimit moral që po pëson qeveria e sotme si dhe për të zbutur impulsivitetin në rritje të opozitës dhe publikut në përgjithësi, – mendon prof.Armand Vinçani. Në katër përgjigje mbi situatën e rënduar politike z.Vinçani, flet edhe mbi fushatën e fundit të denoncimeve nga opozita, duke theksuar se “koha për të kërkon më shumë sanguinizëm dhe vendosmëri..”
Z.Vinçani, ditet e fundit publiku u njoh me ndryshimet ne kabinetin qeveritar. A mendonise largimi i Priftit eshte pranim i heshtur i korrupsionit te tij qe ka qene objekt i vazhdueshem i medias dhe opozites?
Largimi i ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës pavarësisht kalkulimeve dhe makinacioneve që luhen në selitë e PD-së dhe të ashtuquajturës LSI ka në themel si diskreditimin personal të personit në fjalë po ashtu dhe dështimin në përformancë e një prej dikastereve më të rëndësishëm në agjencitë që formojnë nivelin më të lartë ekzekutiv. Sidoqoftë, ai largim mbart në vetvete edhe tentativën për t’ju shmangur rrënimit moral që po pëson qeveria e sotme si dhe për të zbutur impulsivitetin në rritje të opozitës dhe publikut në përgjithësi. Një vëzhgim i vëmendshëm i prononcimeve të fundit të Prifit, ndërsa akoma në detyrën e ministrit lehtësisht konstaton përpjekjet e tij për të përligjur aferat e deputetëve të përfolur si të përzierë në licencat dhe koncesionet e siguruara në mënyrë arbitrare nga njerëz të afërm të tyre.
Në anën tjetër, pohimi se vendimi për lëvizjen e tij u kristalizua në një mbledhje të bërthamës së mbetur prej një grushti njerëzish të LSI-së, ku vetë subjekti nuk merrte pjesë dëshmon edhe për implikimin e thellë të Priftit, ku padyshim Meta e Berisha janë tashmë në dijeni dhe e dinë mirë se ai nuk mund të ngrihet më kundër tyre. I vetmi opsion i mbetur për të është menaxhimi i milionave të fituara brenda natës dhe mbështetja pa asnjë kusht e eprorëve të tij pavarësisht se nga limoni i shtrydhur nuk mund të nxirret më lëng.
Kjo u demonstrua qartë edhe në intervistën e fundit televizive të Priftit ku gjendja e çoroditur dhe mendimet pa bosht të tij flisnin më shumë se çdo koment tjetër duke lënë pas shijen e hidhur të ironisë se kush paska qenë ministri ynë “flori” që ka drejtuar ekonominë tonë! Edhe pse kaluan muaj të tërë përsëri për njerëzit e thjeshtë është mister pasurimi i tij e do të vazhdojë të jetë kështu për aq kohë sa korrupsioni është shtylla më e fuqishme e shtetit dhe drejtësia nuk ka asnjë mundësi tjetër veçse të jetë shërbëtori i tij.
Megjithate kryeministri vleresoi kontributin e Priftit. Besoni se keto jane fjale te
sinqerta?
Sa për sinqeritetin e Berishës besoj se si të tilla mund të merren vetëm fjalët e thëna kur ai është në opozitë. Nëse do të lavdërojmë dikë që brenda një viti e çoi pasurinë nga zero në 1.8 milionë euro nuk mbetet gjë tjetër që për ata që handakosen nga dita në ditë për bukën e gojës të themi që mallkimi të bjerë mbi ta. Sigurisht janë disa arsye pse kryeministri nuk mund të pranojë hapur se ç’ndodhi me ish-ministrin e tij. Mbi të gjitha ai nuk mund të harrojë se Prifti e mbajti në këmbë qeverinë e tij pas rezultatit të pakëndshëm në zgjedhjet e vitit të shkuar. Po ashtu pohimi i korrupsionit të Priftit do të ishte de juro pohim i dështimit të koalicionit të formuar mbi platforma politike dhe programe të kundërta.
Do të ishte e tepërt të përsërisnim atë që tashme është thënë e stërthënë lidhur me motivet e LSI-së për futjen në koalicion. Në anën tjetër duhet kuptuar që Berisha nuk ka hapësirën për të qenë krejt i sinqertë. Kur është fjala për pushtetin politika shqiptare dhe protagonistët kryesorë të saj, nga të dy krahët, kanë treguar se ata reagojnë jo kur qeni kafshon njeriun por kur ky i fundit kafshon qenin. Kjo thënie alegorike ndihmon për të kuptuar më mirë se si zbatohet tek ne parimi i papranueshëm në demokraci se qëllimi justifikon mjetin.
Si e shikoni vete-levizjen e Metes ne vendin e Priftit? Mundet qe eksperienca e tij ne drejtimin e ekzekutivit te kete ndikim pozitiv ne sektorin e ekonomise?
Nuk e di se cilën eksperiencë kanë parasysh ata që bëjnë sot një pyetje të tillë. Nëse i referohen ndalimit në polici të liderit të opozitës në kohën kur Meta ishte në krye të qeverisë kjo nuk besoj se ndihmon në çështjen në fjalë. Zgjedhjet parlamentare të organizuara prej tij vulosën dhunë verbale dhe fizike deri në kufijtë e terrorit ndaj opozitës së atëhershme. Po ashtu besoj nuk ndihmojnë as edhe eksperiencat e tij në përleshjet në arenën e parlamentit me përdorimin e karrigeve, tavolinave e vazove të luleve ndaj “miqve” të sotëm demokratë. Me fjalë të tjera, nuk gjej ndonjë përvojë praktike apo kurrikulum edukativ që të mbështesë një potencial të mundshëm në drejtimin e atij sektori.
Është e vërtetë se sot jetojmë në një sistem krejt të kundërt nga ai i kaluar. Por kjo nuk do të thotë se ndryshimi në formë është shoqëruar me 100 % ndryshim në përmbajtje. Kjo është më e theksuar kur lidhet me mentalitetin apo pragmatizmin që karakterizon sidomos pushtetarët tanë. Ndoshta përsëris edhe vetveten, por do të doja të kujtoja rrëfimet e një ish-byroisti, i cili kur u ngarkua të drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes hezitimit të tij për mosnjohje të natyrës së punës diktatori ju përgjigj me pyetjen retorike, “Po vijën e partisë a e njeh?” Në këtë këndvështrim ç’farë rëndësie ka nëse Meta nuk njeh ekonominë, ligjet e saj dhe një arsenal të tërë teorish e praktikash ku ajo mbështetet?
Kjo është arsyeja që edhe emërtesa e zv.kryeministrit shkon pas Metës pavarësisht rolit ministror që ai ka. Nëse qe në majë të piramidës zbatohet parimi që njeriut ti gjejmë punën e jo punës njeriun ç’mund të presësh poshtë ku pa njohje jo vetëm koncesione, tenderë e projekte që nuk merr por as në armatën e pastruesve nuk regjistrohesh dot. Të vetmen eksperiencë që Meta ka, nëse do ta quajmë të tille,është se ai kupton fare mire se pa pushtet e ardhmja e tij politike është e mbaruar. Pushteti ekonomik i lejon realisht atij të luajë më mirë në zgjedhjet e ardhshme vendore ku në fund të fundit se kush vjen në karrige e kush e le atë nuk varet nga elektorati, sepse verdikti i tij transformohet në mënyrë të shëmtuar, siç ka ndodhur pothuaj me të gjitha zgjedhjet e zhvilluara deri më tani.
Në kushtet e qenies pa një parti te mirëfillte kreut të LSI-së nuk i interesonte më vazhdimi i karrierës në politikën e jashtme për disa arsye. Së pari, të jesh në krye të diplomacisë kërkon atribute e nivel intelektual të tille që zor se fitohet vetëm në “Shkollat e Lira Ushtarake” të partive politike shqiptare. Kështu Z. Meta do ta ketë ndjerë veten shumë keq kur është detyruar të dëgjojë leksionet e të tjerëve, siç janë ato të fundit të kryeministrit të vendit fqinj e pa mundësinë e kurajën minimale për të treguar sado pak nga natyra e tij e përmendur më lart.
Sa “trima” jemi me njëri-tjetrin aq të bindur e kokulur jemi kur vjen puna në referencat me të huajt të cilët shpesh detyrohen të “arbitrojnë” kaosin që në krijojmë. Së dyti, fushatat e ardhshme elektorale dhe etja konstante për pushtet kërkojnë burime financiare dhe ekonomia është një sektor ku milionat shtohen vetë. Së treti pushteti ekonomik lejon ushtrimin e presionit në segmente të caktuara të elektoratit që kanë ndikim të veçante në të “korrurat” e zgjedhjeve. Këto janë pak a shumë objektivat që do të synojë lëvizja e fundit në personelin e qeverisë, ku mazhoranca është e detyruar të pranojë pa kushte në mënyrë që të mbetet e tillë.
Z.Vinçani, kohet e fundit opozita eshte angazhuar seriozisht ne nxjerrjen ne drite te aferave
korruptuese te shume pushtetareve, politikaneve e njerezve te aferm rreth tyre. A
mendoni se nje levizje e tille mund te kete ndikim pozitiv ne luften ndaj korrupsionit qe
ka mberthyer shoqerine shqiptare?
Në çdo vend ku korrupsioni është i pranishëm subjektet kryesore që mund ta frenojnë atë: janë qeveria, shoqëria civile dhe sektori privat. Legjitimiteti i çdo pushteti në një sistem demokratik është derivat i popullit. Në Shqipëri akoma dhe sot nuk dihet se cili subjekt politik ishte derivativi i vërtetë i zgjedhjeve të vitit të kaluar. Në mënyrë që qeveria të gëzojë legjitimitetin ajo duhet të jetë përgjegjëse ndaj kontrollit demokratik të njerëzve e zbatimit të ligjeve. Është pikërisht ky legjitimitet që i jep pushtetit moralin dhe forcën e duhur për të ndërmarrë reforma të tilla që mundësojnë nxjerrjen jashtë ligjit të korrupsionit që prek aq shumë jetën e njerëzve të thjeshtë.
Është ky legjitimitet që e bën pushtetin një roje të vërtetë e të besueshme te interesit publik. Por kur kjo “roje” bën të kundërtën siç po dëshmohet sot atëherë fjalët qeveri dhe korrupsion janë ekuivalente të njëra-tjetrës. Edhe legjitimiteti i shoqërisë civile derivon nga populli por i strukturuar në një mënyrë të ndryshme me institucionet e saj të pavarura si grupet e interesit, sindikatat, shoqatat dhe organizatat e ndryshme jo qeveritare, media etj. Në kushtet kur institucione të tilla te pavarura, me përjashtime të vogla, nuk ekzistojnë ose kane struktura të brendshme jo demokratike nuk mund të bëhet fjalë për një kontroll direkt të tyre.
Ndryshe nga dy faktorët e parë komuniteti i biznesit është një subjekt tjetër që mund të luajë një rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Sektori privat më shumë se kushdo tjetër ka premisat për të qenë njëkohësisht si mbartës ashtu edhe viktimë e korrupsionit. Fatkeqësisht ky subjekt sot nuk ka asnjë forcë për t’u ngritur e kërkuar të jetë një partner në përballjen me korrupsionin. Ai është i shtypur nga një grup pushtetarësh e njerëzit rreth tyre që tashmë e kanë privatizuar Shqipërinë për llogari të tyre.
Në këto kushte barra i mbetet partive të opozitës dhe medias që të kthehet në përfaqësuese e interesave të shoqërisë. Aktualisht duket një situate e ngjashme me atë të para vitit 2005 ku opozita e atëhershme arriti të ç’montoje gradualisht pushtetin e Nanos pikërisht me platformën antikorrupsion që sundoi edhe fushatën elektorale e çoi në dorëzimin e “udhëheqësit të katharsisit”. Opozita e sotme e ka ndërtuar strategjinë e saj mbi bazën e një përshkallëzimi konstant të nxjerrjes në dritë të fakteve që po e nxjerr zbuluar gjithnjë e më shumë pushtetin e sotëm i cili ka humbur terren në mënyrë të ndjeshme.
Megjithatë, opozita duhet te jete ne gjendje te kuptoje se ndryshe nga viti 2005 sot është shumë më vështirë të fitosh besimin e elektoratit në kushtet kur ai është tërësisht i zhgënjyer nga vitet që kemi lënë prapa. Opozita do të jetë vërtet e suksesshme, nëse ajo do të tregojë bindshëm se angazhimi i saj në përballjen me korrupsionin e pushtetit të Berishës nuk është thjesht strategji për të fituar pushtetin nesër por mbi të gjitha është lëvizje për të rivendosur drejtësinë dhe besimin e humbur. Kjo lëvizje mund të kthehet në të tille nëse PS-ja dhe drejtuesit e saj do të jenë në gjendje të aktivizojnë shoqërinë civile jo me struktura të tipit “KOP”, por me vendosmërinë për të ç’bërë atë që u bë padrejtësisht, për të kthyer atë që u vodh në mes të ditës, për të ç’pronësuar ata që u pronësuan me pronat e të tjerëve, për t’i kthyer popullit naftën, energjinë e sektorë të tjerë jetike qe u vodhën e sot shfrytëzohen nga njerezit e rrethit të ngushtë të pushtetit.
Opozita do të sigurojë mbështetje masive nëse ajo niset nga koncepti se korrupsioni nuk ka parti, nuk ka ngjyre. Mbi të gjitha drejtuesit e saj mund të bëhen sot të besueshëm vetëm nëse ata do të provojnë se ndershmëria e tyre, n.q.s., pretendojnë të jenë të tillë, nuk është thjesht mungesë oportuniteti. Një forcë politike serioze që do të dëshironte të nxirrte vendin nga bataku ku është sot do të duhej të tregonte kuptim të plotë të asaj që është refuzuar deri më sot: nxjerrjen vërtet jashtë ligjit të korrupsionit e kthimin e legjitimitetit tek shteti dhe së dyti zgjidhjen e problemeve të pronave e pronësisë. Me një ekonomi informale dhe të nën-kapitalizuar ekonomia e vendit tonë kurrë nuk do të jetë në gjendje të marrë formën dhe arrijë performancën në nivelet e vendeve të zhvilluara. Ata që do ta vuajnë këtë gjë do të jenë populli i thjeshtë, por jo pushtetarët e sotëm që tashme krijuan shtresën e milionerëve pa mund duke ia vjedhur pasurinë të tjerëve.
Nëse, opozita e sotme dëshiron të marrë përsipër këtë rol, ashtu siç po tregon kohët e fundit, ajo duhet të çlirohet plotësisht nga tiparet flegmatike sunduese të periudhës së verës. Koha për të kërkon më shumë sanguinizëm dhe vendosmëri.
Intervistoi Elona Demollari
Z.Vinçani!
Ju thoni qe korrupsioni mund te ndalohet nga:
– Qeveria,
– Shoqeria civile
– Sektori privat.
Ju thoni:”Qe Qeveria te gezoje legjitimitetin ajo duhet te jete pergjegjse ndaj kontrollit demokratik te njerezve e zbatimit te ligjeve… per te ndermarre reforma per nxjerrjen jasht ligjit te korrupsionit…
Deshiroje te beje disa pyetje me perpara:
1) Kush e ben korrupsionin ne Shqiperi?
2) Kush e ka per detyre ligjore luften kunder korrupsionit ne Shqiperi?
3) Shoqerine civile dhe sektorin privat ju i kini shfajesuar si mjete te dobeta dhe jo efikase,por shtoni ne vend te tyre Opoziten dhe Median,çfare do te thote:”Koha per te kerkon me shume sanguinizem dhe vendosmeri” ?
Vendi ka nevoje per drejtim me drejtesi :
– Nje pushtet legjislativ real, me shqiptare qe njohin drejtesine, por mbi te
gjitha qe jane te drejte, te ndershem, dhe me karakter
– Nje ekzekutiv qe i pergjigjet realitetit, Parlamentit, detyrave te se sotmes
dhe te ardhmes me persona qe dijne te mbajne pergjegjsi, kane kompetenca,
ndershmeri, drejtesi dhe seriozitet.
– Nje pushtet gjyqesor qe zbaton ligjin, ai ne radhe te pare: “Te gjithe jemi
te barabarte para ligjit”; qe nuk e shkel ate, por e zbaton ne perputhje me
standartet europiane e boterore me te mirat. I perbere nga juriste qe dine, qe
kane dhe qe jane te ndergjegjshem per rolin e tyre.
– Organe te garancise se funksionimit te regullt ligjor:
1) President te zgjedhur nga populli, dhe jo nje kukull te kompromiseve
partiake
2) Nje gjykate kushtetuese, sovrane ne çeshtjet e kushtetutes dhe kur s’eshte
ne gjendje per sovranitet t’i drejtohet Sovranit, popullit.
Duke dashur qe te hyjme ne keshtjellen e Europes me idealet e
socialdemokracise, neve, populli, shoqeria publike ja deleguam aspiratat,
ndjenjat, problemet, deshirat, endrrat, “PERFAQSUESVE” tane dhe ata na e kane
shperblyer ne kete menyre: Kemi marre malet, nga syte kembet, pa barinj, kemi
zbritur nga mali ne koder dhe kush na gjen po na shqyen, jemi bere mish per
top… te vazhdoje me?
Shkarkimi i ministrit eshte nje “ragion di stato” i zakonshem.
Eshte e nevojshme te degjojme se çfare thone mendimet realiste ne Shqiperi,por mendimet idealiste si te juajat dhe te mijat si dhe te shume intelektualeve te tjere nuk kane vlere ne Shqiperi.
Vendi do te shpetoje kur vetedija kombtare,interesi kombtare ne Shqiperi te vihen ne plane te pare:
– Bashkesia e objektivave dhe e synimeve te nje vendi ne fushen ekonomike,ushtarake,dhe kulturale.
– Kur mbijetesa dhe siguria e shtetit te kene nje rendesi te grades pare.
– Kur mireqenia e popullit te konsiderohet ne te njejten grade me ate te shtetit.
– Kur rritja ekonomike dhe ajo e fuqise te kete hapa te dukshem.
Mendoni se ka ngelur ndër ne, në popull ndonje grimce ideali, dëshire… per te
ndryshuar kete gjendje?
Me respekt Agim Shkodra.
Comments are closed.