Marie Gusho, vajza e Lasgush Poradecit në një intervistë dhënë për radio “Blue Sky” në Kosovë flet për babain e saj të madhin Lasgush Poradecin. Ajo tregon letrat e intime mes Poradecit dhe Kutelit, letrat intime të Lasgushit drejtuar bashkëshortes së tij. Marie Gusho rrëfen marrëdhënien e saj me babain, poezitë e tij, si ndihej ai i lënë mënjanë nga regjimi komunist, vizitat e Ismail Kadaresë dhe dashuritë e Lasgushit.
Intervistoi: Vera Pelaj
Zonja Marie, cila ishte marrëdhënia e babait tuaj, Lasgushit, me ju, bijat e tij?
Ai ka patur për mua dhe Kostandinën një dashuri që nuk shtoj po të them që kalonte përmasat e të zakonshmes. Deri në adoleshencë na mbante gjithmonë mbas vetes, nuk ndahej kurrë nga ne. Jeta e familjes tonë ishte gjashtë muaj në Tiranë dhe gjashtë muaj në Pogradec. Kur nëna jonë, në muajin shtator kthehej në Tiranë, sepse ishte mësuese dhe fillonte shkolla, ai na mbante prapë atje, të na kishte para syve të tij dhe dëshirën për të ndenjur ne me nënën tonë, dukej sikur nuk e konsideronte. Lasgushi u bë prind rreth moshës 60 vjeçare, në atë moshë kur njerëzve ju takon të bëhen gjyshër. Ai u martua rreth moshës 40 vjeçare me nënën time, dhe mbas 15 vjetësh martesë lindi Kostandina, motra ime e madhe. Pas tre vjetësh linda unë. Për Lasgushin kjo ngjarje ishte e jashtëzakonshme.
Ishte rritur në një familje të madhe, me motra dhe vëllezër e dëshironte që të kishte edhe ai një familje të madhe. Babai im ishte 16 vjet nëpër Europë për të studiuar, sepse në Shqipëri mungonin shkollat dhe për t’u bërë intelektual ishe i detyruar që të shkoje jashtë shtetit. Qëllimi i vetëm i Lasgushit ishte që mbas mbarimit të shkollës të ktheheshe në Atdhe për t’i ndihmuar çështjes shqiptare. Sepse Shqipëria sapo ishte formuar dhe kishte nevojë për njerëz të ditur. Ai ndenji 10 vjet në Graz të Austrisë ku mori titullin Doktor në Filologji. Kur e kam pyetur se: “Përse ti baba nuk u martove në Austri me një austriake?” ai më ka thënë: “Sepse nuk donja që këtë nder t’ja bëja një femre të huaj. Kam dashur të martohem me një shqiptare”. Im atë ishte rritur në një familje të madhe. Ai kishte 3 vëllezër dhe 4 motra. E donte shume familjen, e donte edhe të madhe. Por fati bëri që gëzimin e të qenit prind ta provonte shumë vonë. Për të ishte një gëzim i jashtëzakonshëm.
Kur kuptuat që babai juaj ishte njeri i madh, jo si të tjerët?
Është një kontradiktë e madhe sepse kur unë u përmenda, të paktën flas për veten time, nuk e di për Kostandinën, pra rreth 12 vjeç, im atë ishte 70 vjeç. Ne kishim një diferencë jashtëzakonisht të madhe moshe. Koha atëherë nuk ishte fare në favor të Lasgushit sepse emri i tij nuk përmendej. Lasgushi nuk mësohej nëpër shkolla, për Lasgushin nuk fliste televizioni, Lasgushit nuk iu botua vepra asnjëherë. Megjithatë, ti kupton si fëmijë, duke e krahasuar thjeshtë me prindërit e shoqeve të tua, kupton se diçka është ndryshe në shtëpinë tënde.
E ndjen, më saktë, por se çfarë është nuk e kupton dot, se je e vogël. Nuk arrin ta kuptosh se çfarë do të thotë poet, aq më shumë poet i madh, ç’do të thotë “Lasgushi ka kulturë të madhe”, ç’do të thotë “Vepër”, ç’do të thotë “nuk i botohet vepra”, etj. Ti shikon bibliotekën e tij të madhe dhe shumëgjuhëshe, që nuk e ka në shtëpi asnjë nga shoqet e tua, shikon piktura, e nuk arrin të kuptosh asgjë nga këto. Ti jeton fëmijërinë tënde dhe e do atë thjesht sepse ai është babai yt, është qenia jote, është gjaku yt. Aq me tepër se ai kishte mënyra për ta treguar se babai është një qenie shumë e rëndësishme në familje.
Dhe kur u rritët, ç’farë kuptuat?
Pas vdekjes së babait tim, mbasi dhe u hap Shqipëria edhe kur unë u rrita sepse unë isha 20 e ca vjeç kur ai vdiq, pasi fillova të shoh arkivën e babait tim, atëherë kuptova, atë që duhej të kuptoja që babai im është njeri sa i rrallë i këtij vendi, aq dhe i rrallë i letërsisë shqipe.
Si ndiheni për këtë?
Sigurisht, që për çdo fëmijë babai është shumë i dashur edhe ta flasësh për babain është kënaqësi, por që ta dish se babai yt rri këmbëkryq në literaturën e vendit tënd, ky është kulmi i kënaqësisë.
Me cilët shkrimtarë të kohës kishte lidhje më të afërta?
Po ai lexonte gjithçka që i binte në dorë. Të dukej që ai rrinte aty në shtëpi dhe nuk dinte fare se çfarë ndodhte jashtë. Ai ishte i azhornuar më gjithë jetën që ndodhte jashtë mureve të shtëpisë.
Nuk e kam fjalën për veprat e tyre por për shkrimtarët e kohës, si afërsi miqësore. Me cilin kishte lidhje më të afërt?
Vinin poet të rinj që e takonin por ishin shumë të rrallë. Shtëpinë tonë nuk para e vizitonin shumë njerëz sepse shikoheshin vëngër, Lasgushi nuk ishte i preferuar i regjimit. Nga njerëzit e dëgjuar vinte Ismail Kadare, vinte edhe në shtëpinë e Tiranës edhe në shtëpinë e Pogradecit, kur ishim atje.
Pse vinte Ismail Kadare?
Ismail Kadare ka ardhur dhe është afruar, e para se e çmonte babain tim si poet. Këtë edhe e ka shkruar. Ismaili na ka ndihmuar konkretisht. Na ka ndihmuar në kohën kur ne kishim shumë nevojë për ndihmë. Sapo kishim mbaruar shkollat e mesme dhe duhej të shkonim në Universitet. Po t’i thoje Lasgushit se fëmija yt nuk do të shkojë në Universitet, ishte sikur ta vrisje. Sepse ai nuk mund ta imagjinonte këtë. Ishte një vuajtje shumë e madhe, sepse Lasgushi e dinte, që nëse fëmija i tij nuk do të shkonte në universitet, kjo ishte vetëm, që fëmija të paguante për karakterin e të atit.
Ai e kishte pranuar me dëshirë ta mbante kryqin. Ai e kishte pranuar me dëshirë pozicionin e tij por që ta shikonte, që kryqin ta mbante fëmija për hatër të tij, kjo ishte shumë e dhimbshme për të. Dhe në këtë kontekst, ndihma e Ismail Kadaresë, ka qenë ë jashtëzakonshme sepse i ka lehtësuar atij një dhimbje shpirtërore shumë të madhe. Na ka ndihmuar për t’u regjistruar në Universitet dhe për të filluar punë, pavarësisht nga vështirësitë e jashtëzakonshme që kemi hasur. Ka qrnë kjo një mirbërje e tij për Lasgushin dhe për ne bijat e tij. Sepse ai që kishte vuajtur nëpër shtete të ndryshme vetëm për të marrë kulturë nuk mund ta mendonte kurrë, që fëmija i tij, të mos shkonte në Universitet. Nuk mund ta mendonte kurrë që t’ia pamundësonin shkollimin fëmijëve të tij.
Mban mend sa iu besonte ai shkrimtarëve?
Po nuk kishte çfarë t’ju besonte, sepse nuk kishte ndonjë sekret të madh. Ishte shumë i kujdesshëm dhe e dinte kohën së ku jetonte.
Tani kohët e fundit keni botuar veprën e babait tuaj ku bëjnë pjesë edhe korrespondencat intime me nënën tuaj dhe me shkrimtarin Mitrush Kulteli. Korrespondencat me Mitrush Kutelin, janë të botuara për herë të parë. Pse e zgjodhët pikërisht këtë kohë për t’i botuar?
Nga ajo që kam parë të arkivën e tim eti, kam kuptuar që çdo gjë që ai ka mbajtur në arkivë është një vlerë kombëtare dhe çdo gjë që ai ka mbajtur duhet ekspozuar! Dhe besoj dhe nga ai e di, që korrespondencat duhet hapur atëherë kur njerëzit nuk jetojnë më. Duke parë që këto korrespondeca kishin rreth 80 vjet që ishin shkruar. Mendoj se duhen ekspozuar, sepse bota shqiptare nuk e njeh Lasgushin. Them nuk e njeh sepse për ta njohur duhet të shohësh arkivën e tij. Doli për herë të parë korrespondenca me Mitrushin, sepse për herë të parë Mitrushi, bashkë me shokët e Bukureshtit, mblodhën veprën e tij dhe e botuan.
Ishte iniciativa dhe këmbëngulja e Mitrushit, që të gjitha poezitë e Lasgushit të botuara në organet e kohës, u botuan në një vëllim. Ishin përpjekjet e tij, ishte mundimi i tij, miqësia e të dyve si pogradecarë, artistë dhe meqenëse Mitrushi ishte iniciatori i parë i botimit të veprës së tij në një vëllim, mendova së kjo është shumë e rëndësishme. Në një dosje që pash në arkivën e tim eti, ai i kishte ruajtur të gjitha letrat që i kishin ardhur nga Mitrushi. Dakord, ato letra kishin shumë vlerë, janë pasuri kombëtare, por nuk njihja letrat që im atë i kishte dërguar Mitrushit. Mora kontakt me familjen e Mitrushit dhe më thanë se nuk kanë letra të Lasgushit. Unë kam qenë e kujdesshme në të gjitha zgjedhjet e mia. Kam kontaktuar me trashëgimtarë të personave, që nuk jetojnë më.
Jo vetëm me familjen e Mitrushit por edhe me personat e tjerë, korrespondencat e të cilëve do të dalin më vonë. Kam qenë shumë e kujdesshme e ju kam kërkuar ku janë letrat e tim eti që kanë shkuar te ata. Asnjë përgjigje. E çuditshme!! I kanë grisur? ose ndoshta nuk duan t’i japin!!. Ndërsa te babai im, vija re një gjë: skrupuzozitetin prej shkencëtarit. Është rast unikal në letërsinë shqipe, që personi të mbajë kopje të letrës, që ka dërguar. Kur kam pasur rastin që kam gjetur ndonjë letër dhe e kam krahasuar me kopjen e letrës që ka mbajtur babai im, kryesisht këto të kohës së komunizmit, më ka rezultuar që edhe pika edhe presja janë njësoj. Një skrupulozitet tamam prej shkencëtari, prej një njeriu largpamës. Një njeri që nuk ka dashur që asgjë nga jeta e tij t’i shkoj kot.
Një njeri që i’u është kundërvënë me dinjitet të gjithë atyre që heshtën për ta zhdukur, për ta fshirë Lasgushin. Ai vazhdonte punën e tij dhe këtë e quante pjesë të destinit të tij. Rrinte atje te kulla e vet. Mbante shënime dhe kopje të të gjitha korrespondencave që dërgonte dhe siç shkruante në një letër thotë: “kur unë shkruaj një letër, aty vë zemrën time”. Ai ishte i sinqertë në të gjitha letrat që dërgonte. Pra, meqë jemi duke folur për Mitrushin, gjeta kopjet e letrave të babait tim kështu, që i radhita vetë dhe u mora me to si me një fëmijë të vogël. Ka qenë një përpjekje e stërmundimshme, por më ka sjellë shumë kënaqësi. Kam deshifruar shkrimin e letrave të Mitrushit dhe shkrimin e papastër të letrave që kishte mbajtur babai im. Fillova punën për përgatitjen e librit që në fillim deri në fund duke u kujdesur me dashuri për të gjitha hollësitë. Dhe Zoti gjithmonë na shpërblen për durimin tonë.
A keni materiale të tjera të pabotuara?
Ai siç ka mbajtur kopje të korrespondencave me Mitrushin, ka mbajtur edhe me të tjerët! Është edhe Asdreni, dhe shumë e shumë të tjerë. Duhet një punë e madhe. Duhet punë e madhe dhe dashuri e madhe. Me Asdrenin është një miqësi e jashtëzakonshme. Asdreni e ka ndihmuar kur ai kishte vështirësi financiare kur studionte në Austri, që vinin si rezultat i mosdërgimit të bursës, vështirësi financiare, që duken edhe më të mëdha, kur je në dhe të huaj. E ka ndihmuar financiarisht kur shtrohej nëpër spitale, sepse ai ka vuajtur shumë, ishte njeri shumë i dobët nga shëndeti i cili i ishte tronditur që në rininë e tij, larg në mërgim. Vuajti nga shëndeti, vuajti nga komunizmi. Që të shkruash duhet të kesh ca komforte. Lasgushit ia kursyen perënditë rehatinë e të shkruarit, por e kompensuan me talentin dhe gjeninë e tij të madhe.
Lasgushin, shumëkush e ka krahasuar me poetët rus të shekullit 19-të. A është e vërtetë se ai ka qenë i ndikuar nga këta poetë rus?
Lasgushi, kur u kthye në Shqipëri punoi si përkthyes në Ndërmarrjen e Botimeve dhe atje ka përkthyer poetë rusë që ia jepnin për të përmbushur normën, sepse ai ishte punëtor i normuar në këtë Ndërmarrje. Atij asnjëherë nuk iu njoh doktoratura që mori në Austri. I vetmi ose nga të vetmit që u kthye në atdhe me Titullin e lartë Doktor në Filologji të marrë në një vend perëndimor ishte Lasgushi, se shumë nga ata që kryesonin organet e shtetit komunist nuk ishin të doktoruar fare e aq më shumë jashtë shtetit. Meqë ai ka përkthyer poetë rusë dhe i ka bërë ata të flasin shqip në mënyrë mjeshtërore, për këtë ndoshta kanë thënë se është i ndikuar nga poetët rusë.
E përmendët çështjen e doktoraturës. Pse e zgjodhi Emineskun për doktoraturë, dini gjë për këtë?
E zgjodhi sepse Eminesku më momentet e çmendurisë thoshte se: “Unë jam shqiptar”. Atë kohë, kur im atë ka bërë Disertacionin për Emineskun, Rumania nuk e kishte shpallur Emineskun si poet kombëtar! Përkundrazi. Edhe tema e doktoraturës ashtu është: Eminesku i injoruar! Ata e kishin anashkaluar. Injorim nuk do të thotë ta shash tjetrin. Do të thotë që ai është atje por t’i bën sikur nuk e vë re. Ashtu siç e injoroi komunizmi Lasgushin. Por, një poet ballkanas siç ishte Lasgushi, vë në evidencë në një punim doktorature, një poet tjetër ballkanas dhe e shpall atë poet kombëtar të vendit të vet, që në vitet 30-të, kjo është një gjë e mrekullueshme. Dhe, punimi i doktoraturës së tij ishte shumë largpamës sepse në vitin 2000 rumunët e shpallën poet kombëtar Emineskun, dhe sot në Rumani, Eminesku është poeti më i madh kombëtar.
Kur kam pyetur njerëz specialist, më kanë thënë që në punimin e tij për Emineskut, Lasgushi del tamam me përmasat e një shkencëtari. Kur kanë festuar 150 vjetorin e lindjes së Emineskut rumunët, botuan të gjitha shkrimet nëpër botë që i mblodhën, që ishin shkruar për të, e kishin gjetur dhe doktoraturën e Lasgushit dhe e kishin botuar, duke thënë: “Llazar Gusho, ky shkrimtar gjerman”. Nuk e dinin që Llazar Gusho, ishte shqiptar. Kur jam konsultuar me specialistë të gjermanishtes, më kanë thënë që gjermanishtja që përdor Lasgushi te punimi për Emineskun është aq ekselente sa nuk kuptohet që ky njeri është nga një vend i huaj. Mënyra si e përdor gjermanishten duket sikur ai është gjerman.
Lasgushi, njihet edhe si poet që i ka kënduar më së bukuri dashurisë. Ishte kjo zgjedhje e tij apo thjeshtë talent i tij i lindur?
Që një poezi të jetojë gjatë, duhet të ketë një temë që jeton gjatë. Poezia nuk është shaka. Ka sekretet dhe rregullat e veta ashtu sikurse artet e tjera. Nuk do të thotë të merrësh ca fjalë, ti vargëzosh edhe ja u bë poezia. Jo! Një temë që jeton gjatë është tema e dashurisë, atdheut, e vendlindjes dhe ai mjeshtri i dinte sekretet e jetëgjatësisë së poezisë dhe zgjodhi ato tema të cilat nuk do ta shuajnë kurrë emrin e tij nga letërsia.
Si ishte në raportin me bashkëshorten, me nënën tuaj. Kishte edhe lidhje të tjera?
Nëna ime ishte gruaja më e rëndësishme e jetës së tij. Ajo ishte një intelektuale dhe një grua e mrekullueshme. Ajo mbante titullin “Mësuese e merituar” dhe kur u martua me tim atë dinte dy gjuhë të huaja. Ajo dashuroi Lasgush Poradecin dhe e adhuroi gjithë jetën. Jetuan bashkë 44 vjet. Nëna ime ishte aleati më besnik i tim ati. Dhe kjo në atë kohë nuk ishte pak. Ne ishim shumë të hapur në familje. Lidhja e tyre ka qenë e fortë, e qëndrueshme dhe e patronditur asnjëherë. Kurrë nuk kam dëgjuar që midis tyre është dikush tjetër fizikisht. Kurrë. Të jetosh me një poet nuk është sikur të jetosh me një njeri të zakonshëm, sepse ai është i dyzuar. Ai është dhe Llazar Gusho është dhe Lasgush Poradeci.
Por, nëna ime e dinte mirë këtë sepse ajo adhuronte Lasgush Poradecin dhe e dinte misionin që kishte marrë përsipër, që kur u martuan. Lidhja e tyre nuk ishte një lidhje e thjeshtë, që asaj ju propozua një njeri për martesë dhe hajt martohemi. Jo, ajo u martua me Poetin Lasgush Poradeci. Edhe nëna ime shkruante vjersha. Kur ti jeton me një njëri të jashtëzakonshëm, e gjithë jeta jote është e jashtëzakonshme. Dhe ashtu siç ndodh me këta lloj njerëzish është normale që janë në shënjestër të gjithë opinionit. Edhe Lasgushi nuk bënte përjashtim. Që kur lind poezia, thoshte babai im, lindën edhe armiqtë e saj!
Në dy përmbledhjet e tij poetike, në “Vallja e yjve” dhe “Ylli i zemrës”, përmenden yjet. Çfarë lidhje kishte me yjet, dini gjë?
Jo unë këtë nuk di ta them. Koncepcionin poetik të veprës së tij nuk di ta them. Por në korrespondencat e tij me nënën time kam gjetur në një vend “Ylli i vashës shqiptare”. Atë vashë shqiptare që donte ta merrte për grua ajo duhet të kishte cilësi që ai donte për vashën shqiptare dhe ato cilësi ai i gjeti te nëna ime. Prandaj lidhja e tyre zgjati përgjithmonë.
A kishte Lasgushi ndonjë sekret që nuk dihet në opinion dhe do të donit ta ndanit me radion Blue Sky?
Lasgushi përveç të qenurit poet ishte edhe piktor. Vizatimet e tij i kishte që nga mosha 16 vjeçare. Jo pa shkak ai edhe kur shkoi në Rumani, me dëshirën e madhe të shkelte pragun e Universitetit nuk mund ta anashkalonte talentin që kishte për pikturë dhe ai u regjistrua në akademinë e arteve të bukura në Rumani, për pikturë. E fitoi konkursin sepse i nënshtroheshin një konkursi. Mirëpo pastaj ai e pa që dy kunguj në një sqetull, nuk mbaheshin , kjo është shprehje e babait tim, dhe do të zgjidhte ose do të jesh piktor i madh pse do të jesh poet i madh. Ai e ndjenjte veten poet i madh, megjithëse edhe pikturat janë një mrekulli.
Ato kryesisht janë portrete mjeshtërisht artistikë, sepse gjinia më e vështirë në pikturë është portreti. Ai e zgjodhi rrugën e poezisë dhe e la pikturën. Më kujtohet njëherë në vitin 1982, rrinin në kuzhinë në shtëpinë e Tiranës dhe unë i them: “Ti baba pse nuk ma bën mua portretin? Ai ishte në orët e tij të mira dhe kur ja gjeje ato ishte aq i mrekullueshëm dhe më tha: Po, bijkë e babkës, shko tek biblioteka dhe merre karnetin”. Kishte një karnet që ishtë një fletore vizatimi e vogël ku kishte me radhë të gjitha vizatimet. Filloi të më bënte portretin e me bëri gjysmën për fat të keq të nesërmen pësoi ishemi cerebrale ishte 83 vjeç atëherë dhe ky portret ka mbetur ashtu përgjysmë. Është një kujtim shumë i dashur i imi.
Zonja Marie, keni për të thënë diçka për fund për dëgjuesit tanë?
Më pëlqen shumë që jap këtë intervistë për radion e Kosovës sepse im atë ka pasur një dashuri të jashtëzakonshme për Kosovën. Kosova ishte atdheu, Kosova ishte pjesë e Shqipërisë, ai gjithmonë kështu e pa. Ai për Kosovën ka shkruar një poemë të madhe. Ka shkruar poemën “Mbi ta”, e cila është botuar sa ishte ai gjallë. Por, atëherë ashtu ishte politika dhe fjala Kosovë atje është zëvendësuar ma fjalën Malësia e Madhe. Faktikisht ajo është Kosova. Por edhe më herët që në poezinë “Poradeci”, ai ka shkruar dy vargjet legjendare:
Po tashi:
Duke nisur udhëtimin, mes për mes në Shqipëri,
Drini plak e përrallshëm po buron prej Shën Ndaumi…
dhe këtu Lasgushi, iu lë trashëgim brezave që vijën Kosovën. Sepse Drini vërtetë e ndan mes për mes Shqipërinë dhe pjesa veriore e Shqipërisë, është Kosova!