Vajza, dinjitetin kërkojani babait!

2
39

BRISEIDA ANDONI, 28 tetor 2012

Kam ditë që lexoj shkrime rreth ngjarjeve fatkeqe që përfshijnë femra të këtij vendi. Thirrje të vazhdueshme për drejtësi, liri, shkundje të opinionit publik, reagime komunitare ndaj dhunës. Të them të drejtën, më ka pëlqyer ky fluiditet i fjalës së shkruar si një nga armët e vetme ndërgjegjësuese, ndonëse i rrallë dhe gati për t’u shpalosur në raste ekstreme therjesh. Asnjëherë e tepërt lufta për mirëkuptimin e problematikës, sidomos në vendin tonë. Sot më shumë se kurrë dëshpërimisht doja të gjeja një mënyrë për ta përkrahur, por edhe për ta orientuar.

Ngrini zërin, ngrini zërin vajza! Po si fillon kjo ngritja e zërit? Dhe cilat janë shanset që kjo ngritje të gjejë përkrahje? Është e vështirë. Sepse ka shtypje, sepse ka dhunë. Këtu dua të përqendrohem. Ngritja e zërit për mua nuk mund të nisë as në gazetë, as në zyrë, as jashtë në rrugë me njërin apo me tjetrin që do të bëhet pjesë e rrugëtimit tënd.

Katër janë dominuesit kryesorë mashkullorë që do të ndikojnë së tepërmi jetën e një vajze: babai, vëllai, partneri, udhëheqës ndikues probabil i jashtëm (shef, Zot apo figurë drejtuese që të ka në dorë pjesë të caktuara të mbarëvajtjes së jashtme të jetës tënde).

Është thuajse objektivisht e pamundur pra që ky zë të guxojë të jehojë nëse këtë vajzë nuk e ka dëgjuar më parë babai. Mungesa e këtij komunikimi dhe dëshirës për mirëkuptim brenda familjes përbën një nga tragjeditë më të mëdha të formimit të brezit të ri përgjithësisht, dhe sidomos të femrave. Përveçse u hap rrugën fatkeqësive, fyerjeve e mungesës së karakterit që ajo (femra) do të mbartë me vete.

Nuk them që roli i nënës duhet anashkaluar. Do të duheshin dhjetëra shkrime të tjera për të folur për të. Por sot na duhet të arsyetojmë mbi dy palë beteja të vlefshme: atë mes sekseve të kundërta dhe atë mes breznive. Marrëdhënia me babain është e para dhe e vetmja, përmbledhëse e të dyjave.

Sado çliruese të tingëllojnë arritjet mbi çështjet e barazive gjinore, forca fizike e mashkullit do të jetë e pakrahasueshme në jetë të jetëve me forcën fizike të femrës, si rrjedhim edhe nevoja për mbrojtje dhe për “strategji rregulluese” të marrëdhënieve. Kjo i jep jetë betejës së parë. Konfliktet ideologjike mes brezave pastaj, dhe ato janë të njohura për të gjithë ne.

Një vajzë që nuk ka mundur të flasë hapur babait për të drejtat, aspiratat, qëllimet, dëshirat, të dëgjohet prej tij e të përkrahet, është në më të shumtën e rasteve e paracaktuar të dështojë në “luftën” e saj me botën e vështirë të domenëve mashkullorë. Nuk do mund kurrë t’i drejtohet me vërtetësi botës, partnerit, shefit.

Ajo do të jetë e prirur më së shumti të zgjedhë mes dy rrugëve “të mbijetesës” së saj: ose shitjen e trupit, ose shitjen e shpirtit. Të dyja forma kompromisesh që duket se shoqëria e sotme i kërkon nga femra detyrimisht, që t’i mundësojë frymëmarrjen. Të mos harrojmë që kjo tashmë është frymëmarrje artificiale. Kjo femër një ditë do të bëhet nënë dhe do t’i mësojë këto stile mbijetese vajzës së saj dhe të bandillit deri tek i cili e ka shpënë horizonti i saj i varfër, mosarsimimi apo pseudoarsimimi, por, mbi të gjitha, ai… ai, ai, me dorën e tij… babai.

A nuk jeni njëlloj si unë të habitur, për shembull, që ky vend, ndonëse është i mbushur plot e përplot më baballarë hijerëndë e autoritarë (shpesh prej injorancës), është gjithashtu i mbushur plot e përplot me adoleshente lakuriqe? Po ku vallë e ka burimin ky paradoks?

Ajshja u ther, dhe i ati refuzoi ta varroste. Sa të tjera janë vrarë nga vetë babai dhe sa të tjera akoma më të shkolluara, akoma më qytetare, që nuk rrezikojnë jetën, por vrasin shpirtin e së vërtetës e zgjedhin hipokrizinë dhe brenda familjes; sepse nuk e njohin fuqinë e të qenit vetvetja sa çliruese është! Por edhe nuk kanë mundur ta njohin, të shkretat.

Thirrja ime sot do të jetë kjo: Vajza, flisni me babain! Ftojeni të kuptojë dëshirat tuaja, nxiteni të përkrahë formimin tuaj, bindeni, “josheni” me idenë e identitetit të pavarur që do të krijoni, shtyjeni të rrisë dinjitetin tuaj! Ai dhe vetëm ai e ka në dorë sot, në këtë realitet, kryesisht, t’ju ndihmojë ta mbani kokën lart, përveç vetes.

Kjo varet shumë edhe nga personaliteti i babait. Gjithnjë do të ekzistojnë përjashtime, por komunikimi i kësaj natyre nuk mund të jetë kurrë i tepërt, diku do të godasë dhe diku do të të shpëtojë.
Ato që sot studiojnë të lira edhe jashtë, kanë mbështetjen e babait. Ato që sot duan të zgjedhin si Perëndimi mes më shumë se një mashkulli, kanë mirëkuptimin e babait. Të tjera që kanë mundur të arrijnë ku deshën me kokën lart, kanë pasur besimin e babait. Ajo që sot ju shkruan, nuk do të shpaloste dot mendimin e saj të lirë nëse babai nuk do t’i ngrohte shpatullat.

Baballarë, dëgjojini vajzat! Kërkojini vetë, edhe kur nuk e gjejnë kurajën për të ardhur te ju. Mbrojini nga transformimi i qenies së tyre. Luani pjesën tuaj që ky vend të mos mbajë erë grahma vajzash të nënshtruara, apo në të kundërt, grifshërore, manipuluese dhe hipokrite pjellore vetëm për të mbijetuar, që vajzat tuaja të mos tallen, të mos shkelen, të ecin përpara e të mos theren.

Bëjini thirrje dhe logjikës “së nderit e moralit” nëse kjo ju mundon kaq shumë. Ideoni kufijtë tuaj personalë të këtij nderi pa u ndikuar nga e jashtmja, sepse as ajo nuk është ashtu si duket! Stabilizoni një hierarki prioritetesh jetësore ku të gjejnë përgjigje pyetje si: A është më mirë të vdesë fëmija im i shkretë që komshinjtë të ruajnë idenë që kishin për mua? Kërkoni ndihmë për të ngritur pikëpyetjet e duhura.

Në fund të fundit, ajo që duhet të kuptojmë ndër të tjera në këtë jetë, është që të gjithë vijmë në këtë jetë duke shpresuar kryesisht të marrim sa më shumë kënaqësi prej saj, duke mos u bërë dëm të tjerëve, por duke i përkrahur të gjithë të tjerët në rrugëtimin e tyre të shpresës. Vetëm kështu do të mund të përkrahim dhe tonin. Prindi më i “pushtetshëm” e ka obligim moral dhe ndjesor përkrahjen e këtij rrugëtimi për fëmijën e tij “më të dobët”, sepse është i pari, përveçse kryesori që e “e ka në dorë”. Një vajzë nuk mund të shihet si një objekt që funksionon për të ruajtur imazhin e vetvetes si baba. Ajo është një qenie që duhet mbrojtur e shoqëruar që nga lindja e deri shumë larg me mbështetjen tënde, baba. Është rrugë e gjatë dhe e vështirë. Bëhen shumë gabime rrugës. Por, nëse babai mendon dhe vepron në dobi të gjetjes së vetes dhe së ardhmes fisnike të vajzës së tij, kjo vajzë një ditë do t’i japë shumë botës, vetes dhe atij.

2 COMMENTS

  1. Dinjiteti njerezor eshte ajo ndjenje qe vjen nga te konsideruarit si te rendesishme vlerat morale vetiake, te nderit personal dhe qe e konsideron te rendesishme mbrojtjen dhe ruajtjen e tij. Ai konsiderohet, pa dyshim si nje vlere supreme, sepse edhe pse jeta eshte nje gje e mire, ajo nje dite do te kete fund, ndersa dinjiteti njerezor paraqet nje vlere qe duhet te ruhet edhe pertej vdekjes.

    Autorja thote :
    “Në fund të fundit, ajo që duhet të kuptojmë ndër të tjera në këtë jetë, është që të gjithë vijmë në këtë jetë duke shpresuar kryesisht të marrim sa më shumë kënaqësi prej saj, duke mos u bërë dëm të tjerëve, por duke i përkrahur të gjithë të tjerët në rrugëtimin e tyre të shpresës. Vetëm kështu do të mund të përkrahim dhe tonin.”

    I pergjigjem : Sekreti i te jetuarit eshte i njejte me sekretin e gezimit, ata sillen rrotull te njejtit bosht: Mos perpiq qe te rendesh pas lumturise, thjesht kultivo nje jete te paster dhe te ndershme dhe do te kesh aq shume lumturi sa nuk do te dish ç’te beshe me te.

    Nese dinjiteti dhe kultura do te ishin te lidhura me lakuriqesine, kafshet do te ishin qeniet me te kulturuara dhe më me dinjitet.
    Shume pyetje legjitime do te duhej te beheshin ne lidhje me kete artikull, por besoj se nuk eshte vendi.

  2. Me gjithe respektin ndaj autores se ketij shkrimi, duke patur parasysh se shoqeria shqiptare eshte akoma relativisht nje shoqeri e mbyllur, disa koncepte te botes perendimore nuk do mirepriteshin, e madje do konsideroheshin si “te pista” nga prinderit e moshuar tashme.

    Ashtu siç autorja ka theksuar se vajza e sotme pasi te behet nene do ti mesojë femijes se saj te njejtat gjera te nenshtruara siç i di dhe eshte ajo vete, ashtu edhe prinderit tane na mesojne ate qe dine vete, ate qe ju kane mesuar se eshte e mire per te patur nje jete te mire e te ndershme.

    Nuk mund te presim qe nga dita ne dite prinderit tane te ndryshojne mendim per diçka qe e kane te rrenjosur ndryshe ne vetedijen e tyre qe ne femijeri. Duhet te kuptojme se ky eshte nje proces evolucioni dhe i duhet lene koha e duhur per tu zhvilluar pa probleme te medha e pa shume sherre midis vajzave e baballareve…

Comments are closed.