Ushtria e kujt? E Dolores Ibarrurit!

0
32

Nga Kimete Berisha, 4 Shtator 2013

Ka filluar “demokratizimi” i ushtrive shqiptare, andej e këndej “kufirit me atdhe”.

1./ Në Shqipëri, Edi Rama bëri boom lokal kur ia besoi një gruaje Ministrinë e Mbrojtjes. Edi e bëri për modë, por duke emëruar Mimi Kodhelin për Ministre të Mbrojtjes, kryeministri i ardhshëm pa vetëdije i dha mesazh botës se Shqipëria nuk ka armiq, ndjehet e lirë, shumë e sigurt, aspak e frikësuar nga askush, dhe aq komode sa për t’ia lënë në dorë ushtrinë një gruaje bionde, e lindur më 11 shtator.

Se vetëm shtetet që frikësohen dhe kanë arsye për t’u frikësuar caktojnë burra me mjekra në vend-punime ku varet siguria e një shteti.

Mimi tha se puna e pare si ministre do të fillojë të auditojë financat e ushtrisë. Nuk tha që do të auditojë depot e armatimit të ushtrisë shqiptare, për të numëruar plumbat kokërr për kokërr, nëse mungon ndonjë plumb.

2./ Në Kosovë, nga Forca e Mbrojtjes e Kosovës po ndahet njeriu që grumbulloi në këtë “forcë” të gjithë ish- ushtarët dhe policët shqiptarë e serbë që luftuan kundër njëri- tjetrit në Kosovë.

FSK nuk ka armë, se Kosova ndjehet edhe më e sigurt se Shqipëria. Për dallim nga Shqipëria që s’ka armiq, Kosova është e rrethuar me armiq, nga të cilët e mbrojnë ushtritë e botës në NATO.

-Pasi e demilitarizoi UÇK-në dhe kurrë nuk tregoi se ku kanë përfunduar armët e UÇK-së (sa kanë kushtuar, kush i bleu ato armë dhe kush i mori paret e atyre armëve);

“Në vitin 2001, në Kosovë, në mënyrë të organizuar, pasi çarmatosën UÇK-në, të gjitha armët (bomba, minahedhës, granata dore), edhe ato që gjeten nëpër ish-kazermat jugosllave, sidomos pushkët AK-47, anipse e kishin për detyrë t’i shkatërrojnë, ata me kamionë privatë i çuan në “vend të panjohur” në vendlindjen e tyre, shkaku se ato janë të përshtatshme për t’i shitur në tregun e zi të Gjermanisë” (lexo der Spiegel).

– Pasi e zhduku TMK-në;

– Pasi vegjetoi dy vite e gjysmë në FSK;

– Pasi dha dorëheqje nga vetvetja, u çanëtarësua nga ish-partia e tij PSDK (befasia ishte e vogël sepse partia e tij ishte e vogël);

– Pasi la çdo gjë që pati dhe iu dorëzua partisë së Hashim Thaçit;

Agim Çeku pranoi që të bëhet kryetar i Prishtinës.

Duke e emëruar një emër “të madh” për kandidat të të parit të Prishtinës, Thaçi e zbuloi bindjen e tij të thellë se drenicasi kurrë nuk mund ta marrë Llapin (Prishtinën) në dorë. Drenicasi mund ta marrë në dorë Kosovën, por nuk mund ta marrë në dorë Prishtinën. Askush ende nuk e ka zbuluar pse! Pse drenicasi nuk mund ta marrë në dorë Prishtinën!

Me rëndësi është që Agim Çeku ka pranuar të bëhet i pari i Prishtinës, se për të tjerat (për rrugën që të çon deri te ajo pozitë) ka kush merret, janë ekspertët e PDK-së, që dinë të realizojnë qëllimet e tyre.

Thaçi si njeri i suksesit i ka shtyrë ditët duke u thënë vende- vende dhe duke u thënë disa “të huajve” se ai vetë nuk është drenicas, por vjen nga rajoni i Vokshit të Pejës, pra rrënjët e tij (kush i lyp) i gjen në Pejë e jo në Drenicë siç kujtojnë prishtinasit.

Kjo është edhe arsyeja që Thaçi ka injoruar “katundarët” e vet, dhe partinë e ka armatosur me fshatarët pejanë: Adem Grabovcin, Xhavit Halitin, Hajredin Kuçin, Agim Çekun e shumë të tjerë.

Ku është Drenica në PDK? Fati i drenicasve në PDK është i tillë që pa dalë ende nga partia, përfundojnë në burg: si Sami Lushtaku, Sylejman Selimi e shumë e shumë të tjerë, përveç Azem Sylës (fati i tij që është dajë i kryeministrit).

Duke shkruar, po ia zbuloj edhe vetes se pushtetin në Kosovë (politik dhe ekonomik), e ka “banda fshatare e Pejës”.

P.S. Në Sanxhak besojnë se Agim Çeku është nip (boshnjak) i tyre. Ky detaj i vogël nuk u publikua kurrë në biografinë e Agim Çekut. Që është boshnjak i Sanxhakut as unë nuk kam dëgjuar deri para disa muajve. Sanxhaku thotë se nëna e Agimit, një boshnjake nga Peja, mbiemri i vajzërisë së saj është Beshkoviç dhe e ka prejardhjen nga Sanxhaku. Kurse, tezakja e tij, që boshnjakët i thonë “daidža”, Husnija Boshkoviç, ka qenë në Parlamentin e Kosovës zëvendësministër e komuniteteve dhe është kryesorja në VAKAT.

Mua më pëlqejnë boshnjakët. Kultura e tyre kundërthënëse, ndjeshmëria e madhe, qëndrojnë në një këmbë duke pritur dashurinë e premtuar. Vetëm edhe në Bosnje djemtë ende e mbysin vetën të pikëlluar për dashuritë e humbura. Boshnjakët si japonezët, dëshpërohen lehtë, janë lirikë. Kanë poezi të bukura dhe shumë balada që ta këpusin shpirtin.

Të gjitha i japin për dashurinë. Është Sarajeva aty ku ka qenë. Një kulturë e madhe dualiste, perëndimore- lindore, që këta njerëz i bënë mistikë.

Siç është edhe Agim Çeku, mistik, që i befason njerëzit, si atëherë kur papritur e braktisi shtëpinë e tij socialdemokrate, pa paralajmërim, të gjithë i lë pa mend, përfshirë veten!