Nga Mero Baze, 12 Janar 2012
Nëse një turist i huaj do të vizitojë Tiranën më 28 Nëntor 2012, ku Berisha synon të përqendrojë festimet, dhe mikpritësit ta çojnë të vizitojë bustin me mbishkrimin e Ismail Qemalit, që pritet të ngrihet po këtu, do bëjë me siguri dy pyetje që të hutojnë. Pyetja e parë do të jetë kush është ky burri, dhe pyetja e dytë, çfarë e lidh këtë me Tiranën?
Pyetja e parë është pyetja më logjike. I huaji me siguri ka marrë një informacion të përciptë për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, ka parë firmëtarët e saj dhe ka mësuar që burri që shpalli pavarësinë e Shqipërisë, ka firmosur me emrin e vet në atë dokument, që e ka Ismail Bej Vlora. Derisa vdiq ka mbajtur këtë emër. Ka pasur dhe një emër të plotësuar me emër të dytë “Ismail Qemal Bej Vlora”, por kurrë nuk është quajtur Ismail Qemali. Ta quash Ismail Qemali, pra t’i vësh emrin e dytë për mbiemër themeluesit të pavarësisë së Shqipërisë, do të thotë të përpiqesh ta ndryshosh në thelb historinë dhe personalitetin e atij që e kemi si Baba të Kombit.
Mikpritësit nuk kanë si t’i shpjegojnë një të huaji se pasardhësit e themeluesit të shtetit shqiptar e urrenin Familjen Vlora dhe ia hoqën emrin, ia zhdukën, dhe i vunë për “emër familjeje”, ose mbiemër siç quhet në shqip, emrin e tij të dytë të dhënë nga administrata turke, ndërsa të sotmit ndihen mirë që bie në sy Familja e tyre në pushtet dhe jo Familja që na dha pavarësinë e Shqipërisë.
Fyerje më të madhe për Babain e Kombit nuk mund të ketë, dhe tallje me të madhe me festimet për pavarësinë nuk mund të bëhet. Ne po përpiqemi të gjejmë nga Vjena në Beograd dokumentin origjinal të pavarësisë ku ka firmosur Ismail Bej Vlora, dhe do bëjmë një monument në Tiranë me emrin Ismail Qemali!!! As vetë themeluesi i shtetit shqiptar nuk do ta njihte veten po ta shikonte si ia kanë ndryshuar emrin në dokumente dhe në monument.
Pyetja e dytë e natyrshme është pse në Tiranë? Në rrugëtimin e tij drejt formimit të shtetit shqiptar, Ismail Bej Vlorën nuk e lidh asgjë me Tiranën, as për faj të tij, e as për faj të Tiranës. Tirana atëherë ishte një qendër e pazhvilluar gjysëm feudale, ku dominonin më shumë pro-turqit se sa idhtarët e pavarësisë.
Kam frikë se Ismail Bej Vlora as që ka shkelur ndonjëherë në Tiranë, për arsyen e vetme se aq pak sa qëndroi, qëndroi në Vlorë dhe udhëtoi drejt Italisë përmes detit. Dhe kur vdiq, në amanetin e tij kërkoi që varri t’i bëhej në Kaninë, aty ku kanë rrënjët Familja Vlora, dhe vetëm në vitet ‘30 është rivarrosur në Vlorë. Arsyeja pse po sillet një monument i Ismail Bej Vlorës në Tiranë është se padroni i sotëm i pushtetit të Tiranës nuk shkon dot në Vlorë.
Dhe meqë Sali Berisha nuk shkon dot në Vlorë, ai sillet me historinë si pronar i saj dhe sjell Babain e Pavarësisë nga Vlora në Tiranë, duke ia hequr për herë të dytë lidhjen e tij me Vlorën. Nëse paraardhësit e Berishës i hoqën emrin Familjes Vlora, ky do t’i heqë dhe qytetin e Vlorës, me të cilin lidhet jo vetëm pavarësia e Shqipërisë, por dhe gjithë përkushtimi kombëtar i Ismail Bej Vlorës. Familja Vlora nuk ishte një familje rastësore që shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Kjo nuk ndodhi se ata kishin shtëpi me dhoma shumë, apo kishin ruajtur flamurin e vjetër shqiptar.
Ndodhi se ata punuan realisht për pavarësinë. Nuk është rastësi që dy kandidatët për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë- ishin të dy nga familja Vlora. Syrja Bej Vlora, njeriu më autoritar i familjes nën atë kohë, kishte shërbyer si ambasador i Perandorisë në Vjenë dhe kishte përgatitur de facto pavarësinë e Shqipërisë me austriakët. Varri i tij sot nuk është akoma publik. Disa njerëz dhe të afërm të familjes kanë zbuluar se ai gjendet në një fshat të thellë të Vlorës, që ka qenë çiflig i tyre, mbuluar nga ferrat dhe harresa, ndërkohë që sot dhe atë njësoj si Ismail Bej Vlorën mund ta kishim Babain e Kombit.
Këta njerëz kanë prodhuar një histori të madhe për kombin tonë, dhe e kanë prodhuar në Vlorë dhe si Familje Vlora. 100 vjet më pas është turp të tallemi me ta, herë duke ua hequr Vlorën nga historia, dhe herë nga gjeografia. Ata që duan të nderojnë 100 vjetorin duhet të nderojnë Vlorën si ish- kryeqytet dhe Familjen Vlora si Familje që bëri këtë histori. As Familja Berisha, as Hoxha dhe as Zogu nuk i bëjnë dot hije atij qyteti dhe asaj familje që na dha shtetin shqiptar.
Nëse duan të nderojnë historinë, le të shkojnë kokulur në Vlorë dhe t’iu kërkojnë ndjesë atyre që u kanë vonuar këto 100 vjet ëndrrën e tyre për një shtet modern shqiptar. Më 28 Nëntor ne duhet të shkojmë të takojmë historinë e Baballarëve të Kombit dhe jo të sjellim Ballarët e Kombit tek shpellarët e Kombit, vetëm pse këta të fundit urrejnë Vlorën. Sali Berisha nuk mund ta heqë Vlorën as nga historia dhe as nga gjeografia e formimit të shtetit shqiptar. E kundërta ka ndodhur dhe mund të ndodhë.