Urime zoti Basha!

0
58

Endri Xhafo, 09.07.2011

Zoti Basha, dje Kolegji Zgjedhor jua bëri ëndrrën realitet. Një ëndërr tek e cila ndoshta as ju vetë nuk besonit kur i hytë kësaj pune. Jo për çështje kapacitetesh, sesa për një sërë rrethanash të tjera, të cilat ju jepnin juve humbës. Dhe i tillë ndoshta do të mbeteshit edhe pas 14 majit, vetëm se një humbës dinjitoz, për shkak të asaj diference të ngushtë surprizë, prej vetëm 10 votash.

Zoti Basha, ju iu futët garës për Kryebashkiak pas një eksperience të trefishtë si ministër, eksperiencë të cilën edhe atë e filluat pas kooptimit në Partinë Demokratike, fiks në momentin e ardhjes në pushtet të kësaj partie. Megjithatë, përveç xhelozirave të brendshme që ky kooptim mund të shkaktonte tek individët që kishin dhënë për partinë edhe gjatë viteve të saj më të vështira 1997-2005, për publikun e gjerë ky nuk përbënte ndonjë problem. Tek e fundit ju thjesht u pranuat në një garë pa plotësuar normat. Por në vijën e startit ju ishit i barabartë me ministrat e tjerë.

Fillimisht si Ministër i Transportit dhe i Punëve Publike, ju ishit aty në fillimin e punimeve të rrugës më të shtrenjtë në historinë e infrastrukturës rrugore, e ashtuquajtur “Rruga e Kombit”. Vendimi për ta ndërtuar pa plan ishte vendim politik. Dhe në një vendim kolegjial përgjegjësia, nëse të tillë ka, shpërndahet. Por ju nuk u përballët me akuzën për shpërdorim detyre, sepse çështja u pushua për shkelje të afateve. Ligjërisht ju jeni i pafajshëm nga akuzat që u ngritën kundër jush, por nuk mund të mos jeni i ndërgjegjshëm se perceptimi publik mbi këtë kosto faraonike rëndonte mbi ju deri në momentin kur i hytë garës për Kryebashkiak.

Punën tuaj si Ministër të Punëve të Jashtme dhe më pas si Ministër të Punëve të Brendshme propaganda qeveritare e lidhi fort me një nga sukseset më të mëdha të kësaj qeverie, heqjen e vizave. Por ju ishit aty edhe më 21 janar, kur 4 shtetas shqiptarë humbën jetën në një protestë. Sado përgjegjësi morale të kenë nxitësit e “skenarit tunizian” që i nxorën ata njerëz fatkëqij në rrugë, vrasja e katërfishtë jashtë gardhit rrethues të Kryeministrisë, ku dy prej viktimave u vranë sipër podiumeve të gazetarëve, e bëri përgjegjësinë e rojtarëve të institucioneve disafish më të rëndë sesa fajin e mësymësve të tyre. Minimalisht, ju, si Ministër i Brendshëm, edhe pse ligjërisht jo urdhërues direkt i policisë apo i gardës, ishit moralisht përgjegjës. Ju nuk e dhatë dorëheqjen, sepse kjo do t’ju skualifikonte nga gara për Tiranën.

Këto dhe të tjera, që ju bënin juve lehtësisht të sulmueshëm – por edhe të identifikueshëm me Kryeministrin, – ulën pritshmërinë se ju mund të kishit një rezultat pozitiv përballë një Kryebashkiaku që të paktën edhe këtë herë mendohej se do të përfitonte nga jehona e ndryshimit që i bëri kryeqytetit dy mandatet e para.

Socialistët ju akuzuan se në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme filluat që tre muaj para zgjedhjeve një fushatë pasaportizimesh jo reale të shtetasve që nuk banonin në Tiranë (u fol edhe për 7 mijë punonjës të administratës, por që si të tillë, i binte të jetonin realisht në Tiranë). Megjithatë, përderisa nuk ka prova tangjente të kësaj lëvizje kontingjentesh nga zona të sigurta “blu” drejt Tiranës, kjo nuk mund të raportohet prej një gazetari si fakt i mirëqenë.

Mirëpo çdokush mund të konstatojë se kësaj here votuan rreth 75 mijë zgjedhës më shumë se në vitin 2007, prej të cilëve ju përfituat rreth 2/3 e tyre. Mund të ketë një shpjegim logjik, që shumë të rinj që votuan për herë të parë të kenë votuar për ju; që shumë prej “elektoratit gri”, indiferentë deri dje për politikën, kësaj here dolën për të votuar, dhe ju votuan juve (realisht këtë herë pati një rritje të pjesëmarrjes në votim). Por pse?

Në fakt duhet pranuar se ju bëtë një fushatë të mirë (hiq episodin e “kasetave”). Ju për herë të parë i njohët kundërshtarit merita dhe e ndërtuat fushatën tuaj mbi pohime pozitiviste, përreth një alternative – ndonëse u vërtetua se shtylla e saj, ulja e taksave, ishte më shumë demagogji (sepse taksat nuk ishin aq të larta sa thoshit ju). Rezultati? Më 14 maj, me numërimin e kutisë së fundit, ju ishit 10 vota disavantazh. Kjo për ju nuk ishte humbje, ndonëse thuhet shpesh se historia nuk e mban mend të dytin, por vetëm kampionin.

Por mesa duket, për kalkulime të tijat politike, udhëheqësi juaj doli nga rezerva ku kishte qëndruar gjatë tërë fushatës dhe pas datës 16 maj mori frenat e lojës në dorë. Pas datës 16 maj ju zhbëtë tërë përpjekjet tuaja për t’u diferencuar nga Kryeministri dhe treguat se jeni njësh me të. Por kjo nuk ju doli për keq.

Zoti Basha, në fund fare ju duhet t’i jeni mirënjohës për këtë fitore pikërisht Kryeministrit Berisha. Por edhe atij dream team-i juristësh, deputetë të Komisionit të Ligjeve, të kryesuar nga Ilir Rusmali dhe Oerd Bylykbashi, që hartoi strategjinë që aq mirë u artikulua në KQZ dhe në Kolegj nga Ivi Kaso. Një mirënjohje e veçantë duhet t’i shkojë edhe Arben Ristanit, që mori përsipër “riskun” e zbatimit të fazës së parë, veprimin e KQZ-së si një “KZAZ e madhe e Tiranës” dhe vlerësimin e fletëve të hedhura gabim si “të vlefshme”.

Dikush u kujtua që edhe pse numëruesit ishin trajnuar për t’i vlerësuar këto fletë si “të pavlefshme”, për këtë nuk ekzistonte asgjë e shkruar. Procedura u kopsit në mënyrë të tillë sa u shndërrua në një kauzë të mbrojtshme përballë Kolegjit. Dhe juristët e zotë bëhen disafish të tillë kur janë në pushtet. Ndaj më 3 qershor ata i shkëputën Kolegjit legjitimimin e kësaj procedure të KQZ-së. Gjithçka tjetër është pasojë e atij vendimi!

Zoti Basha, njësoj si në rastin e çështjes së pushuar ndaj jush për rrugën Durrës-Kukës, edhe në këtë rast ju jeni ligjërisht i pastër. Përderisa nuk ka pamje filmike të futjes së fletëve të votimit në kutitë e gabuara enkas prej numëruesve demokratë, ju nuk mund të akuzoheni për kurrfarë gjëje. Dhe siç thotë njëri prej juristëve që ju mbrojti, “matematika nuk është opinion”. Matematika e shifrave ju nxori fitues me 93 vota.

Por në kushtet e hapjes së kutive, procesi zgjedhor u cenua në integritetin e tij. Ju nuk duhet ta harroni kurrë këtë, sepse “gabimi njerëzor” që u bë lajtmotiv i këtyre zgjedhjeve, e ka cunguar legjitimitetin tuaj. Ju duhet të jeni i ndërgjegjshëm kur të uleni në atë karrige se, sado ligjërisht i pastër, gati gjysma e qytetarëve që do të qeverisni katër vitet e ardhshme, mendojnë se ju e keni vjedhur fitoren në tavolinë.

Ju mund të deklaroni sa të doni se do të jeni Kryebashkiaku i të gjithë tiranasve, por nuk do t’ju besojnë menjëherë. Frustrimi dhe kundërshtia politike do të ushqejnë njëra-tjetrën.

Në selinë rozë ka rënë gjëma. Me siguri atje tani do të marrin hov përpjekjet për katarsis, të vështira në rast fitoreje të zotit Rama (qoftë edhe me 10 vota), sepse “fituesi nuk gjykohet”. Por nëse socialistët do të jenë të zotë, ata mund ta përkthejnë këtë frustrim në vota në vitin 2013. Mos vallë fitorja juaj në Tiranë është prelud i një rotacioni në rang kombëtar?

Megjithatë ky nuk është problemi juaj. Ndërkohë që në Partinë Socialiste do të merren me njëri-tjetrin, me fajtorët dhe me militantët, ju zoti Basha keni shansin e artë të përfitoni shëlbimin tuaj. Rasti juaj është një rast i mirë për të medituar mbi meritokracinë, shanset e jetës dhe veprat individuale. Në vitin 1960 edhe Xhon Kenedi e vodhi Riçard Niksonin në garën për president, por kjo nuk e ndaloi atë të ishte një President i madh. Ky është rasti juaj të ndërtoni më në fund diçka tuajën, solide. Kapacitetet intelektuale nuk ju mungojnë. Por kujdes, mos kujtoni se me ardhjen tuaj në krye të Tiranës matësi i kohës do të ristartohet. Teoria e “vitit 0” është shkatërrimtare.

Tregoni me vepra që do të dini realisht të vlerësoni punën e paraardhësit tuaj, se do të merrni stafetën e kantiereve të bashkisë dhe nuk do t’i vini vizën çdo gjëje të mirë të bërë deri më sot. Tregohuni i mëshirshëm të paktën me specialistët e thjeshtë të bashkisë dhe mos i hiqni nga puna, ndonëse e kuptoj se do t’ju duhet të kënaqni edhe militantët tuaj. Por, i nderuar zoti Kryebashkiak Basha, “le roi est mort, vive le roi” (Mbreti vdiq, rroftë Mbreti), më shumë se shprehje e nënshtrimit ndaj sovranit të ri, është shprehje e vazhdimësisë së shtetit.