URGJENCA E MORALIT NЁ POLITIKЁN SHQIPTARE

0
41

Mitat Shuli

Nëse ka një vënd që sot kur të tjerët “shkojnë për dru ky shkon për dega” ky vënd është ky i yni . Në një moment si ky kur përballë fatkeqësisë Japoneze,zgjedhjeve dhe pamundësisë së njeriut në raportin e tij me natyrën duke shtuar dhe krizën apo luftën në Libi spektakli që ofron ky vënd i llangasur nga një politikë pa moral është thjesht i turpshëm. Tërmeti më i fuqishëm i regjistruar ndonjëherë i pasuar nga tsunami vuri në gjunjë ekonominë e tretë botërore,shkaktoi mijra të vdekur e dëme të pallogaritshme materiale.

Tashmë kësaj i shtohet rreziku nuklear,dhe e gjitha kjo ndodh në Japoni vëndi më teknologjik e i treti në ekonominë botërore. I aftë të rindërtohet e ngrihet nga gërmadhat e luftës së dytë botërore,i vetmi që në 1945-ën provoi gjëmën bërthamore.Zgjedhja që Japonia pati bërë ishte e guximshme,të dëshmonin se energjia nukleare që pati fshirë 2 qytete nga harta e vëndit, eleminuar e lënë me pasoja qindra mijra njerëz,mund të kontrollohej e ti shërbente njeriut.Kjo tragjedi ka vënë në lëvizje e arsyetim gjithë botën.

Vënde seriozë e me aftësi njerëzore, popull, intelektualë, politikanë e specialistë pyesin e dëgjojnë se kjo që ndodhi mund të na shërbeje e të nxjerrim mësime. Dy fakte sot për sot janë të pamohueshëm i pari se pavarësisht efikasitetit energjitik kjo lloj energjie përbën rrezik për njerëzit, natyrën dhe jo vetëm sot por për shumë e shumë vite në vijim si në këtë rast, Chernobyl dhe mjaft të tjerë dhe tjetra dhe më e rëndësishmja që askush nuk ka zgjidhur problemin e skorjeve apo mbeturinave nukleare. Pra nuk ka një mënyrë për riciklimin apo eliminimin e atyre mbetjeve të paevitueshme nga ky proçes.Pas 15 vjet pune një agjenci amerikane e krijuar për këtë qëllim e mbylli punën pa asnjë rezultat.

Shpresojmë që të evitohet më e keqja dhe lajmet e fundit shkojnë në këtë drejtim, jemi të bindur se ky popull po na jep leksione qe si gjithmonë dëgjohen nga ata që kanë vesh të dëgjojnë. Një zëdhënës shtypi i agjencisë nukleare ndërsa komunikoi se radioaktiviteti ishte rritur e mund të përkeqësohej situata u largua nga konferenca për shtyp me lot në sy. Theksojmë që deri sot nuk ka asnjë të vdekur apo rrezik për qytetarët nga centralet nuklearë. Pak ditë më parë dha dorëheqjen ministri i jashtëm japonez sepse kish pranuar 400 euro kontribut për partinë e tij nga një qytetare që doli “armike” sepse Koreane.

KU SHKUAN ÇENTRALET NUKLEARE NЁ SHQIPЁRI ?
Kontrasti me qeveritarët e Tiranës është një shock i vërtetë.Nuk shohim asnjë debat mbi centralet nukleare në përgjithësi dhe fatin e tyre në Shqipëri.Me sa duket aftësinë për ta hequr nga perspektiva e shqiptarëve energjinë nukleare e ka po Ai që e futi këtë ide rreth një vit më parë. Një vit më parë kryeministri ynë ( për fat të keq) i jepte dritën jeshile Berluskonit për ndërtimin e centraleve bërthamorë në vendin tonë. Kështu pa u konsultuar me askënd i tha Berluskonit se mund të ndërtonte tek ne atë që italianët nuk duan në tokën e tyre.

Berluskoni i kërkoi vajza të bukura që i duheshin për të bërë bunga-bunga e tashmë kemi shkuar më tutje pasi me ligj qeveritar mund të sillen plehrat italiane në Shqipëri dhe Kryeministri e Ministrja e Integrimit po bëjnë të pamundurën për të na anëtarësuar në Sakra Korona Unita. Shih “Adriatico, mar di mafia” (Adriatiku, det i mafies) botuar në revistën prestigjoze italiane L’espresso datë 19 tetor 2010.

Ndoshta shumë njerëz nuk marrin seriozisht gjithçka thotë Berisha pasi e njohin e vlerësojnë si të papërgjegjshëm e jo koherent në belbëzimet e hakërrimat e tij të përditshme.Unë them pikërisht sepse i tillë duhet marrë seriozisht e vlerësuar si rreziku më i madh për shqiptarët. Tashmë mendoni për një cast një central nuklear diku në qendër, veri apo jug të Shqipërisë. Nuk mund ta imagjinoni dot, apo jo? Të paktën jo në shqipërinë e sotme.

Sepse bota nuk mund të na japë në dorë një lodër kaq të rrezikshme sepse ata na e falin që zihemi e vritemi mes nesh që ndotim tokën dhe ajrin shesim detin dhe pavarësinë tonë por nuk pranojnë që të vihen në rrezik të tyret. Kështu mësojmë se mjaft vënde kanë shprehur pesimizëm në lidhje me centralet nukleare kanë kërkuar të ndalen apo verifikohen hapat në këtë drejtim dhe përveç Gjermanisë, Zvicrës dhe qeveria italiane ka bërë mbrapa kthehu dhe në qershor një referendum popullor ndoshta do i vërë kapak centraleve nukleare në Itali.

E tek ne? Kjo mund të mbyllë edhe çështjen e energjisë nukleare në Shqipëri por mund të bëjë edhe të kundërtën.Ta bëjë vëndin tonë destinacon pikërisht sepse njëlloj si Prudentino, konsorciot nukleare gjejnë terrenin e pershtatshëm. Vendin në të cilin nuk vendosin specialistët, politika me P të madhe qytetarët por Berisha akoma kryeministër për fatin tonë të keq.

Lajmet shqiptare përditë e shumë herë në ditë na vënë para sysh evidencën, çka të gjithë dimë e na zë rrugën, ndot ajrin e na rëndon frymëmarrjen.

MUNGESA E MARALIT KANCER I DEMOKRACISЁ
Hipokrizia e pushtetit të bën të ulërish e të mendosh nëse këtij populli i mungon shtylla kurrizore për të qëndruar drejt, i mungon arsyeja dhe aftësia e gjykimit, vlerat si matës të gjykimit. E lidhur me sa më sipër vështirë që të tjerët të na vlerësojnë për seriozitet apo aftësi administrimi e pastërti apo respektim të ligjit. Evropa dhe ca me gjërë kur shohin se qeveria shqiptare një magazinë demontimi në Gërdec, apo ujin e hidroçentraleve mbi Drin, dhjetëra armë të Gardës apo naftën e nëntokës pra gjithçka është e aftë ta kthejë në një rrezik që ju kanoset qytetarëve.

Edhe njëherë nuk është një termet apo tsunami rreziku i ynë, ai është dhe vazhdon të mbetet qeveria e Sali Berishës. Në këto orë bombardimi i bazave të Gedafit duhet të trembë Berishën, akuza internacionale ndaj Gedafit është se ka vrarë popullin e vet, dhe instikti i diktatorit bëri që edhe fjalorin ndaj protestuesve ta kishin të njëjtë.

Të shtunën pamë Berishën në një inaugurim të 13 km rrugë, goxha arritje.Të ju shpjegosh Berishës dhe kësaj shumice që kryuministri nuk duhet të bëjë fushatë për zgjedhjet lokale sepse kjo kompromenton punën e qeverisë si qeveri e të gjithë shqiptarëve të majtë dhe të djathtë me apo pa parti nuk është e lehtë. Ёshtë më e lehtë ti mësosh gomarit të Xhemalit të flasë anglisht. Tha që Edi Rama po bën fushatë me sharje e gënjeshtra, dhe përfundoi me “etërit do ua kishin zili”. Në një minutë akuzoi Ramën për sharje dhe shau siç Ai e ka zakon.

Të flasësh për moralin e kësaj Qeverie është njëlloj si të mbrosh tezën se kampet e përqëndrimit nazist ishin të dobishme e ndihmonin pikërisht popullin hebre. Më vjen në mënd Primo Levi një prej atij 2 përqindshi që i shpëtoi eliminimit në Aushvic. Pyetjes se përse nuk rebeloheshin të një studenti ai i përgjigjet se na kishin hequr çdo fije dinjiteti, na kishin katandisur në leckë dhe leckat nuk rebelohen. Të indinjohesh kundrejt padrejtësive është dinjitet është respekt ndaj vetes dhe vendit.

Nuk ka asnjë dyshim se kemi një përplasje mes së vërtetës dhe gënjeshtrës moralit dhe degjenerimit të pushtetit në vënd.Mjafton të kujtojmë historinë nga Roma e lashtë në ditët tona sesi ky konflikt sjell gjithmonë rrëzimin e pushtetit. Nuk ka dyshimse çështja morale ka të bëjë me etikën publike. Por ka të bëjë edhe me portofolin e sejcilit prej nesh me ekonominë. Kush nga ne nuk e dinte se diçka nuk shkonte me karburantet tona sa here që kalon kufirin dhe detyroheshte të mbushësh sabratorin e makinës në Shqipëri. Kujt nuk i digjnin hundët nga mbetjet e këtij karburanti nëpër rrugët e vendit.

Korrupsioni është rreziku i demokracisë plot halle Shqiptare.I shtrirë në çdo hallkë të jetës e gjithnjë në rritje.Ёshtë bërë ves, tipar njohës i shqiptarëve.

“Dalëngadalë vdes kush bëhet skllav i Zakonit” thosh Pablo Neruda. Vlen për njerëzit por edhe për demokracitë, aq më tepër për një demokraci plot halle si kjo e jona. Aq më tepër se ky zakon quhet korrupsion.