Uragan apo përrua i thatë?

0
35

Nga Redan Bushati, 28 Maj 2013

Një jave nga botimi i analizës “Bastioni drejt shembjes, goditet me ‘silur’”, i vjen në mbështetje argumenteve të trajtuara mitingu i djeshëm i Partisë Demokratike, organizuar në qytetin e Shkodrës. Dhe ja sepse…

Ndonëse pjesëmarrja ishte masive, dhe Shkodra i bëri kryeministrit Berisha një pritje festive ndër më të mëdhatë gjatë periudhës së fundit, krahasuar kjo me qytetet e tjera të Shqipërisë, përjashto kryeqytetin e vendit, sërish, për ata që e njohin nga afër situatën, kishte disa mangësi, që ia vlen të merren në “sitë”.

Mitingu i djeshëm, nën praninë e kryetarit të PD-së, z. Sali Berisha, kishte thuajse tre herë më tepër pjesëmarrës sesa në mitingun e Partisë Socialiste, të organizuar para 2-3 javësh po në të njëjtin shesh (“Luigj Gurakuqi”), por në pozicione të ndryshme (PS në krah të xhamisë “Ebu Bekr”, me krahë-shpinë nga “Colosseo”; PD përballë “Colosseo”-t, me shpinë nga busti i Luigj Gurakuqit). Por, ndonëse PD-ja pati mitingashë sa trefishi i PS-së, krahasuar me vetveten, në vitin 2009 kishte rreth 1.5-2 herë më shumë sesa dje. Pra, thënë shkoqur numri i pjesëmarrësve në mitingun e PD-së krahasuar me vitin 2009 ka pësuar një tkurrje 1.5-2 fish.

Së pari, për të ndihur shifrat në fjalë theksojmë se në vitin 2009, teksa PD-ja organizonte mitingun e madh në sheshin “2 Prilli”, dyfish apo trefish më i gjerë sesa sheshi “Luigj Gurakuqi”, ironizonte PS-në se gjithherë ajo mitingonte në hapësirën e këtij të fundit, për shkak të numrit të ulët të mbështetësve. Në fakt, kjo është mëse e vërtetë. Po, sa qëndron një pohim i tillë edhe në vitin 2013, apo mos vallë pohuesit e djeshëm do të orvaten sot të deklarojnë se sheshi “Luigj Gurakuqi” është zgjeruar kaq shumë, aq sa i është hedhur përsipër “2 Prilli”-t për ta mbytur me kapacitetet përmbajtëse njerëzore të tij?!

Së dyti, ulja e numrit të pjesëmarrësve nëpër mitingje reflekton hapur se elektorati ndjehet i lodhur, i kërrusur, i mefshtë nga klasa politike shqiptare.

Së treti, “martesa” me LSI-në në 2009-ën e ka zvetënuar goxha Partinë Demokratike. Pavarësisht se LSI-ja nuk ndodhet më në “enën blu”, jo se e largoi PD-ja, porse u largua vetë, bashkëqeverisja e tyre 4-vjeçare ka rritur pesimizmin dhe zemërimin tek mbështetësit e përkorë të Partisë Demokratike.

Së katërti, radhitja në listën e PD-së së Qarkut Shkodër e demokristianit Nard Ndoka ka sfilitur mendërisht atë pjesë të qytetarisë intelektuale shkodrane, aq sa bojkotimi shihet qartas te një pjesë e tyre.

Së pesti, kriza ekonomike globale, e cila ka goditur edhe vendin tonë, por sidomos zonën e Shkodrës, atje ku papunësia ka kapur shifra alarmante, është një arsye tjetër e dufit të mbështetësve ndaj PD-së, e kësisoj uljes së të pranishëmve në mitingun e saj të djeshëm.

Së gjashti, forcimi i rivalit historik (PS), si dhe pozicionimi i volitshëm i LSI-së dhe FRD-së, kanë pasqyruar domosdo në dufshkimin e përkrahësve të PD-së. Në njërën anë, PS-ja ka futur në listë dy intelektualë, si Namik Kopliku dhe Mimoza Hafizi, po ashtu mbrojtës të patundur të votës së tyre si Tom Doshi kryesisht në zonat e NënShkodrës dhe Paulin Sterkaj në Malësinë e Madhe, si dhe “thithës” simpatizantësh nga zembereku i qarkut, zona e qytetit, me Sait Fishtën në epiqendër. Në krahun tjetër, LSI ka marrë klubin “Vllaznia”, por edhe ka investuar në ngritjen e një strukture politike me baza të fuqishme, sikundërqë FRD-ja ka prezantuar përpara shkodranëve një individ, i cili njihet nga opinioni publik si 24 karatësh i djathtë. Këto arsye, por edhe të tjera kanë rrëgjuar jo pak numrin e mitingashësve të PD-së.