Universiteti Vitrina: Qepë, Tjegulla dhe Kofsha Pule

0
83

Nga MELEQE RRENJA19 SHTATOR 2014

6 vjet më parë lindi si një institucion i mistershëm arsimor. Punësoi një pjesë të tepërt të pseudo pedagogëve në treg. Pas shfaqjes së truprojave në korridoret e shkollës së paqartë “Vitrina”, në kryeqytet, rreth vitit 2011, qarkulluan zëra se aty mund të paguaje bursa studimi me anë të çfarëdo sendi, që kishe në shtëpi.

Ndërkohë këta “bodyguard” thuhet se nuk lejonin asnjë puthje në ambientet e shkollës dhe se aty nuk lejoheshin armët!! Pas pak vitesh punësimesh dhe kurikulash shumë të çuditshme, drejtuesit e “Vitrina” vendosën të futeshin në politikë me stilin as parti as lëvizje, ose të dyja, “Partia Lëvizja Shqipëria e Re”.

U përfshinë nën koalicionin e djathtë por më shumë prishën punë se sa ndihmuan në shtimin e votave. Më vonë, pas zgjedhjeve, liderët e Vitrinës mbështetën drejtuesit autokratikë të botës lindore (psh. Erdoganin), si një tentativë për të marrë vëmendje dhe për të përfituar protektoratin e tyre. Ajo që çuditi ishte kthesa e menjëhershme e diskursit drejt demonizimit të qeverisë turke dhe asaj ruse, dy ikona të fuqishme për arenën botërore, por të papëlqyera “pas pilafit” për drejtuesin ekzekutiv të ish “projektit” Vitrina. Këtu, në mes të 100 skandaleve të tjera, erdhi reforma në institucionet private arsimore. Ndër të prekurit, pra atyre që u pezulluan, mbyllën apo këshilluan, ishte pikërisht “Universiteti Vitrina”. Institucioni i drejtuar nga Edmond Vlashaj u mbyll si totalisht jashtë standardeve. Ne sot i referohemi këtyre standardeve skandaloze, për të cilat legjendat urbane thonë se janë jashtë çdo imagjinate.

Po nisim me të parën, ku 10 bursa studimi 3 vjeçare, me vlerë as më shumë e as më pak se 15 mijë euro, këmbehen me perde për mobilime zyrash. Plot 15 mijë euro perde, për të studiuar në Vitrina.

Vazhdojmë me të dytën. Në foton e mëposhtme, marrë nga dokumente zyrtare, shihet qartë se 100 L naftë vlejnë sa një bursë studimi 3 vjeçare, me vlerë 500 euro.

Këtu situata përkeqësohet. 5 (pesë) bursa tre vjeçare studimi, me vlerë 1500 euro secila vlejnë dhe këmbehen nën termin drejtshkrimor “kontratë e mbyllur” me: 1 Lavatrice, 300 kg Qepë, 300 kg Patate dhe 214 kg Tranguj.

Në dokumentin e katërt, bursat e studimit këmbehen me veshje dhe këpucë. Ashtu si shihet më poshtë, 8 bursa studimi me vlerë 12000 euro këmbehen me 1020 dosje, 1580 doreza plastike, 80 palë çizme, 100 bluza, 105 triko, 210 palë këpucë (nuk specifikon markën) dhe 1 dyshek ultra.

Në kontratën e pestë të siguruar nga TIRANARE, bursa e studimit nuk është më subjekt i qepëve apo këpucëve por i një “benci”. Më poshtë keni të sqaruar targën dhe karakteristikat kryesore të Mercedes-it, që për “Vitrina” vlen 4 bursa studimi.

Bursat dhe librat këmbehen dhe me tjegulla. Në kontratën e mëposhtme kanë mjaftuar vetëm 700 copë tjegulla, për të marrë një bursë studimi 3 vjeçare. Vetëm kaq.

Qershia mbi tortë është këtu në fund. Erdhi fituesi i konkursit “Kush jep çudirat”. Një bursë 3 vjeçare studimi është këmbyer në vitin 2013 me 120 kg Kofsha Pule. Pikë!

Ka patur raste, kur bursë kanë marrë edhe me djathë dhie nga baxho fshati…