Unioni i Gazetarëve, protesta dhe letra në Europë për rastin e gazetarit Marin Mema

0
30

TemA Online, 22 Gusht 2012

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar për rastin e gazetarit Marin Mema, që u pengua të kalojë në Greqi, duke u konsideruar si një rrezik për sigurinë kombëtare për vendin fqinj.

“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, në tubimin e organizuar ditën e mërkurë datë 22 gusht 2012, para selisë së Ambasadës së Republikës së Greqisë në Tiranë, u bëri apel autoriteteve zyrtare greke ta shpallin të pavlefshëm vendimin e komunikuar ndaj gazetarit Marin Mema, sipas të cilit, ai paraqet rrezikshmëri për sigurinë kombëtare në shtetin grek. Përmes këtij vendimi, gazetarit Mema i ndalohet hyrja në Greqi“, thuhet në një deklaratë të Unionit.

“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë përmes kësaj deklarate proteste, e cila do të pasojë me një letër zyrtare drejtuar Presidentit, Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm të Greqisë, ju sjell në vëmendje këtyre autoriteteve se në asnjë rast dhe në gjithë veprimtarinë e vet profesionale, gazetari Marin Mema nuk ka pasur thirrje për dhunë, apele nacionalizmi, cënim apo fyerje të integritetit dhe dinjitetit kombëtar grek, sikundër ka kryer me devotshmëri dhe skrupuj të lartë etik, detyrën e reporterit profesionist“, thuhet në deklaratën e Unionit .

“Unioni ” Gazetarëve Shqiptarë kërkon nga këto autoritete të reagojnë në kohë, pasi rasti Mema është i paprecedent në praktikën e shkëmbimeve dhe lëvizjes së lirë ndër vendet e Ballkanit dhe BE-së gjatë viteve të fundit.

Organizata e gazetarëve shqiptarë shpreh besimin se në këtë protest solidare do të bashkohen edhe organizatat e gazetarëve të Greqisë fqinje, të cilët janë sivëllezërit tanë në organizata ndërkombëtare. Unioni I Gazetarëve apelon pranë mediave greke ta pasqyrojnë rastin e gazetarit Mema, si një akt të burokratisë e cila përmes vendimesh të tilla cënon dhe privon rëndë të drejtën e gazetarit dhe liritë e lëvizjes të mbrojtura nga konventa ndërkombëtare dhe legjislacioni i dy vendeve tona fqinje“, vijon deklarata.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë përmes një letre të posacme i është drejtuar edhe Presidentit të BE-së , për këtë vendim të marrë prej autoriteteve të një vendi anëtar i bashkësisë europiane.

Unioni i Gazetareve sakaq, fton gjithe koleget ne tubimin e dites se enjte date 23 gusht 2012, ora 11.00., para Ministrise se Jashtme te Shqiperise, ku do te kete reagime dhe deklarata te reja.