Unë kam frikë nga Sali Berisha

0
29

Mustafa Nano

Nga Mustafa Nano

“Po abuzohet, zotni gazetar! Nuk ka dhënë urdhër Sali Berisha për t’rrahur atë kolegun tënd”, më tha dikush që ishte shqetësuar prej zërave, të cilët e lidhnin dhunën ndaj Mero Bazes me emrin e kryeministrit.

“Po për burgosjen tënde ishte Enver Hoxha ai që dha urdhër?” – e pyeta të njëjtin person, i cili ka qenë i përndjekur prej regjimit komunist. Sot është mbështetës i flaktë i Berishës.

E solla këtë fragment nga një bisedë e shkurtër që pata me një berishian, pasi ka plot shqiptarë, që në logjikën e enveristëve të djeshëm, të cilët fajësonin sërën e dytë, të tretë e të katërt të nomenklaturës së kuqe për të gjitha ato që dhe vetë enveristëve u ngjanin teprime, të thonë se Berishën e marrin në qafë të tjerët. Kuptohet, në rastin më të mirë aq dinë, aq thonë. E në rastin më të keq, e dinë të vërtetën, por aq u bën për atë.

Cila është e vërteta? E vërteta është që, ashtu si Enver Hoxha, edhe Sali Berisha nuk ka nevojë t’u japë të vetëve “urdhra e porosira që bien erë”. Janë vetë modelet që frymëzojnë dhunë e arbitraritet. Janë dhe regjimet që ata ndërtojnë, të cilët janë të ndërtuar posaçërisht për njerëzit e dhunshëm, për rrugaçët, për injorantët, për servilët. Këta të fundit e dinë shumë mirë sesi mund ta kënaqin shefin e tyre.

Le të ndalemi te Saliu, pasi me Enverin, të asistuar nga Zoti, shqiptarët i kanë larë hesapet. Me Saliun kemi ende hesape, s’ka gjë se ai ka njëzet vjet që nuk ka lënë gjë pa bërë në kurriz të shqiptarëve: ai u premtoi demokraci, e në vend të saj u ndërtoi një regjim policor në periudhën 1992-1997; ai shpiku firmat rentiere piramidale, të cilat u bënë vrima thithëse të parave të shqiptarëve; ai përndoqi opozitën politike e të gjithë zërat opozitarë në të njëjtën periudhë; ai rrahu deputetët mu në sheshin “Skënderbej”, të cilin e privatizoi për vite të tëra; ai rrahu Edi Ramën, Ndre Legisin, Arben Imamin, Neritan Cekën, Preç Zogajn (një pjesë e këtyre të fundit, njësoj me atë mikun e fillimit të shkrimit, janë të idesë se nuk i ka rrahur Berisha), rrahu e dhunoi gazetarë, dogji gazetën “Koha jonë”, vodhi në mënyrën më spektakolare votat e shqiptarëve në vitin 1996, e futi Shqipërinë në spiralen e luftës civile në vitin 1997…, u rikthye në pushtet me një tahma të madhe për të vjedhur, nakatosi fëmijët në afera korruptive (njëra sosh, ajo e djalit të vet, pati një fund tragjik e shkaktoi 26 të vdekur), e përqendroi pushtetin në duart e pak vetëve të besuar, bleu e terrorizoi pjesën më të madhe të pronarëve të masmedias, bleu një pjesë të mirë të gazetarëve dhe pothuaj të gjithë kryeredaktorët e lajmeve e të përditshmeve; bleu me mënyra perfide dhe një numër ambasadorësh, me ndihmën e të cilëve po i gëzohet fitores (sipas të gjitha gjasave, të vjedhur) në zgjedhjet e fundit; shpiku sipërmarrës-klientë të partisë, apo lidhi aleanca të ngushta me sipërmarrës të tjerë, në adresë të të cilëve nuk kishte lënë akuzë pa bërë (një nga këta është dhe gangsteri Rezart Taçi), jo vetëm të gjithë administratën e burokracinë publike, por edhe pjesë të caktuara të sektorit privat (i keni parasysh ato karrotrecat që vijnë vërdallë nëpër Tiranë? Ato janë simboli i një biznesi privat, që është ekskluzivisht në dorë të bashkëfshatarëve të kryeministrit) etj., etj. Ja pra, ky është regjimi i sotëm i Sali Berishës.

Duhet bërë kujdes, pasi banda në pushtet e Sali Berishës nuk di të ndalet. Rrahja e Mero Bazes e ka nervozuar Sali Berishën vetëm për një arsye: ishte një rrahje e bërë në publik, rrjedhimisht nuk mund të fshihej. Me siguri, mbrëmjen që ka marrë vesh ngjarjen do të kishte dashur ta kafshonte Rezart Taçin, jo pse e rrahu Meron, por pse e rrahu në prani të dhjetëra dëshmitarëve. “Nuk ka asnjë arsye që të bëhen rrahje të tilla spektakolare”, duhet të ketë turfulluar me vete, e me siguri ka lëshuar një lumë të sharash në adresë të mikut për kokë të familjes, të cilin qysh parmbrëmë nuk dëshiron ta shohë më me sy. Dhe me të drejtë, pasi i ka prishur punë sa tre Gërdecë.

Sot mund të të rrahin, madje edhe mund të të vrasin, dhe e vërteta mund të maskohet fare lehtë, pasi të gjitha strukturat shtetërore ose janë nën komandën e Berishës, ose janë të frikësuara prej tij. Është vrarë një deputet mu te dera e shtëpisë, dhe askush nuk di gjë as mbi motivet e vrasjes, as mbi autorët e saj; një biznesmen i Tiranës, i cili kishte paditur familjen e kryeministrit si familje mafioze, mbeti i vdekur në një rrugë fshati në hinterlandin korçar, ku na kishte shkuar për gjah fillikat, dhe përfundimi i hetimit ishte lakonik: aksident me makinë, është vrarë një shqiptar nga Maqedonia, për të cilin është thënë se ka pasur prova që komprometojnë Sali Berishën, dhe njeriu i akuzuar nga prokuroria, me urdhër të kryeministrit, vijon të jetë një dinjitar i lartë shtetëror.

Në këto rrethana, të gjithë ata që i kruajnë brirët me kryeministrin, duhet të kenë kujdes: nuk duhet të udhëtojnë vetëm, nuk duhet të shkojnë për gjah, nuk duhet të dalin rrugëve natën, nuk duhet të frekuentojnë pub-et, duhet të mbyllin mirë dyert e shtëpisë, duhet të këshillojnë dhe të afërmit të bëjnë të njëjtën gjë. Mund të të vrasin, dhe e dini se ç’mund të ndodhë? Berisha nxjerr zëdhënësen e vet për të thënë se “kryeministri e dënon fuqimisht këtë krim të shëmtuar”, po ai urdhëron televizionet TVSH, “Klan”, “Ora News” etj., ta transmetojnë pa pushim këtë deklaratë të zëdhënëses së tij, po ai urdhëron policët e vet të shkojnë “të bëjnë” hetimin e ngjarjes, po ai fillon një sulm të ri ndaj prokurorisë, gjë që është sinjal i qartë për të mos u marrë shumë me ngjarjen, po ai del në TV për të thënë se “autorët e krimit do të kapen gjallë apo vdekur”, po ai mund të dërgojë Jozefinën dhe Ilir Metën në shtëpinë e të vrarit, për të bërë në prani të kamerave televizive ngushëllimet e rastit, po ai më në fund organizon një konferencë për shtypin, në të cilin shfaqet me një fytyrë të pikëlluar (mbani mend fytyrën e Berishës deri dy ditë pas Gërdecit? Ishte një pikëllim, që dukej se do të zgjaste me muaj të tërë. Në fakt, një javë më pas doli në tribunën e një koncerti festiv në qendër të Tiranës, ku fytyra i shkëlqente prej haresë).

Po e teproj? Nuk më duket. Një kryeministër, që së pari me vdekjen e të tjerëve ka një marrëdhënie non-chalant-e, që së dyti kontrollon gjithë shtetin, që së treti kontrollon gjithë bandat e mundshme brenda e jashtë burgjeve, është by default një njeri që duhet pasur frikë. Unë e kam frikë Sali Berishën.