Unë guxoj të flas…

0
43

Ahmet Dursun, 7 Maj 2013

Dy proverba që më ngjallin vertet neveri jane: heshtja është flori ose mesi është i artë. Ti, gjithnjë flet për atë që mendon, sheh dhe ndjen. A e ke provuar heshtjen?

– Unë gjithnjë kam qenë “outspoken” dhe kam folur për çështje dhe probleme që duhej ngritur zëri, madje edhe kur kam punuar në administratën publike.

Ka pasoja?

– Sigurisht që ka pasoja, sepse askush nuk do të kritikohet, dhe tek ne pasojat mund të shkojnë deri në masa ekstreme të pushimit nga puna. Kjo vihet re dhe në partitë politike, ku nuk preferohet mendimi ndryshe dhe si pasojë e kritikës apo mendimit alternativ mund të perfundosh i marginalizuar apo dhe i përjashtuar nga partia.

Shqipëria, a ishte kolonia e vendeve të mëdha të bllokut të Lindjes?

– Varet ç’kuptohet me koloni. Nëse me koloni kuptohet varësia nga një shtet tjetër, në kohën e komunizmit marrëdhëniet tona me vendet e tjera satelite kanë qenë të komplikuara. Në vitin ‘48 u shkëputëm nga Jugosllavia, në ‘60 nga Bashkimi Sovjetik dhe në ‘78 u divorcuam me Kinën. Pra Shqiperia ngeli nje vend “sui generis”, që u vetë-izolua jo vetëm nga Perëndimi, por edhe nga Lindja komuniste.

Mirela, a është e vërtetë se ka vdekur Margaret Theatcher?

– Në kuptimin metaforik sigurisht që nuk ka vdekur. Ajo la një trashëgimi politike dhe ideologjike dhe një model politikaneje dhe shtetareje që do të frymëzojë breza të tëra grash dhe burrash në politikë dhe qeverisje.

A mund të kenë qenë fjalët e fundit të saj “Don’t cry for me Argentina”?

– Nuk e di, po literalisht nuk e kemi dëgjuar ta ketë thënë.

Kur kam qenë i vogël, mendoja se Ronald Reagan ishte burri i Margaret Theatcher. A mund të jenë politikat e tyre të ngjashme që sollën edhe sëmundjen e tyre te përbashkët, pasi të dy vdiqën me alzheimer?

– Shumë e bukur kjo që Thatcher të është dukur gruaja e Reganit! Ndoshta ngaqë miqësia dhe bashkëpunimi i tyre politik dhe shtetëror ka qenë goxha i fuqishëm. Lidhur me semundjen, me ç’di unë, Theatcher vdiq për shkak të një hemoragjie celebrale, por është e vërtetë që në kohet e fundit ka patur humbje të kujtesës.

Të vertetat janë konservatore, ka thene Theatcher, por unë them se ajo veproi ndryshe. Ajo i veshi neo-kapitalizmit një mushama transparente të neo-liberalizmit. Ti si mendon?

– Neo-liberalizmi, si rrymë e re ideologjike e fillim viteve ’80, që u perkrah nga Regan dhe Thatcher dhe u zbatua në Amerikë dhe Britani kishte në thelb minimizimin e ndërhyrjes së shtetit ne ekonomi dhe lirinë dhe përgjegjësinë e individit. Reformat në ekonomi që ndërmori Thatcheri në vitet ’80 e kthyen Britaninë nga “i sëmuri i Europës” në ekonominë e dytë më të fuqishme të Europës dhe ky qe një tregues i suksesit të neo-liberalizmit.

Cila pjesë e imagjinatës së gruas shqiptare, nuk resht së punuari?

– Kjo varet nga lloji i grave dhe sa të zëna me pune e halle ato janë. Kur ke shumë punë e probleme, nuk ke kohë për të menduar apo për imagjinata. Unë personalisht jam shumë e zënë, me punët e punës (mësim-dhënies në fakultet), punët e shtëpisë, mësimet e vajzës etj dhe për pasojë kam shumë pak kohe të ulem e imagjinoj apo të shikoj telenovela. E vetmja kohë që unë meditoj është ajo para gjumit kur para se të fle bëj lutjen time te Zoti dhe kur i shpreh falenderimet për ditën dhe për familjen time dhe komunikoj me Të për problemet që kam.

Ai, a të dëgjon?

– Unë kam një marrëdhënie të veçantë me Zotin dhe komunikoj me Të sikur të kem dikë para meje. Jo thjesht lutje apo falenderim, po komunikim funksional dhe ndonëse Ai nuk përgjigjet literalisht, me shenjat që dërgon dhe gjërat që më ndodhin në jetë, jam e bindur që Ai është aty. Tek e fundit, Ai është Krijuesi i gjithë kësaj gjëje që quhet Tokë e univers apo i ne frymorëve.

A ka shumë pedagoge depresive në Shqipëri?

– Nuk mund të quhen depresiv, se depresioni është një kondicion mental patologjik, por jam e sigurtë që ka pedagoge të stresuara apo dhe neurotike pasi puna e pedagogut nuk është e lehtë.

Një grua zjarrfikëse, ‘’zjarrin’’ e cilit institucion do ta refuzonte të shkonte ta shuante?

– Këtë zanat ua kemi lenë burrave dhe nuk di të ketë gra zjarrfikëse. Nëse një institucion është në “zjarr” në kuptimin metaforik, pra i është vënë zjarri, këtu tek ne ka shumë institucione të tilla. Shumica e institucioneve të shtetit shqiptar, përfshi dhe administraten publike, janë kthyer në çerdhe militantizmi partiak dhe nepotizmi, ineficience dhe jo-produktiviteti. Më vjen keq, për më tepër kur në krye të një institucioni të tillë, sidomos atyre të larta, është grua ajo që drejton dhe e ka kthyer atë institucion në një bastion të partisë së saj apo të krahinës së saj.

Një grua, çfarë fut në çantë për burrin që e ka në burg?

– Nuk e kam idenë, varet nga nevojat dhe preferencat e burrit apo mundësite e gruas.

A ka gra të dënuara që qëndrojnë në burg duke qenë të pafajshme?

– Nuk e di, nuk kam njohuri për këte çështje.

Cila është mënyra më e gabuar për ta korruptuar një grua të pushtetshme?

– Një nga qëllimet kryesore për rritjen e përfaqësimit të grave në politikë dhe vendim-marrje është sepse gratë, krahas uljes së agresivitetit dhe rritjes së tolerancës në ambientin konfliktual të politikës, ulin dhe mundësitë e korrupsionit, pra normalisht dhe teorikisht janë më pak të korruptuara se burrat. Grate e kanë më të vështirë të ulen e të bëjnë pazare e matrapazllëqe si burrat, me lehtesi para një gote birre. Gjithsesi, rastet e grave të korruptuara kur këto kanë qenë në pozitia pushteti nuk kanë munguar.

Çfarë mendon për shëndetin dental në shkolla?

– Mendoj që nga mosha 0-18 vjeç duhet të jetë falas.

Si është gjendja ekonomike dhe shpirtërore e gruas shqiptare në Angli?

– Nuk mund të flas për gjendjen shpirtërore të grave në Angli se kjo është shumë subjektive dhe e variueshme. Por fakt është, që vitet e para të emigracionit për këdo janë vitet më të vështira, të përshtatjes me vendin e ri, me kulturën dhe mentalitetin e ri, me gjuhën, me problemet e punësimit, strehimit, shkollimit të fëmijëve etj. Pasi stabilizohesh me këto, pra ploteson prioritetet e fillimit, pastaj fillon dhe kupton se ana sociale është ajo që nuk e gjen kurrë në vendin e huaj dhe atëherë ndjen akoma më shumë mungesën e vendit tënd, familjes dhe miqve që ke në Shqipëri.