Unë e dashuroj katoliken Jozefinë!

0
91

Nga Bledi Mane

E dashur zonja Topalli, përshëndetje. Pa qenë aspak vanitoz më duhet të të them se momentalisht nga çfarë kam parë, nuhatur dhe studiuar, unë jam adhuruesi yt më i madh brenda kufirit të republikës tonë sharlatane mesdhetare. Po të flas hapur, të kam ndjekur hap pas hapi qysh në fillimet e karrierës tënde politike kur zbrite prej Shkodre në Tiranë e deri më tash kur po qëndron pa folur nën hijen eklipsuese që po lëshon mbi ty “fitorja fantazmë” e Lul frikacakut.

Të adhurosh një femër, shkencërisht prudenton një prej këtyre dy arsyeve të forta: ose epshi mashkullor të shtyn drejt joshjes seksuale prej saj ose ke mbetur peng i mendjes, kurajos dhe staturës feminile. Të më falësh por nuk më tërheq aspak seksualisht e dashur Xhozi, me sinqeritet po të tregoj që ti je sipas mendjes ime një nga lideret për të cilat ky vend ka nevojë.

Kam jetuar shumë vite në Angli kur ishulli britanik qeverisej prej konservatorit John Major e më pas nga juristi laburist Tony Blair. Kam përjetuar nga afër efektet pozitiviste që çliroi në politikën britanike qeverisja e legjendares Margaret Thatcher. Rigjenerimi ekonomik, krenaria dhe ringritja e perandorisë ishullore më kanë bërë për vete aq sa ende edhe sot e quaj veten një “theçerist i thekur” dhe si i djathtë që jam, jam pro idesë që edhe Shqipëria të qeveriset radikalisht nga liderë trima & të pakorruptuar për të dalë përgjithmonë nga kjo kllapi dy dekadëshe.

Jam shumë i sigurt se ti e nderuar zonjë je ndër të paktat politikane femra të këtij vendi, që duke korrigjuar ndjeshëm sjelljen tënde, reduktuar gafat dhe përmirësuar elokuencën do të votoheshe unanimisht pasardhësja e Sali Berishës në kongresin e jashtëzakonshëm të PD-së, që do të mbahet në shtator të 2013, menjëherë pas dorëheqjes së Doktorit dhe disfatës së zgjedhjeve të qershorit të të njëjtit vit.

Një nga ëndrrat e mia të kahershme është të bëhem një ditë këshilltari yt më i afërt (spin-doctor), dhe porsi greko-amerikani George Stephanopoulos, që u kthye në eminentin legjendar të sukseseve të presidentit Bill Clinton, të ndaja edhe unë me ty frytet e një karriere sa më racionale. Sikur unë prej kohësh të punoja pranë teje e nderuar Kryeparlamentare, sot do të të donin më shumë edhe myslimanët sunitë të Shkodrës edhe bektashinjtë e Lazaratit.

Me mua si këshilltar ti do të zbuteshe më tepër dhe në Parlament elokuenca dhe brishtësia jote do të përkthehej në paqe, me mua pranë do të rralloje cigaren dhe unë do të të sillja dermatologen më të mirë të Tiranës të reduktonte dhe pastronte fytyrën tënde nga rrudhat, do të të shkulja trëndafilat e ekzagjeruar që të ngul nëpër fustane dhe xhaketa rrobaqepësja jote personale, do të ta vishja burrin më mirë dhe do ia qethja fare ato pak flokë që i kanë mbetur, se momentalisht stonon me ty pranë.

Sikur ti të më paguaje si këshilltar personal unë nuk do të të lija ta mbushje kryesinë e parlamentit vetëm me vartëse femra sepse herë-herë ato zyra duken porsi Klubi i Lezbikeve kiliane “Bokhara”, do të të mbaja leksione gjuhësore fonetike që theksi yt shkodran të zbutej paksa dhe ti afroheshe më tepër letrares, do të refuzoje që dhëndri yt Luiz Ejlli të punësohej në ambasadën shqiptare të Parisit, por duke i qëndruar vajzës tënde afër të vazhdonte studime të thelluara master.

Unë do të të ndaloja të shkoje në festivalin aspak magjik “Kënga Magjike” të Ardit Gjebreas dhe Luizi yt të mos e vidhte çmimin e parë me atë këngën e shëmtuar, që atakonte sopranon Inva Mula, pse nuk ndjen më për burrin e parë. Unë ashtu si ty jam pro prishjes së piramidës, por jo për zbatimin e projektit austriak për parlament të ri, që u dizajnua rrëmbimthi nga miqtë e mikut tuaj, trashaluqit Wolfgang Grossruck. Terapia ime nuk do të reshtte për të zbutur disi posesivitetin tënd dhe duke të të mbjellë në mendje pak më shumë dashuri për opozitën, ti kishe për ta çimentuar karrigen e kryeparlamentares në këtë vend.

Jam pro teje në çdo moment sepse ti duhet të punosh fuqishëm këto dy vite që vijnë për të ngritur nga rrënimi Partinë e dhjetorit. Si një djathtiste që në embrion, ADN-ja jote dhe e familjes nga ti vjen do të të ndihmojë që për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar një femër që nuk ka qenë kurrë komuniste do të reformojë edhe të djathtën e vërtetë shqiptare. Ti nuk duhet të kesh frikë nga fosilja pasardhëse e doktorit me emrin Lulëzim sepse radikaliteti yt do ia tregojë vendin shumë shpejt njeriut që gjeti gati çdo gjë nga ju militantët e vuajtur dhe të thekur të PD-së. Mundohu të forcosh më tepër klanin tënd brenda partisë dhe tregohu një katolike tolerante, duke joshur edhe deputetët që nuk ndajnë të njëjtin besim fetar me ty.

Mos e transformo veten në burrë kur ballafaqohesh zyrtarisht me Bamir Topin, por zbuti instiktet femërore dhe çliro veten nga akumulimet e inateve të vjetra sepse ndihma dhe njerëzit e Bamirit do të të hyjnë në punë kur të drejtosh partinë. Mos zbut raportet me Ilirin e Monikës së LSI-së, sepse do të ngatërrosh veten dhe të djathtën duke mbetur përherë peng i tij. Unë do të vazhdoj të mbetem adhuruesi yt më optimist dhe opozita evropiane dhe e paqtë që do t’i bësh Edi Ramës kryeministër pas 2013, do të të ngrenë vlerat dhe shqiptarët shumë shpejt do harrojnë gafat apo sjelljen tënde paksa të maskilizuar të këtyre 6 viteve.

Ti je me fat Jozefinë se kur të bëhesh lidere e opozitës, askush nuk do të të akuzojë për vrasëse, hajdute, shkaktare të skemave piramidale, organizatore të 1997-ës, shitjes së detit, pasurimit të shpejtë të fëmijëve të tu “alla Fazlliç”. M’i dëgjo këto këshilla dhe shiko sa mirësi dhe dashuri ke për të shpërndarë nga foltorja e parlamentit. M’i dëgjo këshillat ndërkohë që unë po mësoj kitarën dhe një ditë do të vij poshtë ballkonit të PD-së, duke të të kënduar baladën e kitaristit anglez Chris Rea:

Radari im ka kapur një stuhi,
por unë ende mund të fluturoj.
Ti je arsyeja, ti je bluja në qiellin tim.
Jozefinë, unë po të dërgoj gjithë dashurinë time.
Jozefinë, Jozefinë…

Kënga të kushtohet ty dhe në ballkon duhet të shfaqesh vetëm ti, jo Mesila, as Monda, as Çiljeta, as Albana e Vjollca Vokshit…

*facebook.com/bledi.mane