Nga Bora Qosiç
Beogradi, nga fundi i viteve tridhjetë të shekullit të kaluar, ishte përplot me njerëz të nacionaliteteve të ndryshme, hebrenjtë kishin dyqanet dhe shitoret e tyre, çekët ndreqnin orët dhe akordonin pianot, hungarezët kujdeseshin për ujësjellësin. E di që kishte gjermanë të disiplinuar që silleshin rreth elektrikut në centralin e qytetit, ndërsa rusët punonin nëpër shtypshkronja dhe në zyrat e gjeodezisë. Kishte rumunë, grekë, sllovenë, këta të fundit shpesh ngisnin biçikleta dhe ngjiteshin në Avallë.
Me shumicën jetohej mirë, vetëm me shqiptarët diçka nuk shkonte, u thërrisnin me emra fyes dhe kështu u krijua muri mes shumicës serbe dhe atyre njerëzve, që ishin e keqja e domosdoshme në punët e ndërtimit dhe në transportin e pianove. Sepse dikush duhej të mbante tulla në katin e fundit të pallatit të kinemasë “Beograd” që po ndërtohej, dikush duhej të ngarkonte dy tonë qymyr për nënën time. Dhe akoma më shumë? Ardhja e tyre mes beogradasve ishte për një fëmijë gjashtëvjeçar diçka ekzotike: e dija se vijnë nga jugu, që janë të varfër dhe thatanikë, se, kur copëtojnë dru nëpër oborre, flenë nëpër bodrume, duke u ushqyer me konserva dhe rrush.
Ishin modestë, disi të turpshëm, kryesisht dashamirës. Nuk e di, përse nëna ime kishte njëfarë rezerve ndaj tyre, nuk e mbaj mend, nëse jam shoqëruar me ndonjë çun shqiptar ndonjëherë, mendoj se as që kishte të tillë në shkollat tona. Thua se shqiptarët në Beograd më 1939-ën nuk kishin qenë kurrë të vegjël, por menjëherë të rinj të pjekur që merrnin sharrat e tyre në duar dhe shkonin shtëpi më shtëpi.
Sidoqoftë, me kënaqësi shkonim në ëmbëltoren “Te Pelivani”, përplot me njerëz zeshkanë e thatanikë, që mbushnin kaushët me akullore të hatashme. Njëherë e pata pyetur nënën se a ishin këta të njëjtit që copëtonin dru para shtëpive tona, e ajo më tha: “Pothuajse!”
Pas fitores së ushtrisë së Titos në Luftën e Dytë Botërore, në vend manifestohej bashkimi dhe barazia e përgjithshme e qytetarëve jugosllavë, më vonë ajo u fundos, sepse disa megjithatë ishin më të barabartë se të tjerët. Kështu që, dy dekada pas 1945-s, pas rënies së shefit të Policisë jugosllave, Rankoviç, u zbuluan masat represive që po ata kozmopolitanë komunistë kishin ndërmarrë nëpër Kosovë: ku një kohë të gjatë ishte zhvilluar terrori më i pështirë bolshevik mbi pakicën shqiptare, sepse po praktikohej hakmarrja ndaj popullsisë pa dallim, për shkak të atyre shqiptarëve që me bandat balliste kishin bashkëpunuar me okupatorin gjerman. Por atëherë, çfarë duhej bërë me shumicën e fshatarësisë serbe, që në atë kohë okupimi ishin në listën e Drazha Mihailoviçit?
Ka ndër komunistët e fortë shpesh edhe nacionalistë të kamufluar, këtë e dëshmuan edhe ngjarjet më të reja; në periudhën e diktaturës së Millosheviçit shumica e oficerëve, politikanëve dhe intelektualëve i flakën lehtë librezat e partisë, i hoqën yjet pesëcepësh dhe i gozhduan në kapela kokardat çetnike, shenjat e kolaboracionistëve nazistë nga lufta e kaluar botërore.
Që me terrorin e shefit titist të policisë figuronte një motiv i njëjtë: ajo “bajgë shqiptare” nga jugu dëshiron të bëhet zot i tokës së lashtë serbe në Kosovë, ku janë manastiret dhe kishat mesjetare ortodokse, atje është edhe ajo fusha e famshme ku mbretëria mesjetare serbe ra nën pushtimin turk! Pakkush e merrte parasysh se njerëzit shqiptarë të atyre viseve, edhe pse në pakicë, kishin prejardhje nga fiset shumë më të lashta në atë territor, nga ilirët. Pastaj, shpejt u rrit numri i tyre, thuajse ndodhi revolucioni demografik atje.
Në fillim të viteve gjashtëdhjetë kam pasur një episod gjashtëmujor kosovar, isha ushtar në qytetin e bukur oriental të Prizrenit, përmes të cilit gjarpëronte Lumëbardhi. Këtë kohë e kam të mbushur me çiltërsinë e pamjeve përreth, e pastaj edhe me banorët e urtë të atjeshëm. Shoqërohesha me disa njerëz, shkoja në shtëpitë e tyre, së paku në atë pjesën e shtëpisë ku rrinin burrat (nëpër oda), sepse vajzat gjithnjë shikonin turpshëm nga kati i sipërm përmes rrjetës së zakoneve të tyre. Ajo që edhe më tutje bën pjesë në mungesën time të prekjes së asaj bote ishte kjo: akoma nuk e kam kuptuar gjuhën e tyre. E vetmja fjalë shqipe që kam sjellë nga atje ishte “ljulje”, lule.
Më vonë ajo që ishte ekzotikë sharrëxhinjsh dhe ëmbëltoresh nga fëmijëria ime, nga të bërit ushtri në gjelbërimin e dendur prizrenas, u rrit në një dramë të madhe, Kosova u shndërrua në kazan që vlon. Duke dashur që ta qetësonte, Tito me pragmatizmin e tij bëri Kushtetutën e vitit ‘74. Njëfarë autonomie të fortë të shqiptarëve të Kosovës, dhe këtë ata nuk ia harruan, sepse, si të thuash, në njëfarë mënyre i barazoi ata me republikat e tjera jugosllave.
Por në demonstratat e para pas vdekjes së tij, lufta për të drejtat e tyre gjithnjë e më shumë po mbeteshin veç në letër. Lufta që nisi klika e Millosheviçit nxori në shesh të gjitha detajet e këtij tërmeti sipërfaqësor, nacionalizmi serb mori përgjigjen tek ekstremizmi kosovar, e të gjitha bashkë krijuan enigmën e pazgjidhshme në kokat e politikanëve evropian. Pra, një pjesë e këtyre zotërinjve mbështesnin në mënyrë jokritike secilën kërkesë të shqiptarëve, të tjerët verbërisht besonin në qëllimet e mira të regjimit serb; madje edhe një shkrimtar i rëndësishëm u bë mbështetës për vrasësit dhe kriminelët e luftës nga Bosnja.
Në kongresin e PEN-it në Bremen, në vitin 1999, isha ulur pranë një miku, poet shqiptar nga Kosova, ai nga e tërë shtëpia e tij, e djegur nga pushtimi serb, kishte vetëm çelësin e shtëpisë me vete. U përpoqa që atë çelës t’ua bëja me dije kolegëve tanë të shtrenjtë gjermanë, njëri nga ta, me origjinë nga Gjermania Lindore, tha se nuk mund ta besonte këtë tregim.
Mbaj mend se pas kësaj kam dalë nga ky tempull, duke përplasur derën. Kjo pati jehonë të fuqishme në Gjermani, shumë jehonë të keqe në Serbi, që atëbotë mendojnë se unë, bashkë me disa bashkëmendimtarë të mi beogradas, i kam nxitur avionët aleatë që të nisen nga Aviano për të hedhur bomba në Beograd. E dimë shumë mirë se kush ishte shkaktar i këtyre bombave. Tani, kur po afrohet fundi i tregimit, që nisi me ata fukarenjtë që hanë rrush dhe konserva nëpër bodrume, e sot pas mundimesh të mëdha, përpiqen të jetojnë në tokën e tyre, sipas dëshirës së tyre dhe me të drejtën për pavarësinë e tyre, janë jo gjithherë të kujdesshëm ndaj lirisë së tyre.
Ata njerëz të çmueshëm, krenarë dhe burra të fortë, por në disa raste treguan se sa e zorshme është të barabiten me lirinë e tyre. Dhe këto shpërthime i zhgënjejnë shumë nga mbështetësit e tyre: A thua duhej që nga çfarëdo arsyesh t’i digjnin faltoret e fesë tjetër? Por edhe pas kësaj e kam të zorshme t’i kuptoj bashkëpatriotët e mi, që ata njerëz nga jugu t’i lënë rehat, që më në fund të barabiten me fatin e tyre vetjak.
Biografia e Bora Qosiçit
Bora Qosiç u lind në vitin 1932 në Zagreb dhe është njëri prej autorëve më të njohur serbë, bashkë me Danilo Kishin, Filip Davidin, Vidosav Stevanoviçin, Miro Kovaçin, David Albaharin (një hebre i lindur në Pejë) etj. Qosiç braktisi Serbinë në fillim të viteve ‘90, në prag të shpërthimit të luftërave në Ballkan. Është njëri prej kritikëve më të ashpër të nacionalizmit serb, veçanërisht i politikës agresive të regjimit të Sllobodan Millosheviçit. Në një artikull për gazetën zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”, i cili ishte botuar disa javë para pavarësimit të Kosovës, Qosiç kishte shkruar mbi qëndrimet raciste të popullit serb kundër shqiptarëve.