Ulaj, njeriu i Berishës, 3 orë në Prokurori për ndërtimet te Liqeni

0
54

Nga Tema

Biznesmeni Bashkim Ulaj, njeri i afërt i kryeministrit Sali Berisha, ka dëshmuar për rreth tre orë në prokurori në lidhje me ndërtimet tek Liqeni Artificial i Tiranës. Ulaj ka dëshmuar pas akuzave të ngritura nga palët në politikë për pronësinë në këto ndërtime. Kryeministri Sali Berisha e ka përdorur si kartë të betejës ndaj kryebashkiakut Rama këtë çështje. Megjithatë, hetimet tregojnë krejt të kundërtën e deklaratave publike të Berishës.

Përfundimi i parë që del nga hetimet është se biznesmeni më i rëndësishëm, nën ndikimin e të cilit është hartuar dhe miratuar nga KRRTSH, e drejtuar nga Sali Berisha, destinacioni i ndërtimeve në Zonën e Liqenit Artificial, është Bashkim Ulaj, një njeri i afërt i familjes Berisha.

Bashkim Ulaj, sipas hetimeve të prokurorisë, është investitori më i madh në atë zonë me rreth me rreth 90 mijë metra katror, i ndjekur nga Besnik Sula me po afërsisht kaq sipërfaqe, të kontraktuara paraprakisht me pronarët e zonës.

Pikërisht në zonën ku Ulaj ka kontraktuar tokën, Berisha ka miratuar dhe kullat më të larta për ndërtim. Përveç këtyre dy blloqeve, sipas hetimeve të prokurorisë, rezulton dhe një sipërfaqe rreth 11 mijë metra katror, pra sa një e 20-ta e kësaj sipërfaqe ku partneri i Vokshit, Rrahman Selmanllari dhe tri investitorë të tjerë, përfshi dhe Dritan Avllain, kanë bashkuar kontratat me pronarët. Por, në këtë mikrosipërfaqe, në raport me sipërfaqet gjigante të investitorit të familjes Berisha, nuk janë parashikuar kulla, por një hotel i ulët.

Prokuroria po ashtu ka siguruar dëshmitë e Selmanllarit dhe Tartarit, të cilët kanë deklaruar se çdo gjë e kanë bërë me vullnet të lirë në këtë sipërfaqe të vogël, që kanë në raport me dy biznesmenët e mëdhenj, çka bie ndesh me deklarata publike të Berishës në emër të Selmanllarit se për ato 12 mijë metra katror janë dashur të falin 20 për qind të tokës.

Hetimi i prokurorisë nuk gjen vepër penale në gjithë çfarë ka ndodhur, përveçse zbulon se pjesën e luanit në gjithë këtë histori e ka njeriu më i afërt i familjes Berisha në biznes.

Vetë kryeministri Berisha, pasi sulmoi Ramën për këtë projekt, dy ditë më parë tha se do të tërhiqej, dhe nuk do kishte ndërtime 35 katëshe tek Liqeni. Edhe pse e ka miratuar vetë këtë projekt, Berisha e ka paraqitur si një projekt kriminal të Bashkisë së Tiranës.

Gjithashtu gazeta Tema ka denoncuar dhe një aferë tjetër të Bashkim Ulajt, që ka falsifikuar firmat e pronarëve të një trualli.

Ulaj është një biznesmen me origjinë nga fshati Vuthaj, përtej kufijve shtetërore të Shqipërisë në Mal të Zi, fshat nga i cili është dhe gruaja e kryeministrit Sali Berisha. Familja e tij është vendosur në Laç në vitet gjashtëdhjetë. Si biznesmen ai është ofruar për ndërtime në Tiranë pas vitit 1997 kur bashkia drejtohej nga Albert Bokaj, por ka vazhduar ndërtimet dhe pasi në pushtet ka ardhur Edi Rama. Ky i fundit e ka favorizuar atë me leje në disa pika kyçe të Tiranës siç është zona rreth Radiotelevizionit Shtetëror. Në vitin 2004, Bashkim Ulaj i ka dhënë familjes Berisha tri apartamente të deklaruara me çmime simbolike, në një prej të cilëve banon sot ende familja kryeministrore, ndërsa dy të tjerët janë në dispozicion të fëmijëve.

Me ardhjen e Berishës në pushtet, Ulaj ka zhvilluar dukshëm bizneset e tij duke përfituar dy licenca fabrika çimentosh, miliona euro tendera në KESH dhe prej vitit 2007, nga një kompani anonime, është bërë kompani lider në ndërtimin e rrugëve, duke fituar çdo garë ku futet. Ministri i Transportit Sokol Olldashi, për koincidence po ashtu ka pas blerë apartament në pallatet e tij para se të bëhej ministër, ndërsa shumë figura të pushtetit shihen nën shoqërimin e tij në pushime jashtë Shqipërisë, në Spanjë dhe Itali. Është interesant fakti se Ulaj megjithëse është përfituesi kryesor i fondeve publike nga qeveria Berisha dhe i lidhur ngushtë me familjen, është dhe i pasulmuar nga opozita, çka tregon ndikimin e lidhjeve klienteliste të tij mbi liderin e opozitës.