Uji përparon në brendësi të Shkodrës, rrezikohet shembja e banesave

0
24

Nga Tema

Ujërat vazhdojnë që të përparojnë në brendësi të qytetit të Shkodrës, ndërsa niveli i lumit Buna vazhdon që të rritet, duke kërcënuar ndjeshëm qytetin. Si pasojë e rritjes së nivelit të ujit në Bunë, uji në disa lagje periferike ka arritur në 1 metër e 70 centimetra. Zona e përmbytjes në Shkodër vazhdon që të zgjerohet, teksa edhe ditën e djeshme qindra hektarë tokë kanë përfunduar nën ujë. Situata në Shkodër është nga më kritiket, pasi uji i lumit Buna ka vërshuar në hyrje të Shkodrës, në lagjen Xhabije dhe lagjet periferike të Kirasit, Ajasëm, duke arritur deri në brendësi të qytetit. Në Hyrje të Shkodrës, aty ku ndodhet dhe ura e Bunës, uji vazhdon të jetë prezent në të dy anët e urës. Si nga ana e Shkodrës, ashtu dhe ana tjetër e urës që të çon për në Shirokë e Zogaj, uji është në nivele të larta.

Për të hipur në urë makinat kalojnë më parë një pellg të madh me ujë, ndërsa lumi është fryrë, aq sa niveli i tij ka arritur gati rrafsh me urën. Duke parë situatën kritike, përtej urës së Bunës policia vendosi ndalimin e qarkullimit të mjeteve të vogla në drejtim të Shirokës dhe Zogajt, pasi uji ka vërshuar në aks dhe për mjetet e vogla ka rrezik t’u shuhen motorët. Reshjet e shiut, të cilat e kanë shtuar nivelin e ujërave në lumin Bunë dhe në liqenin e Shkodrës, kanë sjellë edhe përmbytjen e lagjes se Kirasit, 4 km larg Shkodrës, që njihet si zona e Ndërmarrjes zooteknike. Në këtë lagje gjenden banesa e shtëpi, ku niveli i ujit ka kaluar një metër lartësi. Ndërkaq, banorët, të cilët kanë vendosur që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, i realizojnë nevojat e përditshme nëpërmjet lëvizjes me lundra e varka.

Mësohet se fryrja e lumit Buna dhe Drin ka bërë që të rritet dhe niveli i ujit në liqenin e Shkodrës. Të dhënat tregojnë që sipërfaqet e tokës së përmbytur shtohen, teksa deri më dje më shumë se 11 mijë hektarë tokë gjenden nën ujë, ndërsa mbi 5 mijë banorë janë evakuuar nga zonat e përmbytura. Ndërsa duket se tashmë uji është drejt përmbytjes edhe të qytetit të Shkodrës, kryeministri Berisha bënte me dije pak ditë më parë se kjo gjë nuk kishte asnjë shans që të ndodhte. Ai u shpreh se Shkodra nuk paraqiste asnjë rrezik, ndërsa alarmi për përmbytjen e qytetit ka qenë i qëllimshëm nga njerëz të pamoralshëm, të cilët kanë dashur të përhapin panik. “Më 26.3.2004, janë shkarkuar 3017 metra kub në sekondë nga hidrocentrali i Vaut të Dejës. Më 27.3. 2004, është shkarkuar, edhe mbi kapacitetin, 6210 metra kub në sekondë.

Më 27.3.2004, – atyre që duan ta paraqesin këtë situatë si të paprecedent, nëse e bëjnë nga mungesa e memories, po ua rikujtoj, nëse e bëjnë për qëllime të mbrapshta politike, mjerë ata”, u – shpreh Berisha gjatë një mbledhjeje qeverie pak ditë më parë. Faktet tregojnë të kundërtën, pasi ditë pas dite ujërat depërtojnë drejt qytetit dhe tashmë Shkodra rrezikohet seriozisht nga përmbytja. Kufijtë e përmbytjes deri më tani janë: në perëndim bregdeti i Velipojës, ku gjendet edhe grykëderdhja e lumit Buna, në lindje periferia e Shkodrës dhe fshatrat e Malësisë së Madhe në anë të liqenit, në jug Mali i Jushit dhe në veri komuna Ana e Malit. Ministria e Brendshme u shpreh se, “gjatë gjithë ditës së djeshme strukturat e angazhuara për zbatimin e detyrave të caktuara nga Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile në zonat e prekura nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës kanë vijuar operacionet për shpërndarjen e ushqimeve e ndihmave, si dhe operacionet për evakuimin e banorëve dhe bagëtive dhe për përforcimin e argjinaturave”.

Ekspertët: Koha e gjatë nën ujë rrezikon shkatërrimin e banesave

Banorët e zonave të përmbytura në veriperëndim të vendit, përveç orendive dhe të mbjellave, rrezikojnë seriozisht që të humbasin edhe banesat e tyre. Ekspertët shprehen se, qëndrimi i gjatë nën ujë i banesave dëmton strukturën e tokës, gjë që do të thotë se ato mund të fundosen apo shemben. Kjo do të ishte humbja më e madhe për banorët e këtyre zonave, të cilët prej ditësh enden ku të mundin për të futur kokën dhe për t’i shpëtuar ujit, që prej ditësh u ka zaptuar banesat. “Kemi një tkurrje, një bymim, një zmadhim të poreve të tokës, një ndryshim të peshës vëllimore të saj. Ndryshimi i densitetit të tokës mund të shfaqet në gjithçka që ndodh në këtë tokë”, – thotë profesor Vangjo Kovaçi, në Departamentin e Gjeoshkencës. Sipas tij, dëmet fizike dhe kimike në sipërfaqen prej 10 hektarësh të mbuluar nga uji, do të jenë të konsiderueshme. “Këto vërshime vijnë nga zona mineralmbajtëse, me elemente nga më të ndryshmet, përfshirë edhe ato ndotës. Aktiviteti mikrobiologjik do të rrezikohet gati plotësisht”, – u shpreh Kovaçi. Ky i fundit, por edhe ekspertë të tjerë, thonë se specialistët duhet të hartojnë plane masash për rehabilitimin e tokës, menjëherë sapo uji të largohet. Qeveria prej ditësh premton dëmshpërblimin e banorëve që kanë pësuar humbje nga përmbytjet e ndodhura ditët e fundit.

Por, nëse banorët do të humbisnin edhe banesat, fatura që do të duhej të paguante qeveria do të ishte shumë e lartë dhe nuk dihet, nëse ka mundësi buxheti i shtetit, tashmë bosh, për të përballuar këtë situatë, duke qenë se bëhet fjalë për të paktën 5 mijë banesa, rindërtimi i të cilave kërkon shifra të konsiderueshme parash. Duke përfshirë pastaj edhe dëmshpërblimet për të mbjellat dhe bagëtitë apo edhe shpenzimet për argjinaturat dhe kanalet e kullimit të prishura, sistemet e telefonisë, energjitikës etj., për qeverinë do të ishte një goditje e madhe.